E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Daul përgënjeshtron PS-në dhe zbulon se nuk ka patur asnjë draft në Strasburg

“Tryeza e Strasburgut e suksesshme, sepse u ra dakord dhe u vendos njohja e qeverisë, respektimi i Kushtetutës, si dhe kthimi i opozitës në parlament”

Kryetari i grupit të PPE-së, Joseph Daul, në përgjigje të interesimit të gazetarëve, ka hehdur poshtë dje pretendimin e vazhdueshëm të opozitës për ekzistencën e një draft-marrëveshje të cilin sipas përfaqësuesve të saj, refuzoi ta firmose mazhoranca. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, i pyetur nga gazetarët u shpreh i habitur mbi një pretendim të tillë.
Duke hedhur poshtë gjithashtu edhe pretendimin tjetër për dështimin e tryezës së Strasburgut, Daul, përkundrazi e ka quajtur të suksesshme atë, sepse sipas tij, “ne kemi bërë një takim, ku secili u shpreh dhe ne vendosëm së bashku për çështjet që janë të rëndësishme për demokracinë: njohjen e qeverisë, njohjen dhe respektimin e Kushtetutës, si dhe që opozita të punojë në gjirin e parlamentit. Kjo është respektuar”.
Gjatë konferencës për shtyp, Jozef Daul përsëriti disa herë rëndësinë e bashkëpunimit dhe funksionimit në parlament të forcave politike. Për Daul bojkoti nuk është demokratik, gjë të cilën sikundër tha, e ka kuptuar prej kohës së lopës së çmendur nga pozitat e një sindikalisti.

Në një interviste për BBC keni deklaruar se edhe mos zgjidhja e ngërçit politik në fund të fundit është një zgjedhje demokratike...?
Besoj që ju keni një demokraci të vendosur e që funksionon. është e vërtetë që në radhë të parë pas grevës së opozitës, e cila nuk tërhiqej, ne kemi kërkuar nëpërmjet zotit Martin Shultz funksionimin normal të opozitës, pasi kjo nënkupton funksionimin normal të demokracisë. Ajo çfarë ne kemi këmbëngulur është që opozita të kthehet në debatin parlamentar dhe unë besoj se opozita ashtu siç është parashikuar dhe shpjeguar, për projektligje shumë të rëndësishme nevojitet shumica e cilësuar në parlament për të ndryshuar gjërat, kështu funksionon Parlamenti Evropian. Kemi dy lexime në Parlamentin Evropian, në leximin e parë çdo grup ka kontestimet për shpjegime në rrugë ligjore dhe në leximin e dytë jemi të detyruar të gjejmë një kompromis për avancimin përpara të demokracisë.

Në rezolutën e djeshme (pardjeshme) të miratuar nga Parlamenti Evropian në fund ishte një sugjerim që politika shqiptare duhet ta zgjidhë krizën duke respektuar kushtetutën dhe transparencën. Një qëndrim konstant. A do të vazhdojë Parlamenti Evropian të luajë një rol që kriza të zgjidhet apo do të mjaftojë që edhe mos zgjidhja e saj është shprehje e demokracisë?
Jam këtu në radhë të parë që demokracia të vendoset dhe të funksionojë. Jam një sindikalist i vjetër. Për sindikalistët, manifestimet dhe bojkotet janë pjesë e aktiviteteve sindikale. Unë kam organizuar aktivitete të tilla, e kam bërë këtë në periudhën e “lopës së çmendur”, por gjithmonë duke respektuar, sepse ju duhet ta dini se është e vështirë me bujqit francezë dhe greva nuk është e lehtë për t’u kontrolluar. Por tashmë unë jam deputet, kryetar i një grupi politik, nuk flas më kurrë për bojkot. Kjo është demokracia. Ky është kompromisi. Kjo është jeta politike !

Pse dështuat në bisedimet tuaja me zotin Berisha dhe zotin Rama?
Përgjigja e parë për mua qëndron gjithmonë e njëjta, ne kemi arritur bashkë me zotin Martin Shultz që demokracia të vihet në veprim dhe që parlamenti të funksionojë. Dhe ju e dini më mirë se unë se në atë kohë në Tiranë ka pasur dy mundësi për këtë: Ose ti shkohej deri në fund asaj greve urie, ose të fillonin negociatat. Unë jam një mbrojtës i madh i të drejtave të njeriut, pra nuk mund të shkohet deri në një masë të tillë. Dhe për këtë ne vendosëm me Martin Shultz, i telefonova mikut tim Berisha, i cili menjëherë u nis për rrugë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës, gjithashtu edhe Ramës. Ne kemi bërë një takim, ku secili u shpreh dhe ne vendosëm së bashku për çështjet që janë të rëndësishme për demokracinë: njohjen e qeverisë, njohjen dhe respektimin e Kushtetutës, si dhe që opozita të punojë në gjirin e parlamentit. Kjo është respektuar. Nuk donim të shkonim më larg dhe të fillonim: Hapni kutitë, mbyllni kutitë. Ne nuk mund të arrinim këtu, pasi ka një Kushtetutë, ka organizma ndërkombëtare që janë njohëse shumë të mira në fushën e të drejtave. Unë nuk kam studiuar drejtësi dhe kam arritur të zgjidh shumë situata të tilla përmes negociatave. Unë mendoj se Kryeministri i dha mundësi funksionimit të Shtetit të së Drejtës dhe ai funksionon në nivelin e opozitës. Nuk dua të kritikoj zotin Rama, por i thashë se në një demokraci jemi në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme, në një demokraci dhe rregullat demokratike duhet të funksionojnë në një mënyrë të tillë që në zgjedhjet e ardhshme të mund të jenë në shumicë.

Pas takimit të Strasburgut ka pasur takime mes ekspertëve të dy partive . Nga zyrtarë të PE dhe opozitës në Shqipëri kanë folur për ekzistencën e një drafti. A e konfirmoni ju ekzistencën ë këtij drafti, pasi opozita ka deklaruar se ai e ka pranuar këtë draft ndërsa mazhoranca jo?
Dëgjoni shumë sinqerisht nuk e di se për çfarë drafti flisni. Ka pasur diskutime, por mund të avancojmë akoma më shumë në funksionimin e demokracisë në Shqipëri, nëse do të duhet do të ketë takime të tjera të nivelit të lartë pra: zoti Rama, zoti Kryeministër, Unë dhe zoti Martin Shultz për të diskutuar mbi përmbajtjen e një dokumenti që është diskutuar nga teknicienët tanë, nga sekretarët tanë të përgjithshëm, deri tani më kanë thënë se nuk ka pasur propozime për të avancuar në lidhje me këtë dokument . Pra diskutimi mund të vazhdojë, ose të ndërpritet. Parlamenti Evropian nuk është bërë për tu diktuar ligjin shqiptarëve. Thjesht nëse ne mund të ndihmojmë që demokracia të funksionojë normalisht do të ishim shumë të kënaqur dhe mbi të gjitha ne nuk do të përzihemi më atë çfarë ndodh në fushatat elektorale, në gjirin e partive politike. Secili ka vendin e vet, secili ka te drejtat e tij, secili ka detyrat e veta. Kjo është ajo çfarë mbrojmë ne në nivelin e Parlamentit Evropian dhe nuk do të vijmë këtu për të bërë fushatë elektorale, ose më shumë. Jo! I thashë sot paradite, Ministrit të punëve të Jashtme, po ashtu Kryeministrit dhe do të diskutojmë sërish sonte, ne do të prekim nga afër luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, reformën gjyqësore, ligjin për Gjykatën Administrative, vendosjen e një mediatori, reformën zgjedhore. Të gjitha këto ligje për të cilat ekziston mundësia për një pjesë e të cilave ekziston mundësia e votimit me shumicë, siç ndodh edhe ne parlamentin evropian dhe një pjesë tjetër e ligjeve që kërkon shumicën e cilësuar. Kjo është demokracia!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›