E Diel, 1 Nëntor 2026

Shënohet 90-vjetori i masakrës së Prapashticës dhe Keqekollës

Nga Express më 11 janar 2011 në ora 19:25

Më rastin e 90-vjetorit të masakrës së Prapashticës dhe Keqekollës të kryer nga forcat serbe, është promovuar limiti “Masakra në Prapashticë dhe Keqekollë”, i autorit Ramadan Ibrahimi dhe është mbajtur një sesion shkencor.

Sesioni shkencor u mbajt të martën në Institutin Albanologjik të Kosovës. Në maskuarën e Prapashticës dhe Keqekollës, ushtria e atëhershme serbe kishte masakruar me qindra shqiptarë civilë.

Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili ka lindur nga lokaliteti ku është kryer maskara, e konsideroi shumë të rëndësishëm këtë sesionin shkencor, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të tanishëm, në të cilin po kalon Kosovë.

“Ngjarja për të cilën është thirrur ky sesion, konsideroj që trajton në mënyrën më të mirë, dhe vërteton në mënyrën më të mirë, atë çfarë ka përjetuar populli jonë, në rrugën shekullore për liri dhe pavarësi. Është një ngjarje që pasqyron sjelljen makabre, jo njerëzore dhe politikat shfarosëse të regjimit serb, të cilat për fat të keq vazhduan pa ndërprerë, po ashtu pasqyron vitalitetin e popullit tonë, për të jetuar në këto pjesë dhe nuk përmbush intencat dhe qëllimet e shfarosjes së këtij populli nga regjimi serbë”, ka theksuar Mustafa.

Ndërkaq historjnai, Izber Hoti, para të pranishmëve ka përmendur disa nga pretendimet e atëhershme të mbretërisë Serbo-Kroate dhe Sllovene, ndaj viseve të pushtuara shqiptare.

“Përfundimi i konferencës së paqes në Paris, më 18 shkurt 1918, ndikoi drejtpërdrejt në ndërtimin e kursit politik e ushtarakë të mbretërisë Serbo-Kroate dhe Sllovene, ndaj viseve të pushtuara shqiptare, pasi fituan miratimin e fuqive të mëdha për pushtimin e viseve të shqiptarëve, më se 2/3 e tyre. Kjo mbretëri e mbizotëruar nga serbët, nisi fillimin e sundimit të tyre të kahershme, zgjerimin territorial, që nënkuptonte pushtimin e viseve shqiptare”, tha ai.

Me këtë rast u bë edhe prezantimi i librit me titull “Masakra në Prapashticë dhe Keqekollë”, i autorit Ramadan Ibrahimi, i cili për Kosovapress ka thënë se botimi i këtij libri është vazhdimësi e librit të tij të parë, dhe pasqyron më në detaje masakrën serbe të vitit 1921 në Prapashticë dhe Keqekollë.

“Unë isha i vetëdijshëm, ashtu siç janë përsëritur disa herë masakrat do të përsëriten shumë më vonë, kjo ndodhi më vonë në Prekaz, Likoshan, Makofcë, Krushe dhe gjithkund më vonë. Libri im fatkeqësisht u parapriu këtyre, nuk kisha dashtë t’u paraprinte, siç e kanë konstatuar edhe disa recezntë më vonë, ai u parapriu këtyre ngjarjeve. Tash pas luftës u krijuan rrethana të reja dhe unë isha i vetëdijshëm për mangësitë e librit dhe vendosa që mundësisht ta plotësojë me të dhëna të reja, dhe besoj që ky botim është shumë ma i plotë dhe në disa aspekte shumë më i veçantë se sa në librin e parë”, ka potencuar Ibrahimi. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›