Intervista/Ilir Meta: Lulzim Basha është fitues i padiskutueshëm i bashkisë së Tiranës

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe një prej aleatëve kryesorë të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ilir Meta, u shpreh dje se është e sigurt që Tirana do ketë një qytetar të parë dhe ky do jetë Lulzim Basha. Në një intervistë televizive në emisionin “Fakt” në UTV, Meta tha se “Aleanca për Qytetarin”, do dalë e fituar nga këto zgjedhje.
A duket se Rama i ka fituar këto zgjidhje? Mund të jetë ai përsëri kryebashkiak?
Politika ka rregullat e saj. Unë jam i bindur se Lulzim Basha është fitues i kësaj gare për arsye të fushatës që ka bërë, planit dhe projekteve të tij, analiza ime është vërtetë realiste. Më duhet të theksoj se duhet të presim rezultatin përfundimtar, dhe së dyti mbi bazë të rezultateve duhet bërë analiza përfundimtare.
A mendoni se është më i fortë se ju z. Rama? Cili mund të jetë impakti politik...
Rezultati nuk sjell asnjë ndyshim politik, por ndryshimin do t’ia sjellë Tiranës, do t’ia sjellë qytetarëvë të këtij qyteti. Ajo që mendoj është se së pari, synimi kryesor është që këto zgjedhje të përmbushin standardet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar.
A duhet të ri-formatohet mazhoranca pas këtyre zgjedhjeve?
Mendoj se këto zgjedhje sjellin disa ndryshime pozitive.
Berisha mbrëmë dukej i qetë në daljen e tij për shtyp, kurse sot...
Nuk mendoj se duhet të dalë secili prej nesh nëpër konferenca. Duhet të lejojmë që të vazhdohet puna e komisionerëve për të vazhduar punën dhe për të nxjerre rezultatin përfundimtar. LSI është votuar në shumë njësi vendore. Madje, LSI është në shifra shumë më komode se në 2007-ën. E rëndësishme për ne është mbarëvajtja e procesit dhe plotësimi i standardeve. Ne jemi të bindur se procesi i numërimit në Tiranë do nxjerrë fitues të këtyre zgjedhjeve për bashkinë e Kryeqytetit, Lulzim Bashën. Z.Basha e meriton sepse programi dhe platforma e tij elektorale ka qenë e shkëlqyer dhe është mirëpritur nga qytetarët.