E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Vlerëson ftesën e ndërkombëtarëve për anëtarësimin në NATO

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vlerësuar gatishmërinë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të SHBA-së dhe të të gjitha vendeve të NATO-s për të ftuar për anëtarësim Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit. Kjo deklaratë është bërë në një konferencë për shtyp nga kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinastro. Në deklaratën e tij, Haxhinastro ka theksuar se "ftesa për në këtë samit nuk duhet të jetë objekt i spekulimeve nga qeveria dhe politika në përgjithësi, pasi askush prej tyre nuk mund të marrë meritën e kësaj ftese, veçse popullit shqiptar, që me vullnetin dhe kontributin e tij, ka kohë që ndjehet pjesë e NATO-s dhe e objektivave të saj për paqen e stabilitetin". Sipas tij, "kjo ftesë është gjithashtu meritë e strategjisë largpamëse të kësaj aleance, për të zgjeruar zonën e sigurisë kolektive dhe për të konsoliduar reformat e standardet në secilin vend". Ftesa për në NATO, që do të merret së shpejti, ka theksuar drejtuesit i LSI-së, është një detyrim më shumë i kësaj qeverie për të treguar përgjegjshmëri dhe për të mos mbetur te standardet e Gërdecit. "Për LSI-në, reforma më e madhe për Shqipërinë është t‘i shkohet deri në fund Gërdecit, me përgjegjësi politike, me transparencë e ligjshmëri, në mënyrë që kjo tragjedi e paprecedentë të mos përsëritet", tha zoti Haxhinastro.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›