E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vitin e ardhshëm akademik rritet numri i studentëve në universitete

Shefi i ekzekutivit konsideron si degë prioritare Teknologjinë e Informacionit dhe Gjuhët e Huaja


Qeveria parashikon një rritje të ndjeshme të numrit të studentëve për vitin e ardhshëm akademik. Këtë e deklaroi sot kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Shefi i ekzekutivit informoi se numri i studentëve që do të pranohen në universitetet publike të vendit në këtë vit të ri akademik do të jetë 23.534 studentë, në 181 degë dhe profile të tyre. Berisha deklaroi se kjo përbën një rritje të rëndësishme dhe hap të madh përpara në objektivitn e qeverisë. Madje kreu i qeverisë theksoi se parashikohet që në tre vitet që vijnë të arrijmë në 150 mijë studentë në shkollat publike e private, duke e konsideruar këtë si një nga premtimet elektorale të Partisë Demokratike. “Risia, qëndron në faktin se krahasuar me një vit më parë janë rritur me 3 herë pranimet në shkencat e informacionit dhe teknologjisë së lartë”- tha Berisha. “Kjo rritje është e domosdoshme në kuadrin e ndërtimi të Shqipërisë dixhitale. Rriten pothuaj tre herë pranimet në shkencat e shoqërisë së informacionit e teknologjisë së lartë. Në degët e lidhura me teknologjinë e informacionit marrin 33% të të gjitha pranimeve”- u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë ka kërkuar gjithashtu që në çdo fakultet të sigurohet libraria dixhitale që të gjenden titujt e studimeve që i nevojiten studentëve dhe profesorëve. Kreu i qeverisë u ndal më pas dhe në hartimin e tekseve shkollore duke kërkuar cilësi tek to. “Në buxhetin e këtij viti zëri i teksteve do jetë më i rëndësishmë. Dua të përgatitet një vendim që të çlirojë studentët nga tekstet e mykura. Ka tekste të viteve ‘70 kur na detyronim të shkruanim tekste që mos merrnim tekste të huaja. Fakulteti të përcaktojë tekset që do përkthejë”- deklaroi kryeministri Sali Berisha. Duke u ndalur te sistemi i akreditimit, kryeministri tha se shumë shpejt do nisë të zbatohet ky projekt i ri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›