E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista e Presidentit Topi për emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare në Televizonin “Ora News”

23 dhjetor 2011

Gazetarja: Të nderuar zonja dhe zotërinj, mirëmbrëma! I ftuari ynë në studio nuk është më sekret, është në ambientet e Televizionit Ora News prej mëse 40 minutash, Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Zoti President, mirë se erdhët në “Tonight”!

Presidenti Topi: Mirë se ju gjeta!

Gazetarja: Pas asaj që dëgjova dje në Presidencë në fjalimin e mbajtur me gazetarët, shumëkush mbeti me gojë hapur. Besoj dhe shpresoj që gjasat në këtë intervistë sot është që të na lini pa frymë!

Presidenti Topi: Jo, nuk besoj. Së paku deri më sot nuk kam lënë njeri pa frymë.

Gazetarja: Megjithatë unë shpresoj që ju të na premtoni që të jeni të sinqertë!

Presidenti Topi: Besoj që do të vijoj të jem i sinqertë në të gjithë komunikimin me median, sepse dëshiroj që të jem i sinqertë edhe me publikun!

Gazetarja: Sigurisht. Nëse më lejoni, do e nisja me një kuriozitet që, edhe pse kemi vite bashkë që komunikojmë në media të ndryshme dhe herën e fundit ju kam intervistuar si Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, nuk kam pasur mundësinë t’ju pyes. Pas një karriere të suksesshme, të admirueshme akademike, ç’ju shtyu të hyni në politikë?

Presidenti Topi: Ka qenë jo një rastësi, por rrethanat erdhën të tilla që, pas përfundimit të një karriere akademike, e cila për hir të së vërtetës, për atë që merret me kërkim nuk përfundon asnjë herë, por nga pikëpamja formale, pas marrjes së atyre titujve që për shumëkush janë të dëshiruara, vendosa të rikthehem aty ku e nisa, me angazhimin politik, ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejtë në fillim të demokracisë, por një angazhim me pasjen mundësi për të konkuruar si deputet i Partisë Demokratike. Dhe, mbas asaj fitoreje në një zonë tepër të vështirë, në një zonë që ndoshta edhe sot e kësaj dite mund të konsiderohet unikale në konceptimin e zonave elektorale, ku zona ime elektorale kufizohej me 6 rrethe të Shqipërisë, bëhet fjalë për ish-zonën 40, në Malësinë e Tiranës, arrita të fitoj dhe pastaj pata një ofertë për të qenë anëtar i qeverisë “Meksi 2”.

Gazetarja: Vetëm se, para se të shkoni këtu, a mendoni se viti 1996 ishte viti më i mirë, momenti më i mirë për të hyrë në politikë? Dhe, si e shpjegoni që një pjesë e politikanëve, që u futën në atë kohë si ju, zoti Bode, zonja Topalli, u kthyen në një kohë të dytë në lidershipin e Partisë Demokratike, duke lënë prapa dhe emrat e atyre që ishin dhe themeluesit e Partisë Demokratike?

Presidenti Topi: Unë besoj që viti 1996, mënyra se si u konceptua dhe u organizua trupa parlamentare mund të them që ka qenë një trupë parlamentare shumë cilësore dhe i kujtoj me shumë respekt mjaft parlamentarë që vinin nga fusha të ndryshme, nga profesione të ndryshme, por mjaft cilësorë do të thoja. Ishte koha kur Partia Demokratike mendonte të afronte njerëz profesionistë, njerëz të cilët do të bënin të mundur atë kombinimin e trupës politike me njerëz që vinin nga fusha të ndryshme, për t’i dhënë një fizionomi më të plotë grupit parlamentar. Dhe, me atë që unë kujtoj dhe besoj që në historinë e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike, njerëzit që kanë qenë në Parlamentin e vitit 1996 kanë qenë më cilësorët.

Gazetarja: Ndoshta prandaj edhe morën lidershipin e PD-së në atë kohë?

Presidenti Topi: Më pas unë mendoj që qe një kujdes që në vitet e vështira, që erdhën pas vitit 1996, të gjithë kujtojmë vitin e vështirë të 97-ës, por edhe të 98-ës, ishte një grup njerëzish, të cilët nuk iu ndanë për asnjë moment Partisë Demokratike, në një moment tepër të vështirë. Pra, unë mendoj që ata njerëz, që i qëndruan pranë Partisë Demokratike në atë kohë, ishin njerëz që nuk kanë lidhje me interesa politike të çastit, por me një nevojë për të qenë luajalë me një forcë politike, e cila i kishte besuar. Unë do të vlerësoja mjaft nga kolegët e mi, që u përballën me një luftë të pabarabartë politike dhe me shumë punë, me shumë vetëmohim do të thoja, duke lënë pas dore në shumë raste dhe detyrimet familjare, arritën të konfigurojnë një trupë politike shumë cilësore dhe bënë punën që në vitin 2005 të rikthehen në pushtet.

Gazetarja: Mund të na veçoni ndonjë nga këto emra që vlerësoni?

Presidenti Topi: Shiko, unë kam vlerësim për kolegët e mi, pavarësisht se si vijnë rrjedhat e politikës, se si vijnë konjukturat politike. Unë asnjëherë nuk bëj pirueta në politikë. Kur kam vlerësim, kam vlerësim. Padyshim që, i takon gjithsecilit që t’i bëjë një “check up” vetes së tij për mënyrën e komunikimit, për metamorfozën, për nevojën për të qenë vetvetja, por, tek e fundit, unë kam konsideratat e mia politike për kolegët me të cilët kam bashkëpunuar.

Gazetarja: Dhe meqë erdhëm tek 2005. Si një ndër politikanët më të kuotuar në atë kohë, si duruat dhe nuk hytë në qeveri, por qëndruat në grupin tuaj parlamentar, u bëtë jashtë ekzekutivit kryetar i këtij grupi? Ju vinit padyshim me një fitore të Partisë Demokratike në 2005, ku ju kishit një kontribut jo vetëm të madh, por ishit një ndër deputetët më të votuar?

Presidenti Topi: Kjo me sa duket në distancë kohore provon atë që qëllimi i futjes në dhe i pjesëmarrjes në politikë nuk është një karrige ministri. Për hir të së vërtetës, unë po e rikonfirmoj, por ju e dini, që ka pasur disa oferta në atë kohë për të qenë pjesë e kabinetit. Unë nuk mund them që nuk kam respektuar ofertën, por kam preferuar të jem në drejtimin e grupit parlamentar edhe në mazhorancë. Këto nuk janë eksperienca që ndodhin zakonisht, sepse duke ardhur nga një pozicion i rëndësishëm si kryetari i grupit parlamentar të opozitës, sidomos një opozite të vështirë, patjetër që kur vjen në pushtet, shoqërohet me një post. Gjithsesi, unë mendova dhe besoj që nuk kam gabuar që qenia në postin e kryetarit të grupit parlamentar në mazhorancë, ishte një post shumë i rëndësishëm politik. Të jepte mundësinë që të ushtrojë dhe të plotësoje pikërisht ato ëndrra që njeriu ka pas një beteje politike, kur vjen në mazhorancë për të orientuar grupin drejt betejave parlamentare, por edhe drejt mundësive për të realizuar ligje në funksion të demokracisë dhe të shtetit. Dhe, besoj që kam kujtimet më të mira në këtë pozicion gati unikal si kryetari i grupit në opozitë dhe në mazhorancë.

Gazetarja: Por, ndërkohë, si i rezistuat dëshirës për të qenë në qeveri? Ju desh të refuzonit disa propozime, siç thatë pak më parë, por ndërkohë e kishit në kokë diçka, kishin ndonjë plan, e kishit Presidentin në 2007?

Presidenti Topi: Jo, absolutisht! Unë asnjëherë nuk kam kërkuar gjë për veten time. Për të ardhur pastaj tek oferta ime për Presidentin, kjo ka qenë pjesë e një kërkese që më është bërë. Asaj kërkese në momentin që i kam thënë po, pasi që nuk ka qenë një përgjigje që në momentet e para, sepse njeriu për vendimmarrje të rëndësishme patjetër që duhet të bëjë një analizë, duhet të konsultohet me vetveten në radhë të parë, por duhet të konsultohet dhe me rrethin e ngushtë, i cili fillon nga familja, dhe, në momentin që ti pranon një ofertë, patjetër që duhet të bësh të mundur që të jesh në kohezion me atë çfarë të është kërkuar, por edhe me vendimmarrjen personale. Pra, unë e bëj ndoshta publike për herë të parë që ka qenë vetëm një ofertë dhe absolutisht, asnjëherë një kërkesë politike.

Gazetarja: Nga kush?

Presidenti Topi: Por, kuptohet që unë kam qenë pjesë e Partisë Demokratike në atë kohë dhe oferta mund të vinte vetëm nga Kryetari i Partisë Demokratike në atë kohë, nga Kryeministri.

Gazetarja: Sa kohë u desh të mendoheshit?

Presidenti Topi: Natyrisht që, koha minimalisht e nevojshme, e cila sot nuk mund të matet me orë, apo me ditë, por ju siguroj që për një vendimmarrje të tillë patjetër që kërkohen ditë.

Gazetarja: Ishte një votim i vështirë në atë kohë. Arritët në raundin e katërt, kishte kandidatura të tjera. Le ta rifreskojmë pak kujtesën tuajën, timen dhe të gjithë teleshikuesve, që po na ndjekin në këto momente, me pamje filmike të momentit të zgjedhjes së Presidentit në 20 korrik të vitit 2007. Ta ndjekim.

Presidenti Topi: Me kënaqësi.

Insert:

Gazetarja: Është sërish e premte dhe nuk e di nëse është e bardhë për ju?

Presidenti Topi: Gjithmonë të premtet i kam llogaritur si ditë të bardha, pavarësisht se në konotacionin religjioz, ndonjëherë e premtja është e zezë, por është shumë rrallë, ndoshta vetëm një herë në vit. Por, unë të gjitha ditët i kam të bardha.

Gazetarja: Mbetemi këtu, meqë folëm për momentin e zgjedhjes. Siç na e rifreskoi dhe kolegia, media pati reagimin e opozitës, dorëheqjen e kryetarit të grupit parlamentar të opozitës, reagimin e Ramës. Kam shkëputur vetëm një thënie që “është një akt i pastër politik i korrupsionit politik dhe financiar”. Kështu e ka quajtur zoti Rama në atë kohë dhe, në fakt, u përfol shumë për trafik votash, për blerje votash. U fol për një aleancë Nano-Berisha, për t’i dhënë votat e nevojshme për të kaluar raundin e nevojshëm. Në fakt, cili është varianti juaj për atë votim zoti Topi?

Presidenti Topi: Unë mendoj që, sikurse ndodh në situata të ngjashme të politikës, ka edhe dalje nga rreshti, sikurse ishte angazhimi i disa deputetëve të Partisë Socialistë për të dhënë votën pro Presidentit të ardhshëm. Unë vazhdimisht e kam vlerësuar këtë akt, sepse nuk është bërë si një veprim, si një aksion për të votuar Bamir Topin, por për të votuar një President, i cili do të jepte mundësinë që të mos krijohej një krizë politike me moszgjedhjen e një Presidenti për të ushtruar detyrën e tij në krye të shtetit. Secili në politikë pastaj bën llogaritë e veta, por ju siguroj që unë kam qenë vetë një aktor në politikën parlamentare, i kam konsumuar ato seanca në mënyrë shumë korrekte dhe ju siguroj që, ajo që unë di ka qenë pjesë e një procesi korrekt. Pastaj debatet, apo insinuatat në politikë janë të pranishme, sikurse janë atëherë janë edhe sot, pra, do të jenë gjithnjë në politikë. Por, ajo që unë kam konstatuar në këtë proces, ky proces ka qenë i rregullt dhe, patjetër që, deviacioni i deputetëve të asaj kohe në opozitë, bëri që ata të dënohen politiksht dhe të mos jenë më pjesë e trupës parlamentare të Partisë Socialiste.

Gazetarja: Pra, këtë dalje nga rreshti, siç e cilësuat ju, këta deputetë nuk e bënë nga ndonjë presion financiar, nga ndonjë dhuratë financiare, nga ndonjë blerje e votës, së paku në dijenin tuaj?

Presidenti Topi: Së paku në dijeninë time, jo.

Gazetarja: Megjithatë, në fazën kur ju u zgjodhët, entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm si nga zoti Berisha, ashtu edhe nga Kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli dhe e shprehën hapur afeksionin për zgjedhjen tuaj. Po pika e thyerjes ku ishte, çfarë ngjau?

Presidenti Topi: Unë e kam thënë dhe herë tjetër që vazhdimisht kam pasur një komunikim institucional dhe asnjëherë nuk kam menduar që të gjej se ku është pika e thyerjes. Por, me sa duket, momenti i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, me sa duket ai është momenti kur filloi një ftohje, e cila natyrisht erdhi, sepse faktorët politikë shqiptarë, qoftë përfaqësuesit e mazhorancës, por edhe të opozitës, iu futën një ndryshimi brusk në Kushtetutë, pa u konsultuar në asnjë moment me Kryetarin e Shtetit. Sigurisht që ka qenë dhe është e drejta e trupave parlamentare që të bëjnë ndryshime pa marrë në konsideratë mundësitë e referendumit, por unë besoj që nuk ishte momenti i një reagimi personal, por një detyrim që vinte nga pozicioni im kushtetues për të qenë përfaqësues dhe interpret i vullnetit të njerëzve. Pra, një ndryshim i rëndësishëm i Kushtetutës, pa u bërë publik, pa patur mundësinë për të ushtruar një debat dhe për të parë vullnete të ndryshme, erdhi dhe u realizua brenda një nate. Besoj që ky është momenti, sepse ndryshimet kushtetuese sollën edhe një atakim të drejtpërdrejtë të kompetencave të Presidentit, aq sa edhe për një moment u diskutua mundësia e kundërfirmosjes së dekreteve të Presidentit. Pra, e gjitha kjo klimë, klima e ndryshimeve të rëndësishme pa u konsultuar, patjetër që sjell një lloj reagimi, një lloj ftohjeje. Unë në atë periudhë kam reaguar publikisht, por nga ana tjetër, duke qenë shumë i përgjegjshëm për pozicionin që kam mbajtur dhe, duke parë që numri i parlamentarëve ishte i tillë që i kalonte përmasat e 3/5 të Parlamentit, më vendosi në një pozicion detyrues, por me vullnet, për ta nënshkruar menjëherë dekretin që konfirmonte ndryshimet kushtetuese.

Gazetarja: Do të flasim sërish për këtë, por dua t’i rikthehemi sërish Partisë Demokratike. Ju vjen keq që partia juaj për të cilën keni kontribuar aq shumë, ju ka sulmuar dhe ju ka përbaltur kohët e fundit?

Presidenti Topi: Po, natyrisht që ka keqardhje. Ka keqardhje, por secili është para një ekzibicioni publik, po përdor këtë term, sepse secili shfaqet para publikut dhe në debate kaq të rëndësishme, që unë kurrsesi nuk do i konsideroja personale, aktorët e rëndësishëm politikë, së paku, duhet të kenë mësuar nga demokracitë perëndimore që, përveç një marrëdhënieje të domosdoshme institucionale, vendi ynë që ka 20 vjet nga momenti i daljes prej izolimit të thellë komunist, ka nevojë që të rregullojë komunikimin, etikën e komunikimit, sepse, tek e fundit, politika është e ashpër, por kjo nuk do të thotë që mos të bëhet pa qytetari. Pra, në rast se ka argument për diçka, njeriu mund ta argumentojë, të debatojë dhe është më i absorbueshëm për publikun. Ka një mijë mënyra për të gjetur shprehjen për të lavdëruar, apo një mijë mënyra për të sharë. Problemi është secili para një mjedisi publik demonstron formimin dhe edukacionin dhe tek e fundit të gjithë jemi para publikut dhe vlerësohemi nga publiku.

Gazetarja: Nuk ju pashë tek festimet e 21-vjetorit të Partisë Demokratike. Kishit ftesë?

Presidenti Topi: Natyrisht që kam pasur. Por, me sa mbaj mend, unë atë ditë jam kthyer nga një udhëtim relativisht i gjatë. Kam qenë në Doha, në Katar për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për civilizimet.

Gazetarja: Ishte pamundësi fizike, apo shpirtërore për të marrë pjesë në festë?

Presidenti Topi: Ju siguroj që deri tani fizikisht, fatmirësisht ndihem mirë, por mendoj që rrethanat ishin të tilla që e ndoqa nga televizioni dhe ndoshta pikërisht nëpërmjet Ora News-it.

Gazetarja: Zoti President, më lejoni të ndaj një konstatim personal dhe pastaj një pyetje për ju! Në këtë vend gjërat ndryshojnë shpejt, aq shpejt sa ndonjëherë nuk e kupton as kohën, as ritmin dhe sidomos pozicionin se si ato ndryshojnë. Në 20 korrik 2007 ju pashë se si përqafoheshit me zotin Berisha dhe sot tashmë jeni pothuajse hapur kundërshtarë të njëri-tjetrit. Në 21 korrik 2007 zoti Rama ju sulmoi po aq hapur duke ju quajtur të paligjshëm dhe me vota të trafikuara dhe sot jeni pothuajse në të njëjtën anë me të, të paktën që jeni në opozitë me qeverisjen. Kush ka ndryshuar?

Presidenti Topi: Atëherë, në vijim të kësaj pyetje më lejoni t’ju referoj një ngjarje shumë të bukur që lidhet me Volterin. Në mjedisin parisien të asaj periudhe, ku Volteri ishte një ndër zërat më elokuentë të kritikës, i ftuar në ekspozitën e një piktori, i cili vazhdimisht kishte pasur marrëdhënie të vështira me Volterin, i çuditur nga ftesa ai gjithsesi e pranoi atë për të qenë pjesë e atij mjedisi. Me mendimin që mund të rregullonte urat e komunikimit, filloi të vlerësojë veprat e atij piktori, ndonëse nuk e bënte me shpirt. Dhe, me sa duket pas një momenti ra në kurth, sepse në momentin ku ky mbylli fjalën e tij, piktori i thotë: “më vjen keq Volter se unë kam një mendim krejt tjetër për ju!” dhe filloi ta shajë e ta kritikojë dhe të gjithë ishin shumë kuriozë se si do të ishte reagimi i Volterit. Volteri e mori fjalën dhe i tha: “zotëri, për sa dëgjuat, edhe unë, edhe piktori ishim të dy të gabuar për njëri-tjetrin”. E thashë këtë për të treguar që, asnjëherë unë nuk kam ndryshuar në pozicionimin tim, por u takon të tjerëve të thonë se përse kanë ndryshuar. Me sa duket, ju e thatë drejtë që, në një politikë tranzicioni, në një politikë ku arsyeja ndonjëherë, apo shpeshherë dominohet nga loja politike, apo nga mllefe, dhe, nuk dua të komentoj askënd, nëse në një moment të caktuar ka demonstruar diletantizëm në politikë. Unë do të thoja që politika vërtet është dinamike, është e vështirë, por duhet të ketë koherencë. Politika vërtet është e nxehtë, por arsyeja duhet të jetë e ftohtë. Dhe, sa më e ftohtë të jetë arsyeja, aq më tepër argument dhe kur ka argument, aq më i suksesshëm je në politikë. U takon të gjithë aktorëve që të japin përgjigje, përgjigje të cilën unë asnjëherë nuk e kam kërkuar nga të tjerët. Kam bërë vrojtimet e mia, analizat e mia dhe i kam mbajtur për vete.

Gazetarja: Nëse unë e kuptova mirë, që ta kuptojnë edhe teleshikuesit. Nuk keni ndryshuar ju, keni mbetur po i njëjti, po kanë ndryshuar Rama dhe Berisha?

Presidenti Topi: U takon atyre të thonë. Natyrisht secili flet për botën e tij shpirtërore dhe flet për pozicionin e tij. Nuk e kam bërë ndonjëherë atë gabim dhe në rast se ju në memorien tuaj, qoftë në atë mentale dhe televizive të keni regjistruar qoftë edhe një rast të vetëm kur unë kam fyer kundërshtarët, këtë mund ta demonstroni sot. Gjithmonë ka pasur shumë vlerë për mua argumenti, trajtimi, analizimi i një argumenti deri në detaj për ta bërë prezent tek publiku. Në fund fare, debatet politike nuk janë për aktorët. Aktorët janë para publikut dhe unë këtë e theksoj, sepse, sado që ne mendojmë se publiku nuk është në gjendje të bëjë analiza, ju siguroj që brenda 20 viteve ka një metamorfozë në sensin pozitiv të ndjesive dhe të perceptimit të publikut për politikanët.

Gazetarja: Dua të ndalem pak dhe të hyj në presidencën tuaj. Minutat po ecin dhe kam shumë pyetje në fakt dhe shpresoj që të mos lodheni duke u përgjigjur. Përveç ndryshimeve kushtetuese në 2008, që u përmendën shkurtimisht, një tjetër moment që ka shenjuar presidencën tuaj kanë qenë dy palë zgjedhje elektorale të kontestuara, me probleme. Zoti President, a ndiheni përgjegjës që mund të kishit bërë më shumë për të eliminuar këto parregullsi dhe këto kontestime që çuan partitë politike, duke pasur parasysh që edhe sistemi i drejtësisë, në krye të së cilit dhe ju jeni, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për të dënuar, për të ndëshkuar përgjegjësit e prishjes së procesit elektoral?

Presidenti Topi: Mund t’ju them me gojën plot jo, asnjë lloj përgjegjësie. Përgjegjësinë duhet ta kenë dy aktorët kryesorë politikë, të cilët brenda një nate ndryshuan elementet substanciale të Kushtetutës dhe, në vijim të asaj bisede që bëmë në fillim të këtij takimi, mund t’ju them që një nga elementët që ndryshoi në vitin 2008 ishte dhe kompozicioni i KQZ-së. Para se të bëhej ky ndryshim, Presidenti kishte një përfaqësues në KQZ dhe dy të tjerë ishin gati-gati një kompetencë e Presidentit si Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa nga katër anëtarët që mbeteshin tek KQZ-ja, ndaheshin mes partive politike. Ndërsa, aktorët kryesorë të politikës me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ia hoqën të drejtën Presidentit për të patur një përfaqësues. Dhe padyshim, kur e bënë vetë, nuk kanë pse ta kërkojnë tek të tjerët. Unë gjithmonë kam pasur bindjen që, me ndryshime të tilla ku mungon një garant institucional për të qenë një pikë tjetër referimi, për të mos i vënë termin supervisor, por për të qenë një garant institucional, unë besoj që gjërat do të shkonin në këtë mënyrë. Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar se si mund të ketë ekuivalencë në një komision që ka një numër tek. Dini ju që termi ekuivalencë në vendimmarrje të jetë me numër tek? Jo. Ekuivalenca është në mënyrë të barabartë. Por, meqenëse vendimmarrja nuk mund të bëhet në një komision që të ketë numër çift, patjetër është numër tek, patjetër që përfaqësuesi që përbën numrin tek në komision, duhet të jetë një përfaqësues që shkon përtej vullneteve politike respektive. Ky ka qenë gabimin dhe kur ndodh gabimi natyrisht që dikush e paguan, por e keqja më e madhe është që këtë pasojë e ka vuajtur politika, institucionet dhe njerëzit. Ju e dini që nga zgjedhje të kontestuar nuk krijohet një klimë komunikimi dhe bashkëpunimi dhe kur nuk ka një klimë komunikimi dhe bashkëpunimi ka ligje të pa miratuara, ka institucione që mbesin për një kohë të gjatë pezull dhe të gjitha problemet që shoqërojnë debatin dhe ashpërsinë e debatit politik.

Gazetarja: Drejtësia mund të bënte diçka më shumë për të vënë në vend?

Presidenti Topi: Ju besoj e keni fjalën tek Kolegji Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor është një organizëm i ndërtuar me ligj, ku partitë politike vijnë dhe eliminojnë reciprokisht emra që ata nuk i pëlqejnë, nuk i parapëlqejnë. Dhe, në momentin kur ndërtohet Kolegji Zgjedhor, unë besoj që, njerëz që vijnë nga bota e gjyqësorit, juristë dhe nga shkalla e Apelit, duhet të kenë patjetër respektin që të vlerësojnë punën dhe të mos kontestojnë, sikurse ka qenë rasti i kontestimit të mjaft veprimeve që vijnë në Gjyqësor. Natyrshëm, nuk mund të them që peformanca e Gjyqësorit është ekselente, por duhet që klima e besimit tek institucionet të ekzistojë.

Gazetarja: Do të flasim për drejtësinë pak më vonë. Meqenëse jemi në minutat e fundit para se të shkojmë në bllokun e parë publicitar, zoti President, më në fund, pas atyre dy viteve ngërç, partitë politike duket se i kanë hyrë rrugës së dialogut. Nga 12 prioritete sot kemi 11, pasi Avokati i Popullit u miratua dhe pashë që ju sot e takuat, është ngritur dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore. A keni ju një rekomandim, apo sugjerime se çfarë sistemi elektoral është më i mirë për Shqipërinë, në këto kushte ku ne jemi? Cili do të ishte më funksionali, pasi ju vetë keni provuar dhe mazhoritarin dhe jeni zgjedhur në të?

Presidenti Topi: Unë natyrisht që kam njohuri relativisht të thella për sistemet zgjedhore. Kur kam qenë pjesë e politikës, kam qenë edhe pjesë e interlokucionit me opozitën, apo, kur kemi qenë në opozitë me mazhorancën, gjithmonë nën kujdesin e OSBE-së, por në këtë pozicion, natyrisht që, nuk më lejohet të jap opinione. S’më lejohet si pozicion, por edhe personalisht nuk dua të shprehem, sepse nuk dua të jem pikë e referimit, qoftë për të aprovuar dikush, qoftë për ta kontestuar. Pra, u takon partive parlamentare, i takon atij Komisioni që është ngritur. Është shumë e rëndësishme që është ngritur, por është më e rëndësishme që, arsyeja për të cilën është ngritur, të realizohet në kohë, sepse nuk mjafton modifikimi i ligjit, apo i Kodit Zgjedhor, por duhet edhe ndërtimi në kohë i infrastrukturës. Asnjëherë ligji për zgjedhjet nuk ka qenë i keq, por është se si është implementuar, pra, është tek infrastruktura, tek besueshmëria dhe tek moscënimi i zgjedhjeve.

Gazetarja: Ju e thatë në analizën tuaj që ata gabuan vetë dhe përgjegjësitë t’i mbajnë vetë. Nëse bëjnë sërish të njëjtën gjë, të gabojnë, duhet t’i lini sërish?

Presidenti Topi: Natyrisht, nëse lidhet me kompetencat e mia për të mbajtur qëndrim, të jeni të sigurt që unë do të mbaj qëndrim. Por, nëse këto janë kompetenca ekskluzive të partive parlamentare, atëherë u takon atyre, sepse unë mund them që KQZ-ja monitorohet qoftë nga OSBE-ja, qoftë nga Komisioni i Venecias. Vjen formalisht për t’u dekretuar në Presidencë. Pra, këtu nuk ka momente për të parë mospërputhshmëri me Kushtetutën, sepse ajo shihet në mënyrë shumë të kujdesshme dhe nga Komisioni i Venecias. Këtu është çështje thjesht e shprehjes së vullneteve politike respektive. Unë besoj që do të jenë aq të kujdesshëm që, pas kaq problemesh që janë evidentuar me realizimin e zgjedhjeve në Shqipëri, të jenë të kujdesshëm për ta parë me seriozitet këtë proces.

Gazetarja: Natyrisht që e urojmë të gjithë. Pas publicitetit do të kthehemi. Kam intervistuar tre miq tuaj, të mi dhe ndoshta të të gjithë shqiptarëve, tre ambasadorë: të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe të OSBE-së. Pas reklamave kthehemi.

Gazetarja: Jemi rikthyer në pjesën e dytë me bisedën me Presidentin e Republikës, zotin Topi. Zoti President, pse ka munguar një bashkëpunim i plotë midis tre shtyllave të shtetit: Ekzekutivit, Presidencës dhe Parlamentit për çështje të rëndësishme në vend?

Presidenti Topi: Sigurisht që ju duhet t’i ktheheni të gjithë klimës së komunikimit, besoj klimës së deklaratave dhe nuk është një përgjigje që mund të jepet në mënyrë të shpejtë dhe të thatë. Ju keni qenë vetë pjesë e komunikimeve me opinionistë, vetë jeni gazetare dhe jeni absolutisht e aftë të bëni një analizë të situatës politike në Shqipëri dhe të gjitha atyre ngjarjeve që kanë ardhur si pasojë e mungesës së komunikimit. Pra, aty ku ka një debat politik të fortë shpesh herë të ashpër, mungesë komunikimi patjetër që krijon probleme për institucionet, por besoj që një pjesë e këtij momenti që lidhet me mungesën e komunikimit, lidhet edhe me paragjykimin. Gjithësesi unë gjithmonë kam qenë në atë pozicion që pavarësisht nga emocionet e komunikimit, institucioni duhet të funksionojë. Marrëdhëniet përgjithësisht kanë qenë institucionale, sepse duhet kuptuar qartë që kur vjen nga një parti politike dhe shkon në zyrën e Kreut të Shtetit, ndryshon jo vetëm pozicioni, por ndryshon edhe filozofia e ushtrimit të kopetencave dhe e detyrimit për të qenë i ekuilibruar, neutral dhe për t’u shërbyer të gjithëve. Kjo nuk kuptohet gjithmonë nga aktorët e politikës të cilët në memorje mund të të kenë si pjesën e trupës politike. Gjërat duhen ndarë dhe unë besoj se kam qenë në gjendje për t’i ndarë gjërat. Kjo ka qenë arsyeja që më është dashur të ushtrojë me shumë rigorozitet detyrën e Presidentit edhe atëherë kur vendimmarrja politike ka qenë ndryshe nga vendimmarrja ime.

Gazetarja: Dhe mendoni që kjo e ka sjellë moskomunikimin, mungesën e besimit?

Presidenti Topi: Shikoni, mjafton ndoshta një çast për të krijuar një “handicap” dhe pastaj situatat kanë qenë mjaft dinamike, ka shoqëruar një proces që lidhet me shumë momente të rëndësishme.

Gazetarja: Sigurisht, por çasti mund të shkaktojë probleme komunikimi si individëve, por jo mes institucionesh?

Presidenti Topi: Sigurisht, unë atë thashë që pavarësisht nga emocionet individuale, institucionet duhet të funksionojnë në fizionominë e tyre të plotë. Unë jam munduar që ta ruaj fizionominë e institucionit dhe padyshim detyra e Presidentit të Republikës, sikurse është detyra e gjithsekujt që ushtron detyrën në një institucion të caktuar që duhet të ketë respekt për shtetin, institucionet e pavarura për të forcuar pavarësinë e këtyre intitucioneve, por edhe kontrollin e tyre.

Gazetarja: U bë hera e dytë zoti President që ju jeni në rregull, keni qenë gjithmonë ai që s’ka ndryshuar, të gjithë të tjerët kanë gabuar, ju jeni i pagabueshmi?

Presidenti Topi: Pse ju mendoni që nëse unë kisha diçka gabim nuk do e thoja që e kam gabim! Në rast se emocionet politike fillojnë dhe dominojnë arsyen sikurse unë thashë, jua thashë momentin, iu referova në kohë një momenti shumë të rëndësishëm që ky nuk është moment sipërfaqësor. Në rast se dikush nga grupi parlamentar, tek i cili ti ke bërë pjesë, aq më shumë e ke drejtuar, vjen edhe hedh ide për ndryshimin e kompetencave të Presidentit i inspiruar natyrisht nga vendimmarrje politike jo të hapura, por nëpër zyra, kur dëshiron ta ndryshosh pozicionin e Presidentit, ta bësh edhe inferior karshi vendimeve politike, patjetër ky është momenti. Përderisa ne e trajtuam këtë moment, atëherë nuk ka më mëdyshje, sepse pastaj komunikimi, qoftë në sensin e përkeqësimit të gjërave apo të acarimit të gjërave, vjen duke marrë atë natyrën progresive. Diku ka një mungesë besimi, diku rrëzohen kandidatura që normalisht plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe janë emocionet politike apo paragjykimet politike, padyshim që këto influencojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve, pastaj kur të keni të tjerë në studio do të merrni vesh versionin e tyre. Sot ju po merrni versionin tim.

Gazetarja: Sigurisht, ju i dini emrat këtyre dikujt, dikujtve të Grupit Parlamentar të PD-së?

Presidenti Topi: Nuk është problemi për anëtarët e thjeshtë të Grupit …

Gazetarja: Ata që iniciojnë, meqë i përmendët si iniciativa?

Presidenti Topi: Do ta mbajmë bisedën besoj në nivelin e duhur. Janë disa pyetje që nga gazetarët vijnë në mënyrë retorike, por gjërat janë të qarta. Vendimmarrjet politike, aq më shumë pas ndryshimeve kushtetuese, kanë ardhur gjithmonë duke u koncentruar në vendimmarrje ndoshta, ndoshta individuale, sepse kryetarët e partive, meqenëse doni një komunikim edhe më të drejtpërdrejtë, meqenëse kam qenë gjithmonë i këtij parimi dhe ju dhashë fjalën edhe publikisht pak më parë se do të jem fare fare i drejpërdrejtë, ndryshimet kushtetuese ndryshuan në mënyrë të dukshme dhe mënyrën e sjelljes nëpër partitë politike. Ju keni parë që ligji mazhoritar të bënte që të ishe shumë i kujdesshëm me individë përfaqësues me reputacion që do të merrnin vota drejtpërdrejtë, ndërsa ligji propocional patjetër që ka një rritje të autoritetit të kryetarit të partisë, pa e saktësuar se kush është kryetari i partisë, duke folur në parime të fuksionimit të demokracisë në parti dhe keni parë lista që mund të jenë preferenca të kryetarëve. Natyrisht secili dëshiron që të ketë sukses në një fushatë elektoralë, në një betejë elektorale, por kjo ka rritur frymën e autoritarizmit në parti, ka rritur një lloj fryme të inferioritetit të elementëve të thjeshtë në parti. Deputetët sigurisht që nuk janë më me atë zërin e fortë që kanë pasur dikur, nuk janë. Ju e shikoni që në momentin që një deputet mund të dalë, të devijojë nga fryma e grupit, atëherë ai rrezikohet të përjashtohet.

Gazetarja: E keni për zotin Islami?

Presidenti Topi: Unë thashë që e kam në parim, mund të gjeni raste kudo, në çdo parti mund të keni raste. Pra në rast se unë flas në parim, flas mbi bazën e asaj që ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në mjedisin politik shqiptar.

Gazetarja: Zoti Topi, personazhet e njohur në Tiranë pretendojnë se ekzaktësisht një vit më pare, kanë ndërmjetësuar midis jush dhe zotit Berisha që ju, madje dhe në ditët e para të janarit përpara ngjarjeve të 21 janarit, për një marrëveshje mes jush që të ishit në listën e Partisë Demokratike për deputet në vitin 2013 dhe për një post ministror në zgjedhjet e ardhshme. Ky komunikim u ndërpre me ngjarjet e 21 janarit që ndodhën. E para a është e vërtetë që ka pasur një komunikim, një ndërmjetësim indirekt midis jush dhe zotit Berisha?

Presidenti Topi: Absolutisht! Unë nuk kam preferuar të marr post ministri atëherë kur realisht më takonte ta merrja. Përfytyroni që duke qenë President mund të aspiroja për një post ministri. Pra, cilido që hedh në mjedis insinuata të tilla padyshim që janë totalisht të pabesueshme, sepse së paku njihet mënyra e sjelljes dhe karakteri i individëve në politikë. Unë i kam gjërat e hapura dhe në çdo moment, pavarësisht nga mënyra e deklarimit në mënyrë elegante e diplomatike, gjërat i them ashtu siç janë, pra nuk ka pasur, nuk kam frekuentuar dhe nuk vazhdoj të frekuentoj kafenetë ku thurren biseda të tilla dhe është shumë interesante se vazhdojnë të thurren dhe disa i besojnë dhe është fatkeqësia e tyre që i besojnë.

Gazetaja: Po këto personazhe pretendojnë se në nëntor të këtij viti kur ishit bashkë për festën e Pavarësisë me zotin Berisha krah për krah, ishte gjithashtu një periudhë negociate për një mandat tuajin të dytë.

Presidenti Topi: Absolutisht, absolutisht…

Gazetarja: Nuk është e vërtetë, se në fakt Tirana është e vogël …?

Presidenti Topi: Kur them absolutisht, absolutisht jo, sepse duke thënë absolutisht pa jo-në mbrapa mund të merret dhe po, sikurse është dhe tendenca e ndonjë gazetari për ta deformuar realitetin. Gjërat duhet parë në kompleksitetin e tyre, nuk mund të ketë episode të tilla të izoluara ku mund të ngrihen versione për gjëra shumë të rëndësishme.

Gazetarja: Nuk keni negociuar me Kryeministrin Berisha as për zgjedhjet e vitit 2013, as për listat e PD-së dhe as për një post ministror?

Presidenti Topi: Absolutisht jo!

Gazetarja: Mbetemi tek një tjetër ngjarje dramatike për Shqipërinë, atë ditë do ta konsideroja, 21 janarin. Si e keni përjetuar zoti President dhe ku ndodheshit në momentin e protestës?

Presidenti Topi: Ju e dini që Presidenti ka qenë vazhdimisht i preokupuar për të gjithë atë situatë dhe klimë, e cila ose i cili proces i parapriu asaj situate që u krijua më datë 21 janar. Ju duhet ta sillni në considerate, sepse memorja televizive është e tillë që bën të mos gabosh. Unë edhe një natë përpara, në mos gaboj, kam qenë në takimin me trupin diplomatik në ambientet e Pallatit të Brigadave, duke parë klimën e acaruar politike, deklaratat mjaft ekstreme që vinin nga politika, kam bërë një thirrje publike për aktorët e politikës që të qetësojnë gjakrat, të ulen në dialog dhe t’i zgjidhin këto me frymën e mirëkuptimit. Padyshim ka qenë deklarata ime e para, e cila ka ardhur edhe në momentin e shpërthimit të asaj proteste dhe sulmit që u bë në institucione. Pra ka pasur një koherencë totale në të gjitha ngjarjet dhe roli i Kreut të Shtetit ka qenë në pozicionin e tij kushtetues. Në rast se palët politike nuk ishin në gjendje të kontrollojnë pozicionet e tyre, natyrisht u ka takuar atyre për të dhënë përgjigje për këtë ditë dhe unë besoj se drejtësia po merret me këtë, sepse ajo situatë atë ditë kishte një dhunë ndaj institucioneve, ndaj forcave të rendit, por nga ana tjetër kishte dhe të vrarë. Unë besoj se drejtësia në bashkëpunim edhe me partnerët është duke punuar dhe unë uroj të dalë drejtësia!

Gazetarja: Ju zoti President jo vetëm uroni, por keni dhe detyra që drejtoni Këshillin e Lartë të Sigurisë, keni dhe detyra kushtetuese ku mund të keni me shumë inormacion për të ndarë me ne sonte. A mund të na thoni çfarë u bë me çadrat me helm dhe stilolapsat pistoletë?

Presidenti Topi: Pyetje shumë interesante, por unë besoj, me që fizikisht unë nuk kam qenë aty, por të gjitha pamjet na janë bërë të mundura nëpërmjet kamerave të televizioneve. Kështu që me ato teknika dhe teknologji të lartë që keni mund të afroni, të zmadhoni të shikoni nëse ka ndonjë pistoletë, çadër apo ndonjë stilolaps pistoletë. Unë besoj që më shumë sesa komenteve nëpër studio duhet t’ia lëmë këtë organeve të drejtësisë. Është Prokuroria që vazhdon të merret me këtë çëshjte. Është një çështje, e cila i ka kaluar ndoshta dhe kufijtë e Institucionit të Prokurorisë, sepse ka një bashkëpim edhe me organe të specializuara të partnerëve tanë dhe në momentin kur drejtësia do të shprehet, patjetër edhe ne do të kemi një version që vjen nga drejtësia.

Gazetja: Zoti President, a jeni në djeni të një orvatjeje për të penguar hetimin e Prokurorisë për çështjen e 21 janarit?

Presidenti Topi: Të gjitha gjërat janë thënë nga vetë përfaqëuesi i rëndësishëm i këtij Institucioni dhe unë nuk mendoj se është rasti për të perifrazuar thëniet e përfaqësuesit të Prokurorisë. Janë ata që kanë dalë me zërin e tyre dhe padyshim që duhet të besojmë atë që thonë.

Gazetja: Dëgjojmë trojkën e ambasadorëve se si e kanë përjetuar ata 21 janarin dhe si e kanë komentuar reagimin e institucioneve të shtetit shqiptar në atë ditë të vështirë për Shqipërinë.

Pyetje: Institucioni i Presidentit është mbi palët dhe duhet të ushtrojë rolin e një figure që bashkon të gjitha palët. A mendoni se sulmet ndaj Presidentit Bamir Topi pas 21 janarit duhet të ishin evituar?

Ambasadori i SH.B.A., Arvizu: 21 Janari ishte sigurisht një ditë e rëndë, ishte ngjarje e tmerrshme për vendin dhe në atë kuptim ishte një anomali e madhe, një ngjarje unike që askush nuk dëshiron që të përsëritet. Mendoj se me atë ditë lidhen disa probleme, por problemi kyç ishte ngërçi që ekzistonte mes liderve kryesorë të vendit. Ky ishte momenti, koha kur liderët duhet të komunikonin më shpejt dhe me efikasitet, gjë që nuk ndodhi dhe ja tek kthehemi sërish tek ajo që thashë në fillim, tek besimi. Kishte shumë gjëra të padëshiruara. Katër viktima në atë ditë tragjike në rrugët e Tiranës. Duke respekuar pyetjet tuaja specifike, mendoj se mungesa e besimit dhe e komunikimit e dëmtoi atë që kishte qenë duhet të kishte qenë një përgjigje më e mirë e institucioneve.

Ambasadori i BE-së, Sekui: Më lejoni që t’i referohem Kushtetutës së Shqipërisë dhe konkretisht nenit 6 ku thuhet se “Presidenti është përfaqësuesi i unitetit të popullit dhe duhet të jetë kështu. Zhan Mone thoshte që “Gjithçka është e mundur me burra dhe gra, por asgjë nuk mund të zgjasë pa institucionet. Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, të pavarura dhe unë mendoj se kjo është ajo ç’ka ju duhet të bëni më konkretisht në mënyrë që të shkoni në Evropë.

Ambasadori i OSBE-së, Volfart: Institucioni i Presidentit sipas Kushtetutës qëndron në të vërtetë mbi partitë dhe i tillë duhet të jetë gjithmonë. Institucioni i Presidentit duhet të jetë fjala morale dhe etike e kombit në drejtimin e kombit. Në këndvështrimin tim kjo është një detyrë shumë e rëndësishme, një shembull moral. Përsa u përket kritikave ndaj Presidentit, më erdhi veçanërisht shumë keq për kritikat dhe rrjedhjen e informacionit për votimin e tij, të supozuar, në zgjedhjet vendore. Kështu nuk respektohet fshehtësia e votës dhe dëmtohet jo vetëm procesi zgjedhor, por dhe Institucioni i Presidentit. Për këtë më vjen thellësisht keq.

Gazetarja: Këto janë deklaratat e tre ambasadorëve që shprehin keqardhje edhe për rrjedhjen e votës.

Presidenti Topi: Unë dëshiroj të evidentoj faktin që ngjarjet që ndodhën në 21 janar dhe sidomos ditët pas, shtruan nevojën e një reflektimi të thellë nga aktorët e politikës, nga institucionet dhe dëshiroj që nga kjo studio të vlerësoj rolin e jashtëzakonshëm të tre ambasadorëve, të cilët ishin pjesë e këtij emisioni me intervistat. Ka qenë një komunikim jashtëzakonisht intensive, dinamik me sensin për të ekuilibruar situatën, por edhe për të inkurajuar institucionet për të bërë detyrën e tyre kushtetuese. Nga kjo pikëpamje, unë mendoj që fjala e ambasadorëve tregon patjetër një realitet, i cili në një moment të caktuar, nuk erdhi mirë në Shqipëri.

Gazetarja: Mund të themi që e nxori shtetin zbuluar?

Presidenti Topi: Padyshim këtu ka pasur gjithmonë një tendencë për të dominuar politikisht institucionet dhe ka pasur dhe këndvështrime të ndryshme dhe veprime të ndryshme nga aktorë institucionalë për të ruajtur institucionet, për të zbatuar pikërisht atë që çdo institucion e ka në zemër të kushtetutës së vet, që është ajo që buron nga ligji dhe Kushtetuta.

Gazetarja: Si Komandant i Forcave të Armatosura, pse nuk mblodhët Këshillin e Sigurisë Kombëtare atë natë të 21 janarit, të nesërmen, në ato ditë të vështira dhe pse nuk është mbledhur Këshilli i Sigurisë gjithë këto kohë, gjithë këto vite?

Presidenti Topi: Unë mendoj që Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet atëherë kur ka dhe një vullnet të anëtarëve të Këshillit të Sigurisë për të ardhur dhe për të diskutuar. Ato momente kanë qenë momente jashtëzakonisht të vështira dhe çdo aktor, patjetër, para se të vijë në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare duhet të ketë predispozicionin, qetësinë dhe të gjithë vullnetin për të biseduar, për të komunikuar, për të parë pikat e dobëta të komunikimit dhe ka pasur një mënyrë kompensuese dhe kjo është bërë nëpërmjet komunikimit me ambasadorët, por dhe me përfaqësues të institucioneve që gjërat të normalizoheshin. Ju e dini që në atë periudhë kanë ardhur në Shqipëri dhe ekipe ndërmjetëse të një profili të lartë politik që vinin nga Brukseli dhe nga Uashingtoni.

Gazetartja: Zoti President, ndoshta po flisni dhe ju dhe po e mbajmë nivelin e bisedës pak akademik dhe nuk e di nëse na kuptojnë dhe na ndjekin gjithë teleshikuesit. Mund të jeni më konkret, kush janë që nuk kishin vullnet, nuk ishin present në atë tryezë?

Presidenti Topi: Ju besoj se e kuptoni qartë, e kuptojnë dhe aktorët politikë. Ju e dini që në Këshillin e Sigurisë Kombëtare ka aktorë politikë institucionalë, besoj jam i qartë apo jo?

Gazetarja: Unë ju kuptoj, por nuk e di nëse ju kuptojnë të gjithë, le të themi Kryeministri Berisha.

Presidenti Topi: Ju i doni me emra, gjithsecili e kupton se kush është në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ka aktorë nga mazhoranca, ka aktorë nga opozita, pra ka një strukturë të mirëpërcaktuar. Unë mendoj që para se të ulesh në një tryezë institucionale duhet të kesh vullnetin politik për t’u ulur dhe për të biseduar, ato momente ju thatë që kaluan nëpërmjet një linje tjetër të komunikimit.

Gazetarja: Dua ta kaloj dhe unë 21 janarin, por kam dhe disa pyetje të shkurtra përpara se të dal aty. Pas sulmeve direkt ndaj jush si pjesëtar celulash, “horr bulevardi”. A ka ndonjë mundësi zoti President që raportet tuaja me Berishën të rregullohen, në fund të fundit ai është pajtuar me Nanon që e futi në burg?

Presidenti Topi: Unë nuk jam një njeri që kam një mbiemër tjetër, aq më shumë nuk jam njeri që ka më shumë se një mbiemër…

Gazetarja: Po kush është ai që ka më shumë se një mbiemër?

Presidenti Topi: Tani unë në komunikim me ju përdor të gjithë artin e perifrazimit të gjërave, tani gjejini se cilët janë! Unë i përdora si një mënyrë të shprehuri për të treguar që kam individualitetin tim. Natyrisht që kam një memorie jashtëzakonisht të fortë dhe nuk harroj kollaj. Duhet të kuptoni që edhe në një bisedë tek e tek, jashtë publikut, jashtë kamerave njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm, apo jo. Është thënë dhe është stërthënë: ‘Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen’. Meqënëse kam qenë edhe një studiues i anatomisë, mund t’ju them që ka 77 lloj muskujsht që përbëjnë gjuhën dhe kjo e ka bërë gjuhën organin më të artikuluar, pra fiziologjia thotë: “Struktura përcakton funksionin” dhe nuk besoj se jemi në një bisedim akademik, sepse unë iu referova një shprehjeje që vjen nga populli, por gjuha gjithmon komandohet nga truri, nga arsyeja dhe në rast se arsyeja nuk është arsye dhe del me përcaktime shumë agresive natyrisht që këto gjëra vlerësohen dhe nuk harrohen.

Gazetarja: Pra ju nuk e shihni të mundshëm një pajtim me zotin Berisha?

Presidenti Topi: Këtu nuk bëhet fjalë për çështje; është çështje refleksioni, së pari është një refleksion personal, individual dhe së dyti është një refleksion institucional. Të tjerët të bëjnë pastaj analizën mbi bazën e asaj ç’ka unë po them. Parashikimin e gjërave sigurisht unë e bëj së bashku me ju, por nuk mund të hyj në detaje të një komunikimi që për shumë arsye më takojnë mua.

Gazetarja: Jeni akuzuar edhe në media edhe nga opinionistë që reaguat shumë butë ndaj fyerjeve ndaj dinjitetit që u thye në ato sulme direkte zoti President, madje jo vetëm ju, por dhe Kryeprokurorja u akuzua dhe në një farë mënyre nuk keni reaguar ashpër për nivelin, në të njëjtën frekuencë me të cilën vinte nga personi.

Presidenti Topi: Ju mendoni se gjuha më e mirë e kundërpërgjigjes është agresiviteti?! Mënyra sesi është administruar ajo krizë mjaft e rëndë duhet vlerësuar në momentin e ruajtjes së qetësisë, të ekuilibrit dhe dhënies së përgjigjes me dozën e duhur, pra në rast se politika ka vepruar vazhdimisht me emocione të forta dhe me ngjyra agresive kjo jo domosdoshmërisht është licensë edhe për institucione të tjera. Një institucion i cili është mbi palët, një institucion i cili duhet të garantojë ekuilibrin e shoqërisë dhe të institucioneve nuk e ka forcën tek agresiviteti i shprehjes. Të jeni e sigurtë që tek çdo njeri ka një diapazon të gjerë nga momenti i një reagimi të butë deri tek reagimi i fortë. Problemi është që të reagosh me mënyrën e duhur, me dozën e duhur dhe unë besoj që këtë detyrë kam bërë.

Gazetarja: E keni thënë dhe para disa ditësh që jeni dhe në jetë mesfushor dhe këtë rol doni ta mbani dhe në politikë. Pse e keni zgjedhur këtë pozicion zoti President? A nuk ka nevojë Shqipëria për një President përpos pozitës që është pajtimit dhe unitetit kombëtar, me më shumë iniciativë me më shumë prezencë në kushtet kur Shqipëria ka një ngërç dhe ku institucionet kanë një mosbesim dhe një mosrespektim ndaj njëri-tjetrit. Mos një President pak më agresiv do të kishte qenë …

Presidenti Topi: Jo këtu nuk bëhet fjalë për agresivitet. Mua më vjen keq që edhe nga media dhe nga njerëz shumë paqësorë, besoj se tek ky kontigjent njerëzish ju llogaris dhe ju, kërkoni agresivitet. Jo, shikoni modelet e demokracive perëndimore. Kemi 20 vjet në demokraci dhe, më vjen keq që në momente të paracaktuara të jenë debatet e ashpra, agresive, gjuha e cila nuk është aspak qytetare, nuk është etike. Problemi është që institucionet nuk e marrin forcën tek agresiviteti, tek ashpërsia dhe është shumë interesant, sepse njerëzit që bëjnë komente të kësaj natyre bëhen dhe negativist. Kur je i ashpër, ju gazetarët thoni që bëhesh nervoz, kur je i butë - duhet të jeni më i ashpër. Problemi është që të gjejmë një mesatare, e cila i shkon për shtat një shoqërie që kërkon të jetë në Evropë.

Gazetarja: Përpara se ta mbyllim këtë pjesë, për hir të interesave të vendit, ju e keni shfaqur këtë tolerancë, po e shfaqni sonte në këtë studio me gjithë pyetjet dhe provokimet e mia që ta kalonit cakun e maturisë që ju karakterizon. A nuk keni menduar në ndonjë moment pas sulmeve të 21 janarit ndaj Institucionit të Presidentit, nuk ishin drejtuar vetëm ndaj jush, ndaj Institucionit të Presidentit me dëmet që pësoi ai Institucion, nuk menduat për një moment që për hir të interesave të vendit të jepnit dorëheqjen?

Presidenti Topi: Absolutisht, absolutisht, jo! Ai do të kishte qenë momenti më tragjik në rast se Presidenti në ato momente të vështira shkonte drejt dorëheqjes. Do të ishte një braktisje e Institucionit. Sulmet politike mund të vijnë në çdo çast. Secili mban përgjegjësi për veprimet dhe deklaratat ndërsa Presidenti është Institucioni, i cili duhet të qëndrojë fort për të ushtruar detyrimet kushtetuese dhe unë besoj që qoftë në takimet që janë realizuar në Presidencë dhe ju mbani mend takimet e gjata që janë realizuar midis përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, takime të cilat u realizuan në vëmendje të jashtëzakonshme të mediave, por edhe të opinionit ndërkombëtar, që dolën pa rezultat. Pra ti mund të ulesh në një tavolinë, të kalosh orë të tëra, mund të bësh rolin e mediacionit apo të mediatorit, tek e fundit gjithçka varet nga vullneti reciprok i partive politike.

Gazetarja: Në asnjë moment të Presidencës suaj nuk e menduat që mund të largoheshit për shkak të këtyre sulmeve ndaj Institucionit?

Presidenti Topi: Në mënyrë absolute, jo! Nuk bën pjesë në filozofinë time dhe në karakterin tim. Unë jam kombativ deri në sekondën e fundit.

Gazetarja: Mesa duket kam pasur pak të drejtë, se më thonë nga regjia që vijnë shumë mesazhe që thonë, teleshikues të shumtë që thonë që nuk po e kuptojnë Presidentin, ka gjuhë shumë akademike, shumëkuptimshme, mund të jetë më i drejtpërdrejtë? Le t’ua premtojmë këtë në pjesët në vazhdim.

Gazetarja: Mirë se erdhët në pjesën e tretë të intervistës me Presidentin e Republikës, zotin Topi! Kolegët e shtypit të shkruar me siguri që po presin dhe nesër do të kemi tituj nga kjo intervistë. Patjetër janë në pritje të lajmit: partia e re, çfarë do të bëjë zoti Topi, por nuk i kam këto, sepse kam ende pyetje për Presidencën tuaj, zoti Topi. Do ta nis me drejtësinë, me gjykatat, me nivelin e korrupsionit, me perceptimin që kanë qytetarët, jo vetëm perceptim për një nivel të lartë korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Ju, në mendimin tuaj, si është niveli i drejtësisë aktualisht në Shqipëri, ose më mirë të them, në sistemin e padrejtësisë ose të pandëshkueshmërisë?

Presidenti Topi: Unë besoj dhe i qëndroj asaj që kam thënë gjithmonë që qytetarët nuk gabojnë. Kjo do të thotë që edhe në sistemin e drejtësisë ka elemente të korrupsionit dhe kjo mund të konstantohet në çështje të natyrave të ndryshme duke filluar tek ato civile, për të kaluar pastaj edhe në çështje të tjera. Kam parasysh këtu një element dhe dëshiroj, meqenëse ju me të drejtë po kërkoni që të jem më konkret: çështja e pronave. Përfytyroni, ka njëzet vjet që në një vend të vogël si Shqipëria ku mundësia për ta mbyllur një proces ka qenë e tillë që mund të realizohesh vite më parë. Sot e kësaj dite është një proces i pambyllyr, një proces me një deformim të jashtëzakonshëm ku mjaft çështje shkojnë edhe në Gjykatë ku palët e interesuara gjithmonë mbeten të pakënaqura me ritmin e zgjidhjes së këtij procesi, por edhe me momente korruptimi, gjithmonë sipas palëve që janë pjesë të procesit. Pra unë mora një moment që është i kapshëm për qytetarin, por mendoj që ka mjaft vend që sistemi i drejtësisë duhet ta shikojë dhe unë i qëndroj atij parimi shumë të fortë që sistemi i drejtësisë ka nevojë për reforma të thella. Ka nevojë për reforma të thella që të arrijmë tek ajo, të cilën ju me mjaft të drejtë e thatë, që e thonë edhe ndërkombëtarët: që të mos kemi elemente pandëshkueshmërie, që vijnë edhe nëpërmjet hallkave të gjyqësorit.

Unë jam Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dua ta ndaj me publikun që Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë sipas Kushtetuës dhe ligjit është i parë midis të barabartëve. Pra unë moderoj mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë operon mbi bazën e një ligji dhe është gjithmonë nën monitorimin e projekteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian, praktikisht të EURALIUS-it. Këshilli i Lartë i Drejtësisë edhe kur është rasti për të marrë në shqyrtim edhe çështje të penalizimit të gjyqtarëve gjithmonë operon me zërin e Ministrit të Drejtësisë, i cili sipas rregullit, mbi bazën e informacioneve zyrtare që i shkojnë nëpërmjet inspektoriateve, qoftë të Ministrisë së Drejtësisë, qoftë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bën prezantimin e të gjithë atyre rasteve, që ai mendon se janë shkelje të ushtrimit të detyrës së gjyqtarit. Dhe mund t’ju them se deri më sot, të gjitha rastet e gjyqtarëve që kanë ardhur për t’u shqyrtuar për penalizim, kanë marrë një verdikt pozitiv përsa u përket propozimeve që kanë ardhur nga Ministri i Drejtësisë në të gjithë historinë kur unë jam Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është tjetër gjë pastaj, që në hallkat e tjera të Gjyqësorit, kanë ndodhur edhe raste që edhe pse Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pasur edhe votën e Presidentit për të penalizuar gjyqtarë, të cilët në këndvështrimin tonë kanë bërë shkelje, Gjykata e Lartë ka mbajtur një qëndrim tjetër. Dhe patjetër, duke respektuar pavarësinë e hallkave të Gjyqësorit, ne kemi vazhduar që ta pranojmë verdiktin e Gjykatës së Lartë. Mendoj që po aq e rëndësishme është që politika, Parlamenti duhet të dijë të bëjë e të vazhdojë reformën për Gjyqësorin dhe për të gjitha hallkat që kanë të bëjnë me dhënien e drejtësisë.

Gazetarja: Po gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, nuk i emëroni ju?

Presidenti Topi: Unë i propozoj. Ju e keni parë që pëlqimin e jep Kuvendi dhe ky është rregull kushtetues. Pra ata futen gjithmonë në një filtër, i cili mendoj se është një filtër në transprencë të plotë. Në hallkat paraprake gjithmonë janë futur edhe përfaqësues të projekteve të rëndësishme të partnerëve tanë. Të gjithë ata që plotësojnë kriteret ligjore, futen në këtë filtër, zgjidhen më të mirët, shkojnë në Parlament dhe atje ose kalojnë, miratohen, ose rrëzohen. Pra është një kompetencë e dyfishtë që ndahet mes Presidentit dhe Parlamentit.

Gazetarja: Gjatë këtyre viteve, zoti President, kanë dalë disa akuza drejtuar Presidentit për emërime të sponzorizuara, për pagesa ryshfetesh për poste gjyqtarësh. Si u përgjigjeni këtyre akuzave?

Presidenti Topi: Absolutisht, këto akuza totalisht politike, të pabaza, sepse ka një mekanizëm që e rrëzon totalisht këtë që Presidenti vetëm propozon. Të drejtën e verdiktit final e ka Parlamenti. Presidenti këtë proces e ka bërë, sikurse e thashë në një mënyrë shumë transparente. Njerëzit duhet të plotësojnë kriteret ligjore. Ka pasur një komision ku kanë qenë përfaqësues të rëndësishëm të botës akademike dhe të sistemit të drejtësisë dhe nën supervizionin qoftë të OSBE-së, qoftë të EURALIUS-it, qoftë të OPDAT-it. Dhe kjo ka qenë faza, e cila i ka paraprirë vendimmarrjes së Presidentit, i cili nuk emëron, por vetëm propozon dhe është Parlamenti pastaj ai që bën miratimin ose rrëzimin e kandidaturave.

Gazetarja: Edhe në rastet e Gjykatave të Shkallës së Parë?

Presidenti Topi: Tek rasti i Gjykatës së Shkallës së Parë duhet ta dini dhe është mirë që ju e bëni këtë pyetje që të jetë prezent edhe për publikun. Presidenti, pavarësisht se është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka vetëm një votë si çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë vjen ose nga Parlamenti, ose nga Konferenca Gjyqësore. Është edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë. Është Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është Ministri i Drejtësisë. Pra është një organizëm mjaft kompleks dhe secili ka një votë. Pastaj në vendimmarrje, ku secili ka të drejtën e një vote fiton ai që merr më shumë vota.

Gazetarja: Pra, vetëm një votë. Për votën tuaj, zoti President, a është kërkuar ndonjëherë t’ju jepet ryshfet?

Presidenti Topi: Unë mendoj që këtë pyetje nuk keni pse t’ia bëni Presidentit.

Gazetarja: Meqenëse jeni akuzuar publikisht, edhe nga Kryeministri madje?

Presidenti Topi: Po të vijë puna për akuza pastaj, këtu akuza mund të dëgjosh çfarë të duash. Problemi është që ajo që nuk i ka munguar asnjëherë Presidentit të Republikës është pikërisht morali dhe integriteti në ushtrimin e funksioneve të tij.

Gazetarja: Zoti Topi, çfarë mendoni për faktin që vartësi juaj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, e kam fjalën për zotin Spahiu, ka filluar një lëvizje me karakter nacionalist, ndërkohë që sistemi i drejtësisë duhet të jetë i depolitizuar? Si e komentoni edhe deklaratën që zoti Spahiu ka bërë në këtë studio, në “Tonight”, disa muaj më parë se nuk ka asnjë lidhje me “Aleancën Kuq e Zi”, se ju nuk keni asnjë lidhje me të, se nëse ju fshiheni pas asaj Aleance, ai do të jepte dorëheqjen nga çdo post publik? E para për të dhe pastaj për përfshirjen tek Aleanca.

Presidenti Topi: Fakti që ai është Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe vazhdon të jetë do të thotë që unë besoj që deklaratat e tij kanë qenë korrekte, dhe për ta certifikuar këtë punë, sepse është fjala për emrin tim, mund t’jua rikonfirmoj sot që ajo që ka thënë se nuk jam pjesë dhe që nuk fshihem prapa saj, sikurse kanë qenë të ashtuquajturat akuza politike, vërteton plotësisht që gjithçka ka qenë pjesë e një thashethemnaje, e cila po rikonfirmohet çdo ditë. Pra edhe unë kam rastin në këtë studio që t’ju them se ushtroj të gjitha detyrimet kushtetuese të Presidentit dhe natyrisht që janë të tjerë ata që insinuojnë, që bëjnë komente të pavërteta dhe disa-ditës vërtetohet se ato akuza kanë qenë absolutisht të ndërtuara në mënyrë të qëllimshme.

Gazetarja: Për ta mbyllur këtë bllokun e akuzave: ka pasur akuza për amnisti abusive, fjalët më të rënda, që ju keni kryer për të burgosurit? Qëndrojnë?

Presidenti Topi: Unë mund t’ju them që mbi bazën e ndryshimit të ligjit, ka gati një vit që Ministria e Drejtësisë nuk sjell në Presidencë absolutisht as një propozim që ka të bëjë me detyrimin e tyre ligjor për t’i propozuar Presidentit ulje dënimi për të burgosurit. Gjithçka tjetër bëhet pastaj mbi bazën e një procesi shumë transparent nga propozimet që vijnë qoftë nga pushteti lokal, nga Drejtoria e Burgjeve mbi bazën e një filtri shumë të rëndësishëm ligjor dhe profesional që vjen nga administrata dhe Presidenti bën vetëm aktin e fundit të shprehjes së vullnetit të tij, e drejtë që lind nga Kushtetuta dhe ligji.

Gazetarja: Kanë ardhur shumë mesazhe. Në fakt, unë e kisha si pyetje, por shumë mesazhe edhe në këto momente. A do të bëni amnisti këtë vit, zoti President?

Presidenti Topi: Kërkojuani pikërisht atyre që e kanë detyrim ligjor! Njerëzit duhet ta dinë që sipas detyrimit ligjor dhe pas ndryshimit të ligjit, ju them fare hapur të nderuar, që kërkoni ta dini, se Presidenti nuk ka çfarë të bëjë, sepse nuk ka asnjë material në tryezë apo në administratën e Presidentit. Ata që duhet ta sjellin janë pikërisht përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, të cilët deri tani kanë kaluar çdo lloj afati që ka të bëjë me detyrimin ligjor për të prezantuar para Institucionit të Presidentit kërkesat që vijnë nga të dënuarit.

Gazetarja: Zoti Topi, çfarë mendoni për nivelin shqetësues të krimit në vend? Veçanërisht të krimit edhe ndaj funksionarëve të lartë të shtetit? E kam fjalën për vrasjen e gjyqtarit Konomi në Vlorë, duke qenë se ende nuk ka një pistë zyrtare hetimi për vrasjen e tij. Si shpjegohet që ndodh një ngjarje aq e rëndë, ekzekutohet një gjyqtar në mënyrë makabre në mes të qytetit dhe ende nuk kemi, edhe pse shteti reagoi më pas, nuk ka ende nga hetimet një pistë zyrtare të vrasjes së Konomit?

Presidenti Topi: Kjo është një çështje që ka të bëjë me institucionet e specializuara që janë për zbatimin e ligjit. Natyrisht që kjo ka emra konkretë përsa i përket natyrës së institucioneve: vjen me Policinë, vjen me Prokurorinë, pra janë këto institucione, të cilat duhet të japin një panoramë të këtyre rasteve.

Gazetarja: Ju e keni emëruar Prokuroren aktuale në detyrë, zonjën Ina Rama?

Presidenti Topi: Sigurisht që e kam emëruar.

Gazetarja: Çfarë mendoni për performancën e saj?

Presidenti Topi: Unë e kam propozuar dhe ajo është miratuar nga Parlamenti. Pra, edhe njëherë mund t’ju them që nuk kanë qenë vullnete ekskluzive në emërim. Gjithmonë ka qenë një komunikim dhe ju e dini që ajo ka marrë vota të mjaftueshme për të ushtruar detyrën e rëndësishme të Kryeprokurores.

Gazetarja: Po nota? Mund t’i japim sot?

Presidenti Topi: Unë, ndonëse kam një eskperiencë akademike, nuk jap nota në publik. Çdo institucion ka nevojë që të rrisë performancën e vet. Sigurisht kemi komente pozitive, por ka edhe komente që lidhen me natyrën e punës së institucionit që duhet të ecë më mirë.

Gazetarja: Janë hetimet që lidhen me çështjen e Gërdecit, të 21 janarit, vonesat, ankesat, lodhjen e publikut, perceptimin se nuk ndëshkohen fajtorët e vërtetë, “peshqit e mëdhenj”, zyrtarët e mëdhenj, por vetëm ata që nuk kanë para të paguajnë.

Presidenti Topi: Ky është një perceptim publik. Ky është një perceptim publik dhe unë jam gjithmonë i prirur që ta shikoj me këtë sy. Fakti që çështja e Gërdecit vazhdon pafundësisht. Nga 15 marsi i vitit 2008 po vjen marsi i vitit 2012 dhe kjo çështje vazhdon të zvarritet për arsye të ndryshme. Tani kohët e fundit rikonfirmohet edhe njëherë mungesa e vullnetit të avokatëve për të qenë pjesë e pandalshme e procesit dhe natyrisht që kjo nuk është diçka për t’u vlerësuar në sensin pozitive. Është një moment negative, sepse proceset e zgjatura futen në një fazë kronike dhe nga faza kronike natyrisht që nuk ka asgjë të mirë. Njerëzit kërkojnë të kenë drejtësi, të marrin drejtësi në kohën e duhur, sepse dhënia e drejtësisë në kohën e duhur patjetër që bëhet një moment shumë i rëndësishëm i parandalimit, i profilaksisë për situata të tilla të ngjashme.

Gazetarja: Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar!

Presidenti Topi: Absolutisht që është një thënie emblematike, që qëndron.

Gazetarja: Pas disa javësh do të kemi njëvjetorin e ngjarjes së 21 janarit, zoti Topi. Ju si mendoni një vit më pas? Qëndrojnë akuzat e mazhorancës se ai ishte një grusht shteti ku edhe ju ishit pjesëtar?

Presidenti Topi: Absurditet! Flas gjithmonë në atë që më takon mua të them: është një absurditet! Dhe fatkeqësisht! Shqipëria nuk është më një vend i izoluar ku gjithkush mund ta konsumojë një thënie, e cila në këndvështrimin tim është totalisht e papranueshme, për të mos i dhënë një emër tjetër. Shqipëria fatmirësisht, është vend me partnerë dhe qëndrimin realist rreth kësaj ngjarjeje e kanë dhënë përfaqësuesit, partnerët tanë më të rëndësishëm, të cilët nuk e kanë cilësuar sit ë tillë. Përkundrazi! Vetëm pak ditë, në vijim të takimeve të shumta që unë kam me përfaqësues ndërkombëtarë, pata takimin me për

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›