Intervista/Kryeredaktori i ANSA-s, në një vlerësim për cilësinë e medias shqiptare
Në një intervistë të posaçme për “55”-n, Diego Minuti, kryeredaktor i ANSA-s dhe drejtor i ANSAmed-it flet për sfidat e gazetarisë në epokën pluraliste. I pyetur lidhur me shfaqjet e shëmtuara në median shqiptare të eksponentëve të komunizmit, ai tha prerë se s’i cilëson gazetarë, ata që angazhohen në media për të mbrojtur krimet e së shkuarës. Dr.Minuti ishte i ftuar dje për një ligjëratë publike, në Universitetin “Pavarësia” të Vlorës
Gjithmonë e më shumë në mediat e Shqipërisë po fitojnë terren lajmet gri dhe të zeza, nën një presion të çuditshëm të lexuesve apo edhe të burimeve të tjera të panjohura, për informacione sensacionale, por pak utilitare dhe që s’paraqesin pamjen e përgjithshme të shoqërisë. Këtë sëmundje të re të medias tonë e cilësoni si kalimtare, apo mbetet një kurth prej të cilit vështirë se do të mund të dalim?
Kjo vëmendje gati e dëshpëruar që u dedikohet lajmeve të kronikës së zezë, ndofta dhe atyre më mizore, nuk është vetëm një problem shqiptar, tashmë është një fenomen i përgjithshëm. Ka gazeta në Itali, Francë dhe Spanjë, që ushqejnë ballinat e tyre me kronikën e zezë të ngjarjeve më të përgjakshme sepse është ajo çka duan lexuesit të lexojnë. Nuk dua të jap një gjykim, por dua të bëj një konsideratë. Shiten më shumë kopje nga rrëfimi i një vrasjeje sesa i një gjesti të mirë pozitiv. Dhe më besoni, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kinë, është e njëjta gjë...
Media shqiptare po zhvillohet nën një gamë të gjerë titujsh e ekranesh, por pak bëhet në drejtim të bashkëpunimit, për t’i përballuar më mirë problematikat që dalin, kryesisht për distribucionin dhe marketingun. është një sektor ku duket se Ansamed ka më shumë përvojë dhe më shumë vëmendje. A mund të thoni diçka? Ndonjë recetë-hibride?
Po. Kështu si Ansamed - dhe është mirë të jetë kështu - ne përqendrohemi në përmbajtjen gazetareske të buletineve tona, por edhe të atyre strategjike, të logjistikës dhe atyre tregtare. Në javët e ardhshme - dhe i përgjigjem pjesërisht pyetjes - sajti jonë në internet (që përqendrohet tek Mesdheu, pra edhe për Shqipërinë) do të ndryshojë dhe do të pasurohet me rubrika të reja dhe me kontribute audio-vizive (galeri fotosh, video-intervista, speciale të ndryshme). Vendimi i marrë nga Luigi Contu, dhe nga administratori i deleguar, Giuseppe Cerbone, u përgjigjet këtyre kërkesave të tregut, i cili kërkon çdo ditë e më shumë. Dhe është e natyrshme se këto gjëra mund të arrihen më mirë vetëm nëpërmjet bashkëpunimeve, të ideve, risive, që të afrojnë Romën – aty ku kemi selinë qendrore – me pjesën tjetër të Mesdheut.
Në Itali, imazhi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve përçohet kryesisht prej mediave tona dhe raportimeve, që siç e thashë, janë disi të errëta padrejtësisht, edhe pse emigracioni shqiptar përtej detit është cilësuar si historia më e suksseshme e integrimit të tyre në shoqërinë italiane. është një ankesë e hershme e publikut shqiptar, se në median italiane nuk na jepet drita e duhur. Si mund të marrë fund kjo tendencë?
Dua që të dalim nga kjo klishe. Siç kam pasur mundësi t’u them studentëve të Universitetit Pavarësia, ai që bën një krim duhet të gjykohet, pavarësisht, nga kombësia e tij, nga prejardhje e tij etnike. Nuk jam një sociolog, por më mjafton një koncept, që është thellësisht matematikor. Cili është raporti numerik midis mijërave shqiptarëve të cilët kanë ardhur në Itali dhe që punojnë ndershmërisht me ata të cilët bëjnë vepra penale? Besoj se është i ulët, por ndoshta nuk është kjo përgjigja që prisnit nga unë... Por unë kam detyrën t’u jap këtë përgjigje. Perceptimi që kanë pasur italianët ndaj shqiptarëve, ka qenë i turbulluar nga episode kriminaliteti, por edhe nga fakti se disa forma kriminogjene janë eksportuar nga Shqipëria drejt Italisë. Dua të them se ka prostituta shqiptare - dhe bëj vetëm një shembull - pse ka të tjerë shqiptarë që i shfrytëzojnë, por, siç po thosha, është një perceptim që nuk është më aktual. Shqiptarët po integrohen dhe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të gamës së bizneseve që vijnë nga emigrantët. Ja pra, janë këta shqiptarë që në Itali kanë qenë dhe do të jenë të pritur me krahë hapur.
Jeni në Vlorë për të mbajtur një leksion në Universitetin “Pavarësia”, lidhur me rolin delikat që luan media në transformimin e shoqërisë. Këtu tek ne është ende shumë problem dekomunistizimi. Figurat e diktaturës shfaqen dendur në media, duke u përpjekur të restaurojnë sa të munden të kaluarën e hidhur. Për këto probleme duket se janë disa formula lidhur me de-nazifikimin e defashistizimin e mediave në Itali, Gjermani e gjetkë, por prapë, s’po i dilet të çlirohemi nga ky makth. A mos po kthehet media shqiptare në bashkëfajtore në një proces të restaurimit të një kulture totalitare?
Nuk e njoh shtypin shqiptar deri në atë pikë sa mund të jap një gjykim të prerë, dhe ndofta nuk do ta bëja – edhe për respekt të kolegëve që punojnë në vendin tuaj. Gjithsesi dua t’ju përgjigjem me një paradoks: kush më shumë e kush me pak vullnetarisht, bën gazetarin dhe kontribuon në gazetari, nga interesi, nga frika, apo për të mbuluar mynxyrat e së shkuarës - më vjen keq që e them, por nuk është një gazetar. Ose të paktën, nuk është një gazetar ashtu siç e mendoj unë.
Jeni diplomuar për Arte të Bukura në Firence. është diçka jo fort e shpeshtë shembulli kur njerëz që lidhur ngushtësisht me artet dhe letrat, merren me industrinë e gazetarisë. Në Shqipëri këta shembuj janë edhe më të rrallë, pasi medias i janë turrur më shumë ekonomistët, juristët dhe administratorët. Si është mbijetesa e kësaj race gazetarësh në Itali? Besoj se është një gjë që i përket traditës sonë, kur gazetarinë e bënin thellësisht personat e kultivuar, ata që kishin pasur fatin të studionin dhe që e konsideronin profesionin si një mënyrë për të shfaqur ambicien e tyre letrare. Të gjithë dinë të shkruajnë, kurse të shkruash mirë është një diçka krejt tjetër. Mark Tuen ishte një gazetar kur shkruante për të përditshmet e epokës së tij, por kur bënte shkrimtarin, ai i dhuronte botës kryevepra.
ç’mendoni për rolin që faktorë të ndryshëm socialë, si Universiteti “Pavarësia” mund të luajnë për rajonin e Vlorës, duke e shndërruar problematikën e tij, pjesë të një debati akademik - e ndoshta jo vetëm të tillë? Nëse në këto ditë gjendem në Vlorë jam për dy arsye: së pari sepse më pëlqen të punoj me të rinj (dhe takimi me studentët e Shkencave Politike dhe të Jurisprudencës ma kanë dhënë këtë mundësi); së dyti sepse mbeta i joshur nga projekti mbi të cilën ka lindur Universiteti Pavarësia. Dua që studentët që mësojnë këtu falë sukseseve të tyre të bëhen dëshmitarë të kësaj ëndrre të madhe, një Universitet që të përgatisë sa më mirë klasën drejtuese të ardhshme të Shqipërisë. Kam takuar studentë që duan të bëhen avokatë, dhe të tjerë që duan të hyjnë në fushën e sipërmarrjes dhe biznesit, e të tjerë që nuk e dinë se çfarë do të bëjnë kur të mbarojnë se diplomuari. Por në sytë e tyre pashë vendosmëri, dhe besimin se kanë bërë zgjedhjen e duhur. Profesoresha Musaraj është një udhërrëfyese në këtë sipërmarrje të madhe, që do të mbetej një utopi nëse edhe një student i vetën nuk do të jetë i denjë për angazhim e të gjithëve, të Pavarësisë, që po shpenzojnë. Duhet të jenë të denjë për Universitetin Pavarësia për të qenë të denjë nesër, për të drejtuar jo vetën Vlorën, por të gjithë Shqipërinë.
Intervistoi Ilir Nikolla
Prof. As. Dr. Arta Musaraj, Rektore e Universitetit Pavarësia, shprehet për këtë vizitë:
Vizita e Dr. Diego Minuti, Kryeredaktor – i ANSA dhe Drejtor i ANSAMed, Agjencia e Lajmeve me e madhe Italiane dhe e katërta në botë mbas Associated Press, Rojters dhe France Press, shënon një prani më shumë në vazhdën e personaliteteve të shquara të botës akademike e përfaqësuesve të rëndësishëm të aktorëve socialë në nivel Europian e më gjerë në auditorët e Universitetit Pavarësia Vlorë. Me një agjendë të rëndësishme, e cila përfshinte takime me autoritete të qeverisjes qendrore e lokale përmend Ministrin e Inovacionit, Teknologjive të Informacionit e Komunikimeve, Z. Genc Pollo, Zv. Ministren e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve Znj. Zana Turku, leksionet me studentët e Universitetit Pavarësia Vlorë të cilat iu paraprinë takimeve me Prefektin e Qarkut Vlorë, Z. Halili dhe Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Z. Gjika, i dhanë rrugë një ekspozeje shumë të rëndësishme të gjithçkaje Shqipëria dhe rajoni i Vlorës si një pjese e qenësishme e saj ka realizuar dhe rolin e institucioneve të ekselencës në këto arritje. Njëkohësisht, Universiteti Pavarësia Vlorë shënon një premtim të mbajtur me shumë, ai i të qenit jo vetëm një institucion elitar i arsimit të lartë, por njëkohësisht djep i kultivimit dhe përcjelljes së vlerave më të mira kulturore e civile të vendit, të cilat janë kartolina e rëndësishme e Shqipërisë në proceset integruese.
...