"Pashë kokën e Tur Dajës në qese"
Armand Bajrami
"Pashë pjesëtarë të 'bandës së Lushnjës' tek mbanin kokën e Artur Dajës në një qeskë plastmasi në dorë". Deklarata është bërë dje në procesin gjyqësor të të akuzuarve si anëtarë të 'bandës së Lushnjës' te Krimet e Rënda nga dëshmitari Qemal Haliti. I thirrur si dëshmitar i Prokurorisë, Haliti tregoi para gjykatës se si anëtarët e 'bandës' i kërkonin atij në vitin 1998 të tregonte vendndodhjen e Artur Dajës. Seria e ngjarjeve kishte ndodhur për shkak të lidhjes së krushqisë që ai kishte me familjen e Artur Dajës, për vrasjen dhe shëtitjen e kokës nëpër Lushnje në vitin 1998 akuzohen të pandehurit në proces. Dëshmitari Haliti, aktualisht 80-vjeç, tha dje se të pandehurit nuk kishin ushtruar dhunë ndaj tij, por kur nuk u kishte "kryer porosinë", ata i kishin thënë 'do ta qash djalin që ke në Greqi".
DESHMIA
"Artur Dajën, nusja e djalit tim e ka vëlla. Arturin e kam takuar dy-tre herë përpara se të bënte këto debatet me Aldo Baren. Mua më ka thirrur Arben Boriçi te klubi i Sid Berberit, afër qendrës së qytetit të Lushnjës. Ai më kërkonte t'i tregoja se ku ishte Artur Daja. I thashë që nuk e dija se ku ishte. Në të vërtetë, nuk e dija se ku ishte. Më pyetën se ku e kisha djalin. I thashë që djalin e kam në Greqi. Në këto momente Arben Boriçi më tha: për tre ditë do të më japësh përgjigje se ku është Artur Daja. I thashë që as për 300 ditë nuk di ç'të them. Pas tre ditësh, unë po kthehesha nga tokat në drejtim të shtëpisë në kohë dreke. Kur po kaloja pra komisariatit të Policisë, më foli Enver Dondollaku. Ishte në një furgon të bardhë. Hapi derën dhe më tha: Nuk na dhe përgjigje për atë që të thamë. I thashë që nuk dija gjë. Pasi ika pak metra me tej, ai më foli nga larg dhe më tha: do ta qash çunin. Ngrita duart e nuk i thashë gjë. Pas disa kohësh, unë po kthehesha në shtëpi. Pranë qendrës së Lushnjës një tregtare ambulante N. Dejko më tha: "Sot i është prerë koka Artur Dajës. E kanë bërë ata të bandës". Në këto momente pashë pak më larg në rrugë pjesëtarë të grupit. Ishin Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe disa të tjerë. Kishin kokën e Artur Dajës në një qeskë plasmasi në dorë. I pashë nga rreth 50 metër larg", tha dëshmitari.
Taullau: Banda, gjobë vëllait 500 mijë euro, më pas e vranë
TIRANE - Sajmir Taullau, vëllai i Baki Taullait, i vrarë në vitin 2005, akuzoi dje Leonard Priftin, një nga të pandehurit në proces, si ekzekutor të vëllait të tij. Dëshmitari Taullai rrëfeu para gjykatës se edhe ai ishte ndjekur nga Prifti natën e ngjarje, por nuk ishte zënë. Taullai tregoi dje për gjobat në seri drejt familjes së tij nga anëtarët e 'bandës', nga viti 1997 e deri në vitin 2005, kur vëllait të tij i janë kërkuar 500 mijë euro.
RREFIMI
Në 1997 dola nga burgu dhe shkova në Itali. Të pandehurit i njoh vetëm si lushnjarë. Unë nuk kam pasur asnjë lloj marrëdhënieje me ta. Vëllai im ishte tregtar. Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Leonard Prifti i bënin presion në telefon. I thoshin sikur do të më vrisnin mua. Vëllai im ka paguar disa gjoba. Një rast, vëllai im Berti i ka çuar 10 milionë lekë Eduart Demirit. Vëllai pothuajse nuk na tregonte shumë mbi këto gjëra, pasi kishte merak mos futeshim në sherr. Gjoba më e madhe ishte në vitin 2005, kur ata të grupit i kërkuan vëllait 500 mijë euro. Vëllai ka takuar drejtorin e SHISH, Xhevdet Zeqo. Ai e dërgoi vëllain te shefi i Antiterrorit, në Fier. Shifrën e gjobës ia ka kërkuar në këmbim të letrave të një toke në Tiranë. Në vitin 2005 erdhi Ilir Stërgu. Më tha që donte të pinte një kafe për mua. Pranova. Iu përgjigja: ku të doni ju. Shkuam te varrezat e qytetit të Lushnjës. Atje më thanë që më kërkonte Enver Dondollaku. U ngjita deri tek varrezat. Prapa tyre, ishte një tunel i vjetër. Aty doli Leonard Prifti. Kishte një pistoletë në dorë. Më pyeti se ku ishte Bakiu. I thashë: Këtu është, merre në telefon po deshe. Më pas më liruan, por më prisnin që brenda 30 minutave të kthehesha atje bashkë me vëllanë. E mora Bakiun në telefon dhe i thashë të mos dilte. Më vonë Leonrd Prifti mori Bakiun në telefon ku i kërkoi shpjegime, se përse nuk kishte shkuar. Ata i kërkonin në telefon Bakiut letrat e tokës, ose në të kundërt 500 mijë euro. Vëllai i denoncoi edhe në Fier edhe në Tiranë. Kam dëgjuar një herë nga familja për një takim mes Bakiut dhe Grupit. I ka vajtur Arben Boriçi me Arjan Alicon dhe i kanë thënë: të kërkon Alfred Shkurti (Aldo Bare). Bakiu u ka thënë: Nuk e kam as shok, as nuk e njoh. Nga Italia unë u ktheva në 1999-2000. Në atë kohë kam çuar 6 milionë lekë dhe ia kam dorëzuar kunatit të Dondollakut, që është një maqedonas. Një herë tjetër I kam dhënë Eduart Demirit 5 milionë lekë. Vëllain tim Bakiun e ka vrarë Leonard Prifti me një djalë tjetër biond, natën e votimeve në vitin 2005. Ata më ndoqën edhe mua, por nuk më kapën dot". ar.ba