E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista, Prifti: Si kryhej kontrabanda e naftës “virgin”

Deklarata Ish-ministri i Ekonomisë ka rrëfyer se të përlyera kanë qenë policia, doganat e tatimet

Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, akuzoi ashpër Policinë e Shtetit se është e përfshirë në kontrabandën e naftës. Në një intervistë për “Top Channel” disa javë më parë, Prifti u rrëfye pas shkarkimit si ministër.

Si e pritët shkarkimin?

Sigurisht që nuk më erdhi mirë. Mbi të gjitha, sepse ishte një veprim brenda familjes tepër imoral, ku nuk kishte guxim as për të diskutuar, as për të shkëmbyer mendime dhe as për të dëgjuar arsyet dhe sigurisht që nuk e kam pritur mirë. Nuk e kam pritur mirë vetëm për faktin se si u realizua, jo për mënyrën se kisha një karrige dhe tani nuk e kam më...

Zoti Prifti, rasti i zotit Belegu (këshilltarit tuaj tanimë të zhdukur) a është në radhën e momenteve që kanë shkaktuar përplasje mes jush dhe zotit Meta?

Nuk dua ta thjeshtoj kaq shumë këtë gjë, por rasti i arrestimit të zotit Belegu është një rast tipik presioni që është kryer mbi mua, nga segmente të caktuara të qeverisë shqiptare. Zoti Belegu është arrestuar në një mënyrë bombastike në zyrën e tij në ministri, për një çështje që kishte të bënte me një aktivitet të tij privat të vitit 2005. Pra një çështje të 4-5 viteve më parë, të cilën prokuroria kishte 2 vjet që e hetonte, siç kishte pastaj dhe 1 vit e gjysmë që e kishte mbyllur. Pra ishte një çështje për të cilën nuk thirrej më zoti Belegu dhe unë kam bindje të plotë se goditja e tij ishte një paralajmërim për mua nga segmente të caktuara të qeverisë dhe të shtetit për të thënë: qëndro në rresht dhe bëj çfarë të thonë. Ai është arrestuar absolutisht kot, është arrestuar padrejtësisht, pra për një çështje të vjetër, që ishte e hapur dhe prokuroria e kishte aty. Një çështje të cilën prokuroria me turp, pas 1 muaj e mbylli. Pra e deklaroj të pafajshëm për akuzën që e arrestoi.

Mendoni se në këto segmente përfshihen segmente të PD-së dhe LSI-së? Cila është bindja juaj?

Nga analiza ime kam evidentuar një person që ka qenë në brendësi të këtyre gjërave. Ky person quhet Agron Kuliqi, që ishte badiguard i Sali Berishës dhe tani është nëndrejtor i Policisë së Shtetit. Ky person, të cilin e kam evidentuar, ka qenë në historinë e Belegut jashtëzakonisht i përfshirë... Dhe jo vetëm kaq, por vazhdonte përpjekja e mafies për të vazhduar aktivitete kriminale dhe mafioze në Shqipëri. Unë në moment kam informuar edhe Kryeministrin, edhe ministrin e Financave, që në Shqipëri ka pasur një kontrabandë të jashtëzakonshme të naftës, ku unë kam dyshimet e mia të plota dhe kam vënë në dijeni dhe Kryeministrin e ministrin që në këtë lloj kontrabande ka qenë e përfshirë Policia e Shtetit, doganat dhe tatimet e Republikës së Shqipërisë. Karburantet merreshin nga ARMO, niseshin gjoja për t’u transportuar në Kosovë, Maqedoni dhe bëheshin dokumente eksporti false dhe ajo shitej në Shqipëri. I kam thënë Kryeministrit dhe ministrit të Financave. Kryeministri u ka dhënë porosi në sytë e mi ministrit që të bëhet menjëherë një hetim për të, të bëhen verifikime. Unë sot e kësaj dite nuk kam ndonjë informacion se çfarë përfundimi ka pasur ai hetim, por presionet kanë qenë të vazhdueshme.

A keni pasur bisedime për korrupsionin në ministrinë tuaj?

I kam dhënë zotit Berisha kopjen e kontrollit që i është bërë ministrisë nga auditi i brendshëm për tremujorin e fundit të vitit 2009. Kemi folur shumë me të në një marrëdhënie. Ai nuk komunikon me letra me ministrat, por pothuajse çdo ditë thërret në zyrë dhe trajton një çështje. Me zotin Berisha kur të vijë koha të shkruaj kujtimet e mia (kam diçka të mirë që mbaj ditar) them se kemi pasur marrëdhënie të lavdërueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›