Shehu: Protesta e opozitës për dieta e turpshme edhe në parlament ata e kanë mendjen te interesat e tyre personale

Opozita protestoi dje në Kuvend, duke i kërkuar administratës dietat e muajit maj, në një kohë kur gjatë kësaj kohe ata kanë qenë në grevë urie në bulevard dhe s’kanë marrë pjesë në asnjë prej punimeve të seancës. Pas keqpërdorimeve politike, Edi Rama po i rrënon edhe ekonomikisht deputetët familjarë, të cilët, nëse i rikthehen bojkoteve, rrezikojnë të humbasin pagën përgjithmonë
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi anëtar i komisioni të ekonomisë dhe financave, Sherefedin Shehu, u shpreh sot se deputetët e opozitës kanë kërcënuar administratën e kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta në kundërshtim me ligjet dhe statusin në fuqi. Duke iu referuar protestës së djeshme në Kuvend, Shehu tha se opozita demostroi një tjetër linjë turpi, duke u faktuar se përfaqësuesit e saj kanë vetëm interesa personale.
“Dje, deputetë të Partisë Socialiste kërkuan dieta për grevën. Protesta e tyre për dietat ishte qesharake dhe e turpshme. Edhe kur vijnë në Parlament, ata merren vetëm me interesat e tyre personale meskine Gjatë gjithë këtyre ditëve, ata kanë kërcënuar administratën e Kuvendit duke i kërkuar paga dhe dieta për ditët e grevës, ne kundërshtim me ligjet dhe statusin e deputetit. Në hakmarrje për mosmarrjen e dietave për ditët e grevës, ata shpifën dhe trilluan, të nxitur nga interesa të paligjshme e të ulta. Kërcënimi i tyre për t’u shpërblyer me dieta për ditët e grevës ishte shfaqja më banale e një deputeti, që ka për mision jo dietat e tij të paligjshme, por përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve”- u shpreh Shehu.
Sipas tij, kërkesa e deputëtëve të grevës për para dhe dieta është një kalim nga një qëndrim i paligjshëm në një paligjshmëri tjetër.
“Edhe Kodi i Punës, në nenin 197, thotë se “grevë mund të bëjnë vetëm sindikalistët”. Por po ky kod thotë se “edhe kur greva është e ligjshme, gjatë zhvillimit të saj pezullohet e drejta e pagës”. Pale të kërkohen dieta”- deklaroi më tej ai.
Deputetët e opozitës kërkuan shpjegime një ditë më parë në Kuvend, sepse atyre nuk u ishin miratuar dietat për muajin maj. Protesta e deputetëve të opozitës ngjasonte ethshëm me një krizë të brendshme të tyre financiare, e cila me sa duket po jep efektet e para të revoltës, por ky problem është i vetëm opozitës, apo më konkretisht shkaku është Edi Rama.