E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Biberaj: Opozita të vërë shqiptarët para interesave të ngushta partiake

Zoti Biberaj, cilat janë zhvillimet e pritshme për delegacionin shqiptar i cili të mërkurën niset për në Bukuresht, a ka një agjendë takimesh?
Natyrisht që delegacioni shqiptar shkon në Bukuresht për të marrë ftesën për antarësim në NATO, zhvillim shumë pozitiv dhe do të thosha që përbën një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë do ta quaja fitoren më të madhe pas pavarsisë së Kosovës për shqiptarët. Kuptohet që marrja e ftesës është një sukses për Shqipërinë, është një sukses për mazhorancën por është një sukses dhe për gjithë politikën shqiptare e cila për hir të së vërtetës gjatë muajve të fundit ka bashkëpunuar në interes të reformave të mëdha, reforma që përbënin në njëfarë mënyre një kusht apo një kriter për marrjen e ftesës për antarësim në NATO. Kuptohet që Shqipëria pas marrjes së ftesës, futet në një fazë të re zhvillimi, fazë e cila garanton një stabilitet qoftë nga pikëpamja e sigurisë por edhe një stabilitet politik, një element i rëndësishëm ka të bëjë me faktin se antarësimi në NATO ku shumica e vendeve anëtare janë dhe në Bashkimin Evropian krijon kushte dhe mundësi për shkurtimin e periudhës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ftesën për anëtarësim në NATO e shoh edhe në planin e përshpejtimit të antarësimit në Bashkimin Evropian.

Çfarë do të thotë për qytetarët shqiptarë marrja e ftesës për antarësim në aleancën ushtarake të vendeve perëndimore?
Realisht për qytetarët e thjeshtë nuk është se ka ndonjë impakt të shpejtë. Sepse qytetari normalisht më shumë është i lidhur me problemet e veta ekonomike, me punësimin, pagat, pensionet. Për qytetarin e thjeshtë, gjëja e parë që do të thosha është që nuk do të ketë më Gërdec në Shqipëri, sepse duke qenë dhe anëtar i NATO-s, nuk bëhet fjalë që procedura të tilla të ndodhin siç ndodhi në 15 mars. Marrja e ftesës do të thotë që do të kemi një ushtri të reformuar, të sukseshme që po ta lidhim dhe me pikëpamjen e ekonomisë që u intereson shqiptarëve kuptohet që do të kemi më shumë investime të huaja, duke qenë se qeverisja e të gjithë niveleve do të jetë më e përgjegjshme më e kontrolluar nga ndërkombëtarët. Në një periudhë ndoshta jo afatgjatë edhe qytetari të ketë përfitimet e veta nga ky akt historik. Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër, ku do të ketë investime të huaja, buxheti i shtetit do të ketë vlera më të larta, pra do të ketë impaktet e veta edhe në jetën e qytetarit shqiptar, por jo e menjëhershme.

A mendoni se ka bashkëpunimi me opozitën ka qenë i frytshëm për përmbushjen e reformave. Kam parasysh këtu Reformën në Drejtësi dhe Reormën Zgjedhore…
Marrja e ftesës do të shënojë dhe fillimin e një axhende të re për politikën shqiptare. Opozita gjatë këtyre muajve të fundit ka pasur një qëndrim konstruktiv, gjë që
është për t’u përshëndetur dhe mendoj se opozita duhet të vazhdojë në këtë linjë. Pavarësisht se çfarë ndodh me zhvillimet e ditës, opozita nuk duhet që të politizojë çdo ngjarje që ndodh në Shqipëri dhe jo të përpiqet të përfitojë prej tyre. Opozita duhet të shohë në rradhë të parë interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, i cili është i lidhur ngushtë me ecurinë e reformave. Reforma në drejtësi është një reformë që ka ecur pozitivisht dhe është një reformë në proces, e cila mund të zgjasë me muaj dhe me vite. Elementi i parë i rëndësishëm do të jetë reforma elektorale, pasi dihet që procesi zgjedhor po afron, zgjedhje të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme, me një rezultat që të pranohet nga të gjitha palët, që të prodhojë një stabilitet politik dhe një mazhorancë të qëndrueshme. Por që të shkohet drejt këtyre modele zgjedhjeve, duhet një reformë e pranuar nga sa më shumë faktorë politik në Shqipëri. Për këtë duhet dhe konsensusi i opozitës, ata e kanë bërë deri më tani. Unë shpresoj që të vazhdojnë në këtë linjë pasi është një rëformë shumë e rëndësishme. Zgjedhjet e vitit 2009 janë shansi më i mirë që Shqipëria të ndahet nga zgjedhjet problematike, nga zgjedhjet e kontenstuara apo zgjedhjet e manipuluara. Mazhoranca ka pasur dhe ka vullnet për zgjedhje të lira dhe
të ndershme, përsa i përket ekzekutivit ka qenë maksimalisht i angazhuar për fillimin e përgatitjes së infrastrukturës ku do të përmendja regjistrin themelor të votuesve, kartat e identitetit, pasaportat biometrike. Natyrisht këtij përkushtimi të maxhorancës, duhet t’i bashkangjitet dhe opozita me reformën zgjedhore dhe natyrisht me përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, pasi një vit në terma politikë është kohë shumë e shkurër, pasi për tu antarësuar në Bashkimin Evropian një nga kriteret është zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, krahas elementëve të tjerë politikë e strategjikë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë shtylla kryesore e demokracisë.

Pas Samitit të Bukureshtit, kabineti “Berisha” pritet të pësojë disa ndryshime. Në cilët sektorë mendoni se janë më imediate këto ndryshime?
Mendoj se kryeministri Sali Berisha duhet të bëjë ndryshime në qeveri, pasi janë të nevojshme dhe të domosdoshme - ndryshime rrënjësore do të thoja. Ne po u afrohemi zgjedhjeve të vitit 2009 dhe është mirë që Partia Demokratike dhe aleatët e saj të djathtë të dalin me një qeveri të re, me një qeveri përfaqësuese dhe me një qeveri që unë do ta quaja qeveria që do të përfaqësonte fitoren e qeverisë demokratike dhe aleatëve te saj në zgjedhjet e vitit 2009. Padyshim Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar ka profesionistë të cilët mund të përfshihen në qeveri dhe të jenë të sukeshëm në ato sektorë që do të përfaqësojnë. Kryesia e Partisë Demokratike dhe Grupi Parlamentar do të mbështesin ndryshimet e qeverisë që do të iniciohen nga kryeministri i vendit. Ndryshimet janë të domosdoshme dhe duhet të jenë rrënjësore.
 Bisedoi Silvana Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›