E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, pjesëtare e aleancës së lirisë

Samiti i zgjerimit të NATO-s, hap sot punimet me një rend dite që planifikon akordimin e ftesës së anëtarësimit, edhe për tre shtet të tjerë: Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Kjo ngjarje madhore, për vendin tonë po pritet me një interesim të jashtëzakonshëm, pasi konsiderohet si zhvillimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë, pas shembjes së diktaturës së hekurt komuniste dhe vendosjes së pluralizmit. Në këtë drejtim, mirënjohja nga ana e ndërkombëtarëve për plotësimin e standardeve që bëjnë të mundur edhe aderimin në NATO, duhet të kurorëzohet me patjetër me ftesën drejtuar vendit tonë, në mënyrë që të plotësohet edhe de jure, anëtarësimi i Shqipërisë në aleancën më të madhe ndërkombëtare me karakter rajonal, që operon me synime të ruajtjes së paqes dhe konsolidimit të sigurisë në botë. Përpjekjet e bëra gjatë 18 viteve të tranzicionit të vazhdueshëm, Shqipëria që në fillimet e demokracisë një vend tërësisht i brishtë dhe me demokraci jofunksionale, për shkak të daljes në skenë të komunistëve të reformuar dhe të inspiruar nga destabilizimi i vendeve të evropës lindore, të cilat po synonin të shkëputeshin njëherë e mirë nga e vjetra, qe në gjendje tu kërkojë ndërkombëtarëve përfaqësues të NATO-s, ta përfshinin në një të ardhme të afërt në familjen e tyre pro perëndimore. Shansi për anëtarësim ka provuar inkurajimin për demokraci që 11 vendet e bashkuara kanë synuar që me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Shpresojmë që kjo të vazhdojë në të njëjtën mënyrë edhe për tre vendet aspiruese, Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, tha dje sekretari i përgjithshëm Jap de hop Shefer. Njerëzit e parë të 26 vendeve-aleatë të NATO-s, krerët e shteteve dhe kryeministrat e 3 vendeve aspirante për anëtarësim, si dhe drejtues të shteteve partnere, në tre ditët e ardhshme do të debatojnë për transformimet dhe sfidat e Aleancës si koalicion global i sigurisë për ballafaqim efektiv me situata krize, angazhimin e tij në stabilizimin e Afganistanit dhe të Kosovës, për zgjerimin me anëtare të reja dhe për përforcimin e marrëdhënieve partnere. Në Samit marrin pjesë presidenti amerikan Xhorxh Bush, ai rus Vladimir Putin, presidenti francez Nikolla Sarkozi, kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri britanik Gordon Braun etj, ndërsa është paralajmëruar edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun. Samitit do t’i bashkohen edhe 3.000 përfaqësues zyrtarë. Për punën e Samitit do të raportojnë 3.500 gazetarë të akredituar. Shqipëria përfaqësohet në këtë samit me një delegacion të kryesuar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, delegacion i cili përbëhet edhe nga përfaqësues të të dy kampeve politike të Shqipërisë. Shqipëria përfaqësohet në këtë samit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, me dy kryetarët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi të PD-së dhe Valentina Leskaj të PS-së, si dhe koordinatorin për çështjen e NATO-s, pranë qeverisë shqiptare, Glori Hysi. Deri ditën e nesërme (3 prillit), pra pak para se të bëhet publik vendimi, delegacionet e vendeve që aspirojnë të marrin ftesën e NATO-s, do të kenë një seance dëgjimore me pyetje-përgjigje me krerët e 26 delegacioneve, nga e cila do të dalë vendimi me konsensusin e të gjitha delegacioneve. Më 6 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të Aleancës, i cili u mbajt në Bruksel, janë nënshkruar tri ftesa nga të 26 vendet anëtare, por që nuk janë përcaktuar emrat, pasi ky vendim u la të merrej në këtë samit. Arsyeja e mosfirmosjes së emrave është se nuk u gjet konsensusi sa i takon ftesës për Maqedoninë, pasi Greqia kishte ngulur këmbë tek e drejta e vetos, për të mos e pranuar këtë republikë me emrin ekzistues, por me emrin e ri.

Shefer: Shefi i NATO-s shpreson që në Samit të ftohen të tre vendet aspirante/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer beson që samiti i aleancës në Bukuresht do të arrijë një zgjidhje për integrimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, bën të ditur ai për një gazetë rumune. Gjatë një interviste për gazetën “Romania Libera” përpara samitit, Scheffer u shpreh se “shpresoj që në samit të jepen ftesat për të tre shtetet”. “Këtë e pres edhe unë nga takimi, me një kusht, që para kësaj, të gjendet zgjidhje për çështjen e emrit të Maqedonisë, e cili nuk është në kompetencë të NATO”, tha ai. Kështu Scheffer nuk vendosi ndonjë rregull që Shkupi të ngelet jashtë, duke shpresuar se edhe Maqedonia t’u bashkangjitet dy vendeve të tjera, Shqipërisë dhe Kroacisë. “Një rrugëzgjidhje, dhe një ftesë për të tre shtetet, mund të përbëjë elementët më të rëndësishëm për të sjellë stabilitet të mëtejshëm në rajon”, tha Scheffer. Pika nevralgjike e samitit duket se mbetet emri zyrtar i Maqedonisë. Greqia refuzon prej kohësh ta njohë Shkupin zyrtar me emrin Maqedoni, meqenë kjo emërtesë është e njëjtë me atë të një provincë të Maqedonisë në veri të Greqisë. Emri Kushtetues i Maqedonisë është Republika e “Maqedonisë”, dhe Shkupi zyrtar do ta përdorë këtë emër edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, përjashtuar me shtetin fqinj, Greqinë, ku një emër i pranuar nga të dy pjesët vetëm atëherë mund të përdoret. Scheffer, gjithashtu tha se do të pëlqentë të bisedonte me partnerët rusë në terma realistë, pa retorikë, të cilën ai tha se shpesh e ka dëgjuar nga Moska. Deklarata e pavarësisë së Kosovës ka shkaktuar vazhdimisht tension në rajonin e Ballkanit, prandaj edhe NATO-ja dhe Rusia kërkojnë të dëgjojnë opinionet e njëra-tjetrën. Kemi dy anë diskutimesh brenda Këshillit NATO-Rusi, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, cështjen e Kosovës dhe atë të instalimit të sistemit mbrojtës antiraketor.

Hungaria: Shqipëria të ftohet në NATO edhe nëse Maqedonia nuk e merr ftesën/Shqipëria duhet të bëhet anëtare e NATO-s edhe nëse Maqedonia nuk do të ftohet në aleancën ushtarake në samitin e Bukureshtit. Kështu ka deklaruar dje në mbrëmje ministrja e Jashtme e Hungarisë, Kinga Goncz për agjencinë hungareze të lajmeve, MTI.

“Mendimi i përgjithshëm është se Shqipëria duhet të anëtarësohet në NATO, edhe nëse Maqedonia nuk ftohet, apo ftohet me kusht, po fiton çdo ditë e më shumë terren”, deklaroi Goncz. Ajo vuri në dukje se Hungaria ka punuar fuqimisht për pranimin e Maqedonisë, pasi anëtarësimi i saj, i Shqipërisë dhe Kroacisë do të jetë shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Ndërkaq, Presidenti rumun, Trajan Basesku deklaroi dje se ftesat për anëtarësim për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë në NATO dhe inkuadrimi i Gjeorgjisë dhe Ukrainës në Planin aksional është zgjidhje globale për rajonin. Në samitin e NATO-s në Bukuresht do të bisedohet për tre tema të mëdha - zgjerimi i Aleancës, situata në Afganistan dhe Ballkanin Perëndimor dhe mbrojtja nga kërcënimet në shekullin e 21-të. Kështu ka deklaruar dje presidenti rumun, Trajan Basesku. Ai njoftoi se Rumania për herë të parë në histori dëshiron të jetë e rrethuar nga aleatë. Basesku njoftoi se ftesa për anëtarësim për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO dhe inkuadrimi i Gjeorgjisë dhe Ukrainës në Planin aksional është “zgjidhje gobale për rajonin”. Presidenti rumun tha se Rumania nuk do të dërgojë pakushtimisht ushtarë në Afganistan. “Rumania është e gatshme të dërgojë ushtarë, por jo në situatë kur vendet e tjera i kanë tërhequr forcat e tyre ose i kanë dërguar në rajone më pak të rrezikshme”, tha ai. Ai, duke i komentuar marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë, theksoi se duhet të dilet nga logjika e Luftës së ftohtë dhe të zbatohet logjika e partneritetit. “Rusia duhet të ndërprejë të shikojë në NATO si kërcënim”, potencoi Basesku. Presidenti rumun kërkoi që në samitin e NATO-s të arrihet marrëveshje, që vendet të cilat nuk janë të përfshira me mburojën antiraketore amerikane, në mënyrë plotësuese të mbrohen nga Aleanca veriatlantike.

Presidenti amerikan Xhorxh Bush mbërrin në Bukuresht, takimi me Putin në fokusin kryesor/Në kryeqendrën rumune kanë mbërritur edhe shefat dhe kryeministrat e shteteve pjesëmarrëse, por pritet edhe ardhja e presidentit rus Vladimir Putin dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Liderët e shteteve dhe të qeverive nga 26 vendet anëtare të NATO-s dhe nga vendet partnere pritet të debatojnë zgjerimin e Aleancës dhe gjendjen e operacioneve të NATO-s në Afganistan dhe Kosovë. Samiti treditor do të përfshijë takime të nivelit të lartë në formate të ndryshme si Këshilli i Atlantikut Verior (NAC), Këshilli i Partnershipit Euro-Atlantik (EAPC), Këshilli NATO-Rusi (NRC) dhe Komisioni NATO-Ukraine (NUC). Samiti do të fillojë sot me një darkë pune, ku do të jenë të pranishem shefat e shteteve dhe të qeverive nga 26 vendet anëtare të NATO-s.

Në datën 3 prill (e enjte) debatet do të vazhdojnë që në mëngjes në Këshillin e Atlantikut Verior, ndërkohë që axhenda parashikon situatën në Ballkanin Perëndimor si edhe transformimin e sistemit mbrojtës të Aleancës. Zgjerimi i NATO-s do të jetë një pikë kryesore e samitit. Gjatë Këshillit të Atlantikut Verior liderët do të shohin mundësinë e zgjerimit të vendeve aspiruese që plotësojnë standardet e NATO-s dhe kontribuojnë në sigurinë Euro-Atlantike, të parashikuara në Planveprimin e Anëtarësimit (MAP).

Më pas takimi i Këshillit të Atlantikut Verior do të pasohet nga mbledhja e Këshillit të Partnershipit Euro-Atlantik, ku anëtarët e NATO-s do të takohen me 23 vendet partnere për të diskutuar për çështje të sigurisë dhe për çështje politike. Këshilli i Partnershipit Euro-Atlantik, siguron strukturën politike për bashkëpunimin e NATO-s me partnerët e saj dhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes aleancës dhe çdo shteti që merrë pjesë në Partnershipin për Paqe. Tre vendet anëtare të Partnershipit për Paqe që presin ftesat për anëtarësim janë Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia. Me pas pritet takimi nga Komisioni NATO-Ukraine (NUC). Sipas axhendës së përcaktuar, samiti i NATO-s do të përfundojë me datën 4 prill me takimin e Këshillit NATO-Rusi, ku pritet që të marrë pjesë edhe presidenti rus Vladimir Putin. Organet e sigurisë rumune, forca të posaçme të NATO dhe ato amerikane kanë shtuar masat e sigurisë gjatë Samitit ku janë të angazhuar rreth 20 mijë forca të sigurisë, të përgaditur për protesta dhe emergjenca të ndryshme. Takimin do ta ndjekin rreth 6.500 mysafirë të huaj prej të cilëve 3500 gazetarë. Samiti i NATO-s në Bukuresht do të jetë një nga takimet më të mëdha të nivelit të lartë me një çmim të lartë harxhimesh prej 26 milion euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›