Formulari A2, 30 qershori, afati i fundit i miratimit
Brenda datës 30 qershor Ministria e Arsimit duhet të ketë miratuar dhe publikuar Formularin A2, për pranimet në universitetet publike të vendit. Sipas afatit të publikimit të këtij formulari, në rregulloren e Maturës përcaktohet se MASH miraton deri në datën 30 qershor Formularin A2 të personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit të shpallura nga universitetet publike dhe udhëzuesin e plotësimit të Formularit A2. Pasi të njihen me rezultatet e katër provimeve të Maturës, maturantët, në bazë të informacioneve që u janë vënë në dispozicion, duhet të marrin vendimet më të mira për të ardhmen e tyre, që do t’i pasqyrojnë me plotësimin e Formularit A2. Kështu, maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike të vendit, pasi të kenë në duar notat e katër provimeve, duhet të plotësojnë Formularin A2, si dhe ta dorëzojnë atë në Komisionin Shkollor të Maturës brenda datës 30 korrik. Formulari A2 është i personalizuar me notën mesatare dhe preferencën e programeve të studimit, të shpallura nga institucionet e arsimit të lartë publik. Formularin A2 kanë të drejtë ta plotësojnë vetëm maturantët kalues në të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje.
MASH, nëpërmjet materialeve informuese të përgatitura për maturantët, sqaron se para plotësimit të Formularit A2, që do të jetë hapi i fundit dhe vendimtar për të fituar të drejtën e studimit në universitetet publike të vendit, çdo maturant duhet të dijë disa të dhëna, në mënyrë që jo vetëm ta plotësojë saktë, por të mos “djegë” as shanset e tij për në fakultet. MASH bën të ditur se këtë vit Formulari A2 do të shpërndahet pasi maturantët të jenë njohur me të katër rezultatet e provimeve të tyre. Lidhur me të dhënat që duhet të dinë maturantët, në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit me adresë www.mash.gov.al, duke klikuar në butonin Matura Shtetërore, do të gjeni: A - listën e programeve të studimit për çdo fakultet të 11 universiteteve publike të vendit; B - kuotat e miratuara për çdo program studimi të të gjitha universiteteve; C - koeficientët e shkollës (KSH) për çdo program studimi; D - koeficientët e lëndëve me zgjedhje (KZ1, KZ2); E - formulën e llogaritjes së pikëve, të shprehur në një tabelë të thjeshtë në Excel. Duke vendosur notat dhe koeficientët, secili maturant mund të llogarisë pikët për secilën prej preferencave. Pikët shfaqen automatikisht në qelizën pikët; F - Pikët e fituesit të fundit për çdo program studimi në katër vitet e fundit (2007-2010). Në këtë mënyrë, pasi njihet me listën e programeve të studimit, secili maturant mund të bëjë një listë edhe me më shumë se 10 programe studimi, ku dëshiron të studiojë, në cilindo universitet të Shqipërisë.