Intervenime shumë, zjarrfikës pak
Komuna e Ferizajt u ka vazhduar kontratat e punës 15 zjarrfikësve sezonal, duke pasur parasysh faktin që mungesa e zjarrfikësve është problem serioz në këtë regjion.
Drejtori komunal i Mbrojtjes Civile dhe Emergjencës, Ibrahim Hysenit vazhdimin e këtyre kontratave e ka cilësuar si nevojë shumë të madhe.
“Në bazë të banorëve që ka komuna e Ferizajt, gjithashtu edhe punëve që duhet t’i kryen brigada e zjarrfikësve, ne kemi ardhur në përfundim që të rritet numri i zjarrfikësve në kohë të caktuar”, është shprehur Hyseni.
Ai bëri të ditur se deri më tani në tani në brigadën e zjarrfikësve në Ferizaj punojnë vetëm 27 persona, ndërsa në këtë brigadë punohet në 4 ndërrimi, ku në secilin ndërrim të punës do të ishin nga 5 ose 6 punëtorë.
Hyseni thotë se ky është numër ky tejet i vogël, meqë dihet se regjioni i Ferizajt ka numër të madh të banorëve që kërkojnë shërbime të kësaj natyre.
Sipas tij, numri i zjarrfikësve duhet të rritet, mirëpo komuna nuk mund të bëjë rritjen e numrit të zjarrfikësve për arsyeje se ai është i kufizuar.
“Por ne këtë ndihmesë zjarrfikësve e kemi bërë me një marrëveshje afatshkurtë, të cilën ka të drejtë ta bëjë kryetari i komunës dhe pagesat e tyre të bëhen nga pozicioni mallra dhe shërbime”, ka spikatur Hyseni.
Marrëveshja për vazhdimin e kontratës për 15 punëtorët sezonal të Brigadës së zjarrfikësve u bë e ditur se do të hynë në fuqi duke filluar nga 11 janari i këtij viti deri më 11 maj të po këtij viti.
Komuna e Ferizajt po bënë përpjekje maksimale që gjatë këtij viti të bëjnë ndërtimin e një brigade tjetër të zjarrfikësve në një pjesë tjetër të qyteti ku do të ofrohen shërbime edhe më të mëdha për banorët e fshatrave, Greme, Gackë, Nerdoime dhe Jezerc, për arsye se në të shumtën rasteve zjarrfikësit vonohen në intervenime për shkak të hekurudhës e cila kalon përmes pjesës më vitale të qytetit të Ferizajt.