E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksion profesional në Teatrin Kombëtar

• ARIAN SUKNIQI

Profesionalizëm i vërtetë në Teatrin Kombëtar po, po, kjo ka ndodhur pikërisht me FRANKU V, i cili hapi sezonin pranë T K. Shfaqje që erdhi natyrshëm pas “Pamjes nga Ura”, ku 30 shfaqjet e saj funksionuan si premierë më sallë të mbushur plot. U lumturova shumë që ajo mori spektatorësh që ndoqën shfaqjen dilnin të lumtur pasi në sintezën e shfaqjes kishin parë vetveten dhe raportin shoqëror në të cilin jetojnë. T’ju them të drejtën kërkova me sy të shikoja ndonjë personazh që ngjasonte me ndonjërin personazh të Frankut, jo, jo, nuk pashë ndoshta ishin larguar përpara se shfaqja të mbaronte, ose nuk i kam njohur se në të tilla raste përdorin të gjithë arsenalin për të ndryshuar lookun, mënyrën e sjelljes si kompleksin zullumqar që janë dhe për t’u bashkuar si të barabartë me ata njerëz që ishin të pranishëm. A e dini çfarë pashë, njerëz kontribuues të shoqërisë të cilët në profesionin e tyre kane vendosur rekorde, por herë pas here të përdorur nga gangsterët. Pashë shkencëtarë të cilëve dyert e laboratorëve ia kanë përplasur në fytyrë, pashë artistë të shquar të cilët enden pa fund vetëm për të ushtruar profesionin e tyre për mbijetesë ku halli i çon të trokasin në derën e ndonjë pjesëtari të kësaj bande. Pashë studentë të cilët tregonin kartat studentore për mos paguar bileta pasi në të kundërt duhet të flinin pa darkë, pashë të dashuruar që shiheshin pambarimisht në sy ku vendin e ndjenjës e kish zënë frika dhe pa asnjë gjest çuditërisht në të njëjtën kohë mendonin njësoj se ëndrrat e tyre ishin veç iluzione se në dorë e kanë veç ata. I ndodhur përpara një skenografie jo të zakontë për skenat tona, mezi prisja të fillonte kjo shfaqje, e cila pa shumë bujë kishte marrë përsipër të hapte sezonin. Kur gongu ra dhe dritat filluan të ndriçonin çdo hapësirë funksionale të skenës e rakorduar nën ritmet e bendit pashë një lëvizje ndryshe ku atë takim rastësor të fillimit mu duk se e kisha parë gjysmë ore më parë në një kafene të qytetit tim. E kështu vazhdova deri sa shfaqje që mbaroi i bindur se ato personazhe jo shumë kohë më parë edhe i kisha soditur ndoshta dhe takuar, kisha rënë viktimë e emocionit që kjo shfaqje më krijoi. U ndjeva i privilegjuar të përjetoja ato momente harmonike të asaj kaste të mrekullueshme artistësh që performonin sinkron me tingullin, me gjestin, me objektin të intonuar, që s’kishin lidhje me çjerrjen, me kantilenat e stërgjatura bajate lëvizjet e sforcuara që përpara disa kohësh ishin bërë qëllim në vetvete. Zgjedhje e zgjuar e Kumbaros po, po, e zgjuar. Nuk mund ta mendoja që ai sukses do të arrihej pa kontributin e pakrahasueshëm të aktorëve tashmë të kthyer në ikona të teatrit. Domosdoshmëria e performancës së Xhuvanit, Selës, Trebickës, Mujos, Asqeriut, Liçajt, Malkajt ndonëse me ngarkesa të ndryshme funksionuan si një polifoni ku publiku perceptonte emocione të cilat do t’i mbajë gjatë në kujtesë. Por  këtë simfoni brilante e fuqizuan e kuruan me shumë profesionalizëm Shundi, Toçe, Braho, Dako, Bitraku, Angjeli, Deda e deri tek presidenti shtatshkurtër Zeneli, sigurisht nën drejtimin e dirigjentit Kumbaro. Shumë ishte lodhur ky burrë për të vendosur në vendin e vet çdo gjë që fliste për të harmonizuar në një ton pa lajthitje stili por për ta mbajtur të tërën në mënyrë skrupuloze harmonikisht në kohë dhe hapësirë, duke lëshuar natyrshëm mesazhin real e jo hipotetik se këtë makabritet e kemi mbi shpatulla. Kjo vepër erdhi ndryshe në TK në një version modern dhe tepër funksional ku çdo element i batutës ishte inkasuar dhe rezononte tek një element skenografik dhe  çdo tingull muzikor krijonte spiralen që në mënyrë fluide qëndronte në çdo cep të skenës dhe vinte në ndihmë sa herë i kërkohej për ta bërë të plotë dhe të pa kontestueshëm fenomenin kështu do të ndodhte edhe nëse do të shikohej pakëz kohëzgjatja. Një konceptim multi-funksional skenografik në një skenë pa mundësira teknike ritmoi energjikisht duke i dhënë mundësi fantastike performancës aktoriale, natyrisht pa asnjë cenim por të puthitur mirë edhe me kostumet. Natyrisht nuk kish si të ndodhte ndryshe kur një kastë krijuesish e rritur pranë broduejit ku në xhiron e darkës kishin si stacion të fundit katakombet e universiteteve, pa bujë i bënë një dhuratë intelektuale shoqërisë. Këta idealistë skrupulozë dhanë një leksion profesional duke shkundur pluhurat e koncepteve provinciale që me fuqinë e teserave po i imponohen një shoqërie që dalëngadalë po asfiksohet nga këta makutër që besoj se dhe vetë Durrenmatit i ka dalë nga kujtesa për t’i përfshirë tek Franku i V-të. Ky realizim i dha një goditje perversistëve, të cilët futën me lugë këpucësh në çdo televizion apo media të shkruar nga provincialë teseraxhij që orgazmën e arrijnë me mollëzat e gishtave, duke përdorur ndonjë mjerane apo fatkeqe si tellall apo tellallisë, duke na e shitur si risi qofshin dhe “rastësisht” produksione të marra nga DVD a thua se ky popull të gjitha i ka në rregull dhe vetëm perversitetet i kanë mbetur apo aq më keq kur duan ta shesin se kështu i pëlqejnë punëdhënësit. Natyrshëm kjo shfaqje e shtoi përmasën e tapetit të kuq në tempullin e profesionalizmit për mos të pranuar orgazmat artificiale qofshin këto edhe miq të pushtetit të vjetër apo të ri, binjakëve të Herbertit. Jam i bindur që kushdo që këtë shfaqje e ka ndjekur kontakti i parë me këta sojlerë do t’i pështjellojë dhe do t’i ngacmojë, ku shqetësimi qytetar që kanë sot ndoshta do t’i ndërgjegjësojë kontributet pozitive që në demokraci janë adrenalinë për t’iu kundërvënë kësaj tragjikomedie që po na sfilit si kolera afrikane. Nuk mund të ri pa komplimentuar administratorët e Teatrit Kombëtar, të cilët me nuhatje profesionale bënë të mundur krijimin e mundësive të realizimeve të veprave të tilla të cilat përditë e më shumë po risjellin spektatorin e larguar prej drejtimeve e orgjijave të kompleksistëve provincialë. Si epilog kjo shfaqje si një harmonizim profesional i shumë komponentëve të rrallë për skenat tona i dhuroi një shërbim artistik intelektual kombit, u kthye në një auditor për ata që janë të interesuar t’i përkushtohen profesionit me djersë dhe jo me rrugë të shkurtra të kasetave të çdo lloj dimensioni qofshin. Jam i bindur që është nga krijimet më të mira të teatrit. Për çastet e paharruara që përjetova besoj që nuk e teproj edhe pse ishte pak e gjatë, i jam mirënjohës asaj kaste të mrekullueshme të aktorëve kurajozë dhe qytetarisë së krijuesve dhe çdokujt që kontribuoi sado pak në realizimin e kësaj vepre me përmasa superiore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›