Daul: Berisha mbrojti standardet e shtetit ligjor

Kryetari i parlamentarëve popullorë në PPE, njëri nga bashkëorganizatorët e dialogut politik në Strasburg, Joseph Daul, ka zbardhur në Tiranë qendrimet finale të ndërkombëtarëve lidhur me ngërçin e politikës. “Berisha mbrojti standardet e shtetit ligjor”, ka deklaruar prerë parlamentari Daul, duke i kërkuar Edi Ramës, që të përqendrohet në të bërit opozitë, pasi të ishte i sigurtë se PS-ja do të mbetej e tillë, deri në përfundim të zgjedhjeve të ardhshme
Berisha: Heqja e vizave, një votëbesim i madh për shqiptarët
Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul u shpreh dje gjatë një takimi me kryeministrin e vendit Sali Berisha, se vizita e tij në Shqipëri bëhet me qëllim për t’u njohur më nga afër me situatën politike. Daul, i cili prej dy ditësh ndodhet në vendin tonë, ka kërkuar që opozita të respektojë rregullat e demokracisë dhe parimin e shtetit të së drejtës. Sipas tij, në demokraci, qeveria dhe opozita duhet të funksionojnë.
Kreu i popullorëve thotë se kryetari i socialistëve duhet të kuptojë që demokracia nuk është bojkoti, por bashkëpunimi. Ai deklaroi gjithashtu se shumë shpejt shqiptarët do lëvizin të lirë në hapësirën “Schengen” të Bashkimit Evropian
Joseph Daul
Pasi bëri një përshkrim të funksionimit të demokracisë në Parlamentin Europian, Daul u shpreh se “Shqipëria ka nevojë për një demokraci që funksionon dhe për një qeveri dhe opozitë që funksionon. Për këtë, opozita duhet të ketë vendin e saj në parlament, ku duhet të japë mendime dhe propozime”.
Sipas tij, “demokracia nuk është bojkot, por është punë në thellësi”.
Ai shprehu bindjen se “në Shqipëri ka një demokraci që duhet të funksionojë”.
Presidenti i Grupit të PPE u ndal dhe në negociatat pas ndërprerjes së grevës së urisë së një grupi deputetësh të PS-se, me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve.
“është e vërtetë që në radhë të parë pas grevës së opozitës, e cila nuk tërhiqej, ne kemi kërkuar, bashkë me zotin Martin Shultz, funksionimin normal të opozitës, pasi kjo nënkupton funksionimin normal të demokracisë”, tha Daul.
Deri tani, sipas tij, “është arritur që opozita t’i kthehet debatit”.
Duke iu referuar takimit të Strasburgut, Joseph Daul theksoi se në bisedime u arrit që opozita të punojë në Kuvend.
“Kishte dy mundësi, të mbaronte greva apo të fillonin negociatat. Berisha i la mundësi funksionimit të shtetit të së drejtës. Nuk do kritikoj zotin Rama, por rregullat demokratike duhet të funksionojnë. Ai tha se rregullat demokratike nuk kanë funksionuar mirë dhe nëse është kështu le të bëhen propozime. Unë dhe Schulz donim të shkonim larg. Demokracia nuk është bojkoti, por bashkëpunimi”, u shpreh Daul.
Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave kreu i popullorëve europianë theksoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Ai shprehu garancinë se Bashkimi Europian do miratojë vendimin ashtu siç ka premtuar.
Sali Berisha
Nga ana e tij, kryeministri Berisha i shprehu Daul mirënjohje për mbështetjen që parlamentaret e grupit të PPE-së i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve për ndërtimin e një shoqërie të lirë.
“E njoha z. Daul me përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe PD-së për të zhvilluar në këtë vend vlerat e qendrës së djathtës, vlera që bënë që ky vend të dalë nga gremina e historisë në demokraci. Qeveria shqiptare do të bëjë çdo gjë që të plotësojë kërkesat e KE-së të njoftuara nga Komisionerja Malstrom për heqjen e vizave. E njoha Daul me përpjekjet e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, konstituimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit”, deklaroi kryeministri.
Kreu i ekzekutivit garantoi se do pranojë çdo kërkesë të opozitës dhe është i hapur për bashkëpunimin me të.
“Shpreh kënaqësi që opozita është sot në Kuvend. Ligjet që duhet të kalojmë se bashku, qeveria ka vullnet të plotë të pranojë çdo amendament që opozita do sjellë për to”, saktësoi ai.
Duke përshëndetur votimin e dy ditëve më parë të Komisionit të Jashtëm të PE-së për liberalizimin e vizave për vendin tonë, Kryeministri Berisha tha se “ky ishte një votëbesim i madh mbi shqiptarët, ndërsa falënderoi, gjithë miqtë e Shqipërisë, por edhe deputetët e gjithë spektrit politik në Bruksel, të cilët votuan për të mbështetur heqjen e vizave për Shqipërinë”.
Ai garantoi se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo gjë dhe të plotësojë të gjitha kërkesat e KE-së. Kryeministri Berisha informoi mbi përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, larjes së parave dhe konsolidimin e institucioneve.
Në vijim, Kreu i Qeverisë shprehu mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që parlamentarët e PPE-së dhe qeveritë e tyre i kanë dhënë kombit shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve në përpjekjen e madhe për ndërtimin e një shoqërie të lirë, të bazuar në solidaritetitin njerëzor dhe vlerat e tregut.
Kryeministri Berisha informoi mbi përpjekjet e PD-së, si në pushtet ashtu edhe në opozitë për të zhvilluar në këtë vend vlerat e përbashkëta të qendrës së djathtë.
“Ishin këto vlera që ndihmuan vendin të dalë nga gremina e historisë dhe të bëhet një vend me demokraci dhe ekonomi tregu funksionale”, tha Berisha.
Duke renditur ndër arritjet, shkëputjen e vendit nga grupi i vendeve të varfra, anëtarësinë në NATO, Kryeministri tha se, “Shqipëria ecën me hapa të sigurta bazuar në meritën drejt integrimit të plotë në BE. Në këtë përpjekje të vështirë, PD dhe qeveria e saj ia ka dalë për shkak të mbështetjes së partive simotra të PPE-së”.
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi gjithashtu produktin e tryezës së Strasburgut për zhvillimet e mëtejshme në Shqipëri.
“Strasburgu ishte një sukses i vërtetë, votimi në Parlamentin Europian dje, nuk do të ishte i mundur pa Strasburgun dhe Brukselin”, u shpreh Berisha.
Qeveria shqiptare, tha Berisha, e konsideron procesin e integrimit europian si një proces që duhet të ecë tërësisht i bazuar mbi meritën dhe performancën.