E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interneti në celularë, Pollo hap tenderin

Hapet konkurrimi për kompanitë private që ofrojnë shërbime teknologjike të internetit në celularë. Tenderi është hapur dje nga ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo. Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë, të njohura si 3G apo Third Generation, nga kompanitë celulare do të sjellë një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në aparatet celularë dhe do të rrisë shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate, - thuhet në njoftimin e ministrisë. Specialistët shprehen se duke aplikuar teknologjitë 3G hidhet një hap i rëndësishëm në realizimin e projektit Shqipëria dixhitale. Ministri Pollo, si ministër përgjegjës për komunikimet elektronike, miratoi propozimet e rregullatorit të fushës, AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare), pas studimit të brezit të frekuencave nga ky i fundit, - vijon njoftimi. Autorizimi individual për fituesin e garës do të ketë një kohëzgjatje prej 15 vjetësh dhe gara do të fillojë nga çmimi dysheme prej 12.5 milionë eurosh. Tenderi që do të çelet ditët e ardhshme, do të administrohet nga AKEP-ja, njofton ministria.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›