E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama u komunikon Blushit dhe kundërshtarëve se janë të përjashtuar

Gjatë debatit në kryesinë e PS, Edi Rama i ka cilësuar Ben Blushin dhe përkrahësit e tij si të vetëpërjashtuar, dhe e ka zbatuar hakmarrjen ndaj grupit armiqësor, duke mos i përfshirë në grupet e punës, për përzgjedhjen e krerëve të rretheve. Thuajse zyrtare ndarja e PS-së në dy pjesë

Edi Rama shmang përfshirjen e përfaqësuesve të mendimit ndryshe në zhvillimet brenda kampit rozë. Një qëndrim i tillë u përforcua dhe më tej në mbledhjen e djeshme të kryesisë së Partisë Socialiste, e cila përveç miratimit të kandidaturave që do të konkurrojnë për postet e kryetarëve të kësaj partie në rrethe, përcaktoi dhe të deleguarit që do të monitorojnë një proces të tillë.
Pikërisht në këtë pikë u vu re që asnjë nga deputetët apo anëtarë të forumeve drejtuese të PS-së, pjesë e mendimit ndryshe, nuk ishin pjesë e listës së delegatëve në bazë.
Mbledhja e kryesisë, mësohet se nuk ka kaluar pa debat, pasi pjesë e mbledhjes ka qenë dhe deputeti i PS-së, përfaqësues i mendimit ndryshe, Ben Blushi. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se në diskutimet mbi emrat që përbëjnë listën e kandidatëve për kryetar për rrethin e Korçës, por dhe të deleguarit për të ndjekur këtë proces, nuk ka munguar dhe reagimi i deputetit socialist, Blushi. Referuar pikërisht faktit se vetë emri i tij nuk ishte zgjedhur si i deleguar, por në vend të tij ishte përzgjedhur ish-kandidati për postin e kryetarit të PS-së, Maqo Lakrori, Blushi mësohet se e ka vlerësuar një përzgjedhje të tillë si një shmangie të përfaqësuesve të mendimit ndryshe, kjo, pasi asnjë prej deputetëve të PS-së, të njohur si kundërshtarë të kryetarit Rama, nuk ishin pjesë e listës së të deleguarve në rrethe, ashtu sikundër nuk u thirrën për të dhënë mendimin e tyre për kandidaturat për postin e kryetarëve të rrethit.
Miratimi i emrave që do të jenë pjesë e listës së kandidaturave për postin e kryetarit të rrethit në të gjithë vendin solli mbledhjen e kryesisë së PS-së, kjo, pasi duhet të ishte ky forum, ai i cili duhej të thoshte fjalën e fundit mbi këto kandidatura, përpara se kjo listë të dërgohej në asambletë e rretheve për të ndjekur procesin e votimit, e përcaktuar në “kushtetutën” e kësaj partie. Por nga ana tjetër, kjo mbledhje ka vendosur që një proces i tillë të përfundojë brenda datës 12 të këtij muaji. Në këtë mënyrë, anëtarët e këtij forumi, përmes miratimit të emrave që do të jenë pjesë e garës për postin e kryetarit të rrethit, i hapën rrugë realizimit të atyre ndërhyrjeve që u bënë pak kohë më parë në statutin e Partisë Socialiste. Asambletë socialiste në rrethe do të njihen gjatë ditës së sotme me kandidaturat për postin e kreut të rrethit. Ndërkohë që përgjatë fundjavës, pra që nga e premtja, të shtunën e më pas të dielën, do të zhvillohet votimi në këto forume, për të bërë të mundur mbylljen e tij deri në datën 12 të këtij muaji.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›