E Diel, 1 Nëntor 2026

Matematika, rezultatet gati më 1 korrik. Kur do të bëhet shpallja e tyre

SHKRUAN: Jonida Tashi 27-06-2011 11:25

Maturantët do të mund të njihen me notën e provimit të dytë të Maturës, Matematika, pasi t’u jenë nënshtruar edhe dy provimeve të zgjedhje. Ky fakt bëhet i ditur nga specialistë të Ministrisë së Arsimit, të cilët shpjegojnë se, sikurse ndodhi edhe me publikimin e rezultateve të provimit të parë, Gjuhë-Letërsi, për të cilin korrigjimi përfundoi brenda afatit dhe para datës 15 qershor, ditë në të cilën u zhvillua provimi i Matematikës, notat dolën pas këtij testimi, për të mos ndikuar negativisht te maturantët. Pra, e njëjta taktikë do të përdoret edhe për publikimin e notave të provimit të Matematikës, që konsiderohet edhe si më i vështiri për maturantët. Kjo do të thotë se megjithëse korrigjimi i 43 mijë testeve të Matematikës, rreth 1 mijë maturantë më shumë se te Gjuhë-Letërsia, do të mbyllet brenda datës 30 qershor, rezultatet pritet të jenë gati më 1 korrik. Lidhur me procesin e korrigjimit të testeve të provimit të Matematikës, specialistët e arsimit bëjnë të ditur se aktualisht është mbyllur vlerësimi për rrethet, ndërkohë që është drejt përfundimit edhe Tirana. Sipas tyre, rezultatet e këtij provimi pritet të jenë gati më 1 korrik, por gjithsesi vendimi përfundimtar për shpalljen e tyre mbetet në dorë të vetë ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili, në bazë të nivelit të maturantëve në testimin për Matematikën, vendos edhe kufirin e kalueshmërisë. Më konkretisht, në bazë të të dhënave të rezultateve në pikë, ministri i Arsimit vendos kufirin e kalueshmërisë që quhet “Cutoff”. Pas kësaj, pikët konvertohen në nota të shkallëzuara me dy shifra pas presjes dhjetore. Sakaq, pas përfundimit të procesit të korrigjimit të testeve të Matematikës, do të duhet të bëhet edhe procesi i quajtur “Matching” (që është përputhja ose bashkërendimi) i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve). Procesi “Machting”, thënë ndryshe i lidhjes së rezultateve të provimit me emrat e maturantëve, pra zbërthimi i bardkodit, sipas afateve, do të nisë në orën 14:00 të datës 30 qershor, menjëherë pasi nga ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) të dalin specialistët që janë “izoluar” aty që prej datës 23 qershor, për hartimin e testeve të dy provimeve me zgjedhje. Më pas, me hedhjen e pikëve të marra nga maturantët, do të krijohet një listë ku çdo barkodi i vihen në korrespondencë pikët. Kjo është një procedurë e vlefshme për secilin nga katër provimet e Maturës, sipas së cilës testet e maturantëve, pas korrigjimit në 6 qendrat e vlerësimit dorëzohen në AKP, për t’iu nënshtruar procesit të bashkërendimit të rezultateve, që kryhet në bashkëpunim me APRIAL-in. Sipas procedurës së përcaktuar nga MASH, pas grumbullimit të këtyre testeve dhe rezultateve, nis edhe procesi i identifikimit ndërmjet kandidatit dhe pikëve të vlerësimit që ai ka marrë, që ekuivalentohen në notë. Për këtë, testet e maturantëve pasi fillon provimi sekretohen, pra pajisen me një barkod që përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë mësuesit (asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të barkorit, nuk njihen me identitetin e maturantëve dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›