Intervista/Ilir Meta: Zgjedhjet nuk do të shtyhen, s’jam në garë për kryebashkiak

Askush nuk do të lejojë që në zgjedhjet vendore të 2011 të përsëritet situata e katër viteve me pare, pra qe procesi te shtyhet përtej afatit ligjor. Këtë qëndrim shprehu numri dy i qeverise, njëkohësisht kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një intervistë, dhënë Tv Alsat. Zoti Meta beri te qarte se nëse opozita nuk bashkëpunon për reformën zgjedhore, zgjedhjet do te bëhen me kodin ekzistues dhe se Edi Rama nuk do te mund te shtyjë procesin siç bëri ne vitin 2007. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se nuk do te jete ai përballe Edi Ramës ne garën për bashkinë e Tiranës. Ai theksoi se zgjedhje do te ketë edhe nëse Partia Socialiste do te bojkotojë. Referuar qëndrimit te opozitës, ai tha se ajo po synon te krijojë një krize artificiale ne vend, përmes shpifjes, përhapjes se panikut, cenimit te sigurisë kombëtare dhe te dëmtimit te kredibilitetit te vendit vetëm për shkak te pasigurisë qe ka Edi Rama për te ardhmen e tij politike
Ju keni bërë thirrje për një tryezë gjithë përfshirëse për hartimin e kodit zgjedhor. Keni thirrur ekspertë për këtë çështje. Nuk është hera e parë që ju bëni thirrje të tilla. Herë pas here LSI që në krijimin e saj, ka bërë thirrje të tilla. Shpesh herë kanë rënë në vesh të shurdhët. Pse vazhdoni t’i bëni këto thirrje, sepse aktualisht kemi një opozitë ekstra parlamentare që nuk funksionon?
Ne në këtë drejtim do të vazhdojmë përpjekjet tona që Shqipëria të ketë një ditë një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, dhe do ta ketë! Sot, nesër, pak më vonë kjo është një tjetër çështje. Ju e dini se ne kemi qenë kritikë ndaj kodit elektoral Rama-Berisha, i cili nuk ishte një kod gjithë përfshirës. Për fat të keq edhe iniciativën për të cenuar transparencën, sikurse e dimë, e mori vetë lidershipi i PS-së duke kushtëzuar edhe konsensusin për këtë kod. Megjithatë ne hymë në zgjedhje pavarësisht se ishim në kushte krejt të pabarabarta. LSI-ja ishte e diskriminuar, pasi demokracia kështu funksionon përmes pjesëmarrjes. Absolutisht që vetëm pjesëmarrja mund të jetë instrumenti i duhur për të shkuar drejt një demokracie apo zgjedhjeve perfekte si në vende të tjera shumë të konsoliduara të BE-së. çfarë tregon qëndrimi refraktar i PS-së? Kur dihet se prej kohësh është bërë thirrje për një reformë zgjedhore nga komuniteti ndërkombëtar, kur është bërë e qartë nga komuniteti ndërkombëtar se zgjedhjet ishin më të mirat në historinë e Shqipërisë, por është bërë e qartë që nuk kanë qenë perfekte, dhe që të bëhen të tilla, janë propozuar një sërë rekomandimesh të OSBE-ODIHR të cilat duhet të ishin përfshirë me kohë në axhendën parlamentare të opozitës. Mendimi dhe bindja ime është që kryetrari aktual i PS-së asnjëherë nuk ka pasur shqetësim transparencën e zgjedhjeve. Nëse do të ishte e vërtetë këtë gjë duhet ta kishte realizuar para se të bëhej kodi. Së dyti, unë mendoj se nuk synon të kontribuojë për plotësimin e standardeve në zgjedhjet e ardhshme, por synon të ecë në një rrugë pa krye, atë të refuzimit për të marrë pjesë në institucione.
A ka sens të ulet sot pa zbardhur se çfarë ka ndodhur me zgjedhjet e kaluara, kur vetë PS ka qenë pjesë e hartimit të kodit zgjedhor?
Askush nuk e ka penguar PS që të zbardhë problemet e zgjedhjeve të kaluara. Përkundrazi. Por ajo nuk ka pasur dhe nuk ka vullnetin për të kërkuar gjëra të cilat janë të pamundura për tu realizuar nga kjo mazhorancë. Ngërçi do të zgjidhet në mënyrë transparente dhe kushtetuese. Prej kohësh i është kërkuar PS jo vetëm nga mazhoranca, por edhe nga ndërkombëtarët të cilat kanë kërkuar transparencë dhe respekt të Kushtetutës. I është kërkuar që për hapjen e kutive ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim dhe thotë që Po, hapja e kutive nuk e dhunon kushtetutën dhe nuk cenon Gjykatën Zgjedhore, e cila përbëhej nga elementë të zgjedhur me konsensus si nga Rama, ashtu edhe nga Berisha, atëherë askush nuk ka thënë që kjo gjë nuk hapet. Ndërkohë që vetë PS ka thënë se është kushtetuese, dhe ndërkohë ka refuzuar ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca ka bërë edhe një favor tjetër ku është deklaruar për propozimin e delegacionit të Asamblesë Kombëtare të KE-së, që Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë edhe një opinion të Komisionit të Venecias, si një palë e tretë por e besueshme, që ka kontribuar për kushtetutën e Shqipërisë me ekspertizë.
Opozita është tërhequr nga votimi në parlament i çdo ligji dhe praktikisht jemi në bojkot, thotë se në vjeshtë do të rinisin protestat, ka më tepër se një vit që vendi ndodhet në këtë situatë. Një presion dhe tension jo vetëm politik por edhe social. është e vetëdijshme shumica për këtë? Mendoni se keni bërë gjithçka si qeverisje për të dalë nga kjo situatë?
Unë besoj se opozitës i janë dhënë të gjitha mundësitë për të ecur përpara me pretendimet e saj. Por absolutisht edhe opozita, as këtu dhe as në një vend tjetër nuk mund të marrë atributet e shumicës dhe as atributet e gjyqësorit që është një pushtet i pavarur dhe as nuk mund të detyrojë me marrëveshje politike që këtë gjë ta bëjë mazhoranca. Ky është një skenar i qartë, nuk ka vullnet për të marrë pjesë në institucione, sepse synohet që përmes një krize artificiale të dëmtohet imazhi i Shqipërisë, të dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave, të dëmtohet situata ekonomike dhe financiare në vend ku thirrjet për panik nuk kanë munguar, dhe as akuzat ndaj Guvernatorit të Bankës që e kanë zgjedhur socialistët, vetëm e vetëm se ai në mënyrë të qetë jep vetëm politikat e bankës së Shqipërisë, një organ i pavarur. Mund të them që dje, ajo që ishte më e rënda nga deklaratat e deputetit të PS–së, nuk ishte vetëm incidenti i MPJ-së, por ishte një gjë tjetër shumë e rëndë, e papranueshme dhe e pavërtetë. Një shpifje monstruoze dhe shumë keqdashëse, gjoja sikur ka një raport të SHISH-it që diplomatët nxjerrin sekrete të NATO-s, që është një mashtrim i tërë. çdo gjë bëhet sepse këta njerëz dhe kjo linjë në lidershipin e PS-së është e investuar në mënyrë destruktive. Jo për stabilitetin e institucioneve të vendit dhe as për interesat e atyre njerëzve që në 28 qershor kanë votuar për ta, sepse edhe ata kanë depozita nëpër banka. Edhe ata duan që të hiqen vizat me BE-në. E gjithë kjo, thjesht për shkak të një pasigurie që ndjen kryetari i PS-së për të ardhmen si kryetar bashkie dhe partie.
Ju po e akuzoni opozitën se nuk dëshiron që të liberalizohen vizat?
Unë bëra një akuzë shumë të drejtpërdrejtë sepse këtë çështje e gjykojnë vetë qytetarët. Por fakti është që edhe dje, edhe sot, bëhen investime të tilla publike në emër të opozitës, të cilat cënojnë sigurinë kombëtare të vendit, kredibilitetin e vendit me partnerët ndërkombëtarë. Unë dua të theksoj se vetëm pak javë më parë në Shqipëri ishte Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, me rastin e një vjetorit të anëtarësimit në Aleancë dhe deklaroi se Shqipëria ka treguar në një vit që është një histori suksesi dhe ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj ndaj aleancës, NATO i bëri edhe thirrje opozitës, apo jo, që të jetë pjesë e Parlamentit dhe e kontributit pozitiv për vendin. Dhe shpifje të tilla zyrtare të qëllimshme nuk janë të rastësishme, sepse bëhen në emër të një force politike nuk bëhen në mënyrë të rastësishme, dhe tregojnë qartë një thelb tërësisht destruktiv të lidershipit aktual. Natyrisht nuk akuzoj gjithë opozitën. Ne kemi parë deputetë dhe figura të njohura të kësaj force politike që janë shprehur për angazhimin që ajo duhet të ketë në Parlament, për të votuar ligjet. Qeveria nuk ka nevojë për votat e Partisë Socialiste që të funksionojë, absolutisht jo, por ka nevojë biznesi, ka gjykata administrative, ka nevojë sistemi gjyqësor, pra, ka nevojë vetë opozita dhe të gjithë qytetarët në mënyrë që të konsolidohen më tej institucionet.
Nëse mund të bie dakord me kolegun tim Bushati, ajo që po gjykojmë këtu është vetëm fakti që nëse ka të drejtë opozita, problemi është çfarë do të bëni ju për ta zgjidhur, për ta futur në zgjedhje opozitën, për ti dhënë një rrjedhë normale situatës?
Ne do të zbatojmë kushtetutën dhe ligjin dhe do të bëjmë gjithçka për të çuar përpara dialogun, transparencën, por kuptohet në kuadër të Kushtetutës dhe të shtetit të së drejtës.
Po flisnim për situatën politike, për zgjedhjet lokale, bojkotin e opozitës, pyetja është a do të ketë zgjidhje të krizës tashmë, apo vera do të jetë një relaks total pas botërorit dhe gjithçka transferohet për në vjeshtë?
Mendoj se situata politike vijon edhe gjatë Gushtit dhe natyrisht që është në të mirë të të gjithëve dhe të proceseve demokratike, por edhe integruese të vendit, që të ketë përgjegjshmëri dhe vullnet pozitiv, në mënyrë që të ecet përpara edhe për tu dhënë përgjigje pretendimeve të opozitës. E theksoj gjithmonë në mënyrë kushtetuese edhe për të ecur përpara me ato reforma që i shërbejnë gjithë vendit dhe që nuk i shërbejnë thjesht një pale. Natyrisht që kjo kërkon përgjegjshmëri, kërkon vizion dhe largpamësi, por kërkon edhe ngritje mbi interesat e ngushta të kryetarit aktual të Partisë Socialiste.
çfarë do të bëni në radhë të parë ju si LSI z. Meta, do të jeni në koalicion në gjithë vendin me Partinë Demokratike apo do të ketë zona ku do të jeni vetëm?
Kjo është çështja e fundit më e rëndësishme. Sepse në çdo rast edhe në zgjedhjet lokale, në një farë mënyrë të gjitha forcat politike do testohen, pasi çdo forcë politike konkurron për Këshillat e Bashkive, Komunave dhe të Qarqeve. Dhe natyrisht që ne do të marrim vendimet përfundimtare në kohën më të përshtatshme, natyrisht në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të koalicionit qeverisës, por dhe të mbrojtjes së interesave të LSI-së.
Ju shpesh akuzoni liderin e opozitës zotin Rama njëkohësisht Kryetar i Bashkisë, se të gjithë situatën politike që ai krijon e bën për shkak se nuk do të braktisë pozicionin si kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Kjo është e vërtetë sipas mendimit tim.
Ndoshta sepse ende nuk është gjetur një kandidat që ta mundë atë në zgjedhje, ju do ta bënit këtë zoti Meta?
Mendoj se këtë radhë zoti Rama ka mundur veten. Kjo sepse e ka lënë pas dore kryeqytetin me 1001 probleme, duke vendosur totalisht në funksion të axhendës së tij politike si kryetar i Partisë Socialiste, bashkinë e Tiranës dhe interesat e përgjithshme të gjithë qytetarëve që ajo duhet të mbrojë. Kështu që nuk mendoj se kjo është një sfidë e cila do të meritonte vëmendjen time kryesore.
Pra, ju nuk do të kandidonit përballë zotit Rama për ta mundur atë, për ta nxjerrë nga Bashkia e Tiranës?
Së pari, unë s’është se kam ndonjë sfidë personale me zotin Rama dhe asnjëherë nuk e kam pasur një gjë të tillë. Ia kam thënë edhe atij, por ai asnjëherë nuk e ka besuar. Së dyti, besoj se ka dhe plot kandidatë të tjerë që garantojnë ndryshimin e kryeqytetit.
Në korrik vijnë ekspertët e Bashkimit Evropian për të parë implementimin e tre kushteve shtesë për heqjen e vizave. A ka ndonjë frikë se ky proces mund të ketë hapa prapa?
Nuk e besoj. Vetë Komisioni kur bëri propozimet e kishte të qartë nivelin e përmbushjes së detyrimeve nga ana e Shqipërisë, që u vlerësua tërësisht si shumë pozitiv. Dhe çështjet në fjalë, nuk është se ishin çështje ku Shqipëria nuk kishte bërë progres, por ishin çështje që kishin nevojë për një progres më të qartë, më solid dhe më konkret, dhe besoj se tashmë ky progres është bërë dhe do të verifikohet nga ekspertët.
Meqenëse jemi të statusi i vendit kandidat, duke qenë se shprehni sigurinë për liberalizimin e vizave, a keni kaq siguri që brenda këtij viti Shqipëria do të marrë edhe statusin e vendit kandidat?
Ky është një objektiv për të cilin Qeveria ka bërë gjithçka dhe po të kemi në konsideratë të gjitha zhvillimet që nga krijimi i kësaj Qeverie nga shtatori deri tani, kalendari ka qenë mjaft pozitiv në kohë. Pra në fund të shtatorit doli raporti final i OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet, që kishin qenë i vetmi kusht politik, që Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të shpreheshin pozitivisht për kërkesën e Shqipërisë. Në muajin Nëntor ata i dhanë dritën jeshile aplikimit të Shqipërisë, në Dhjetor mbërriti pyetësori jashtëzakonisht voluminoz. Gjatë gjithë kësaj kohe që të tjerët janë marrë me kutitë, me grevat e me gjithçka tjetër, edhe pse kanë qenë të ftuar nga ana e Qeverisë dhe mazhorancës, kanë munguar të japin kontributin e tyre, në një provim të jashtëzakonshëm që ka ushtruar administrata jonë dhe ekspertë jashtë saj, për t’iu përgjigjur këtij pyetësori. Dhe unë besoj se ky është një proces që po vazhdon dhe po përparon.