E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekte për “Tre rrokaqiejt”

Nga Express më 11 janar 2011 në ora 20:00

Prej përfundimit të luftës për shkak të mungesës së lirisë për lëvizje nëpër urën kryesore të Ibrit, banorët e lagjes “Tre rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, shfrytëzojnë një urë të improvizuar rreth 200 metra larg urës kryesore.

Andaj, drejtuesit komunalë kanë realizuar dy projekte të infrastrukturës rrugore për të lehtësuar qarkullimin e tyre, projekti për shkallët skaj Ibrit që lidhin urën provizore me lagjen e tyre, murin mbrojtës, mandej shkallët skaj ndërtesave kolektive, si dhe rrugën nëpër parkun e qytetit.

Rasim Veseli, drejtor për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, tha se ka pasur kërkesa nga banorët e asaj lagjeje që të ndihmohen, meqë nuk kanë përkrahje nga administrata e UNMIK-ut në veri. Ndërkaq, Mehdi Bala, drejtor i Urbanizmit, sqaroi se projekti i rrugës, shkallëve afër saj dhe murit mbrojtës janë realizuar nga kompania “Tropik”, ndërsa projekti i shkallëve në afërsi të ndërtesave kolektive nga kompania “Fitimi”.

Sipas tij, vlera e këtyre investimeve është mbi 30 mijë euro, të cilat janë marrë përsipër nga komuna, me përjashtim të 8 mijë eurove që janë siguruar nga administrata e UNMIK-ut në veri, që ju kishin tepruar dhe s’kishin ditur ku t’i investojnë. Banorët shqiptarë që jetojnë në zonën e “Tre rrokaqiejve” janë shprehur të kënaqur me realizimin e këtyre projekteve nga Komuna e Mitrovicës dhe shumë të pakënaqur me punën e administratës së UNMIK-ut dhe me politikën e tyre sa i përket investimeve në infrastrukturë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›