E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta i bëjnë homazhe artistes së mirënjohur të skenës operistike shqiptare, Nina Mula

23 dhjetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi zhvilluan sot në mesditë homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit për artisten e mirënjohur të skenës operistike shqiptare, Nina Mula, e cila, me veprën e saj artistike dhe individualitetin skenik, përcolli tek artdashësi shqiptar kryevepra të muzikës klasike botërore.

Pasi vendosi një kurorë me lule, u përul me respekt dhe nënshkroi në Librin e Zisë të hapur me këtë rast, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të së ndjerës Nina Mula.

Përpara mediave të pranishme, Krytari i Shtetit Shqiptar shprehu konsideratën më të lartë për artisten me origjinë ruse, që i dha kaq shumë artit shqiptar:

“Sot përcjellim për në Parajsë, do të thoja, një figurë të ndritur të artit skenik, lirik, operistik shqiptar, një zë brilant, sikurse ishte zëri i Nina Mulës. Unë do të specifikoja jo vetëm individualitetin e lartë artistik, por edhe kontributin e jashtëzakonshëm të familjes Mula, sepse të gjithë së bashku; e ndjera Nina Mula, bashkëshorti Avni Mula, por edhe produkti i tyre, Inva Mula i kanë dhënë një emër të veçantë Shqipërisë jo vetëm në artin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar.

Unë i shpreh me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë trupës së këtij Teatri ku ajo prehet përpara se të shkojë në banesën e fundit që ta kujtojë këtë figurë të shndritshme dhe besoj se kjo figurë do të jetë si pikë referimi edhe për brezat e rinj që do të frekuentojnë botën artistike shqiptare.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›