E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohet fryma antikristiane në Turqi, ekzekutohet një klerik i lartë katolik

Zi për Kishën Katolike. Një ipeshkëv italian u vra dje me thikë në shtëpinë e tij në Iskenderun, në jug të Turqisë. është imzot Luigji Padoveze, milanez, 63 vjeç, vikar apostolik i Anadollit që nga viti 2004. Kujtojmë se po në Turqi, në vitin 2006, u vra një prift tjetër katolik, don Andrea Santoro. Sipas lajmeve të para, duket se është goditur me thikë nga shoferi, të cilit i hapi derën e shtëpisë. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi komentoi: “është një lajm i tmerrshëm, që na shqetëson thellësisht e natyrisht, na dhemb shpirti. Imzot Padoveze ka qenë një person me merita të mëdha për dëshminë e jetës së Kishës në Turqi, pra edhe në situata të vështira; ishte një person i përkushtuar ndaj Ungjillit, i guximshëm, e vdekja e tij na bën të mendojmë spontanisht edhe për atë të don Santoros, na bën të shohim se si dëshmia e Kishës në situata të caktuara, mund të paguhet edhe me gjak. është e nevojshme t’i kuptojmë më mirë rrethanat dhe arsyet e kësaj vdekjeje; mbetet fakti se është jetë e dhuruar për Ungjillin. E në prag të udhëtimit të Papës drejt Lindjes së Mesme, me qëllim edhe inkurajimin e bashkësive të krishtera, që jetojnë në këtë rajon, ky fakt na bën të kuptojmë thellë se solidariteti i Kishës universale, mbështetja për këto bashkësi të krishtera është absolutisht urgjente dhe e nevojshme”.
Rregulltar kapuçin, imzot Luigji Padoveze u lind në Milano, më 31 mars 1947. Më 4 tetor 1965 merr kushtet e para dhe 3 vjet më vonë ato përfundimtare. Frati kapuçin shugurohet meshtar më 16 qershor 1973. Ka qenë profesor në katedrën e Patristikës në Universitetin Papnor Antonianum. Deri në ditën e shugurimit ipeshkëv, ka qenë drejtor i Institutit të Përshpirtërisë në këtë universitet, për 16 vjet me radhë. Për 10 vjet, ka kryer detyrën e vizitatorit në Kolegjin Lindor të Romës për Kongregatën e Kishave Lindore. Ka qenë këshilltar në Kongregatën për çështjet e Shenjtorëve. Më 11 tetor 2004 emërohet Vikar Apostolik i Anadollit e ipeshkëv titullar i Monteverdes. Shugurohet në Iskenderun më 7 nëntor të po atij viti.
Shën Toma i Akuinit, në qendër të katekizmit të Benediktit XVI, në përfundim të të cilit, thirrja për paqen në Gazë/“Nuk duhet përdorur dhuna, që shkakton dhunë tjetër, por aftësia për të kërkuar rrugëzgjidhje të drejta, përmes dialogut”. Benedikti XVI e përfundoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, me një thirrje, thellësisht i shqetësuar për situatën e rëndë të këtyre ditëve në Rripin e Gazës. Katekizmin ia kushtoi teologut të madh të njëmijë e dyqindës, Shën Tomës së Akuinit, që dëshmoi me vepra – shpjegoi Papa - se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ka harmoni të natyrshme. Më pas Benedikti XVI kujtoi se nesër pasdite do të kryesojë Meshën dhe procesionin tradicional, në solemnitetin e “Corpus Domini” – “Korpit të Krishtit”. Në përfundim të audiencës, Papa iu lut Krishtit t’i ndihmojë të gjithë njerëzit, që punojnë për pajtimin e paqen. E duke vijuar thirrjen me kontrastin ndërmjet atyre, që mbjellin urrejtje e atyre që punojnë për lulëzimin e pajtimit e të paqes, Benedikti XVI theksoi se është thellësisht i shqetësuar për krizën e re në Gazë, pas sulmit izraelit kundër “Freedom Flotilla” e se, ashtu si bashkësia ndërkombëtare, e dënon këtë akt të ri dhune. Duke pohuar se i ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit tragjike e duke shprehur ngushëllimin për viktimat, Papa ngriti zërin me forcë: “Përsëris edhe një herë, me shpirt thellësisht të trazuar, se dhuna nuk u jep fund grindjeve, por i thellon pasojat e tyre dramatike e lind dhunë të re. U bëj thirrje – vijoi Papa - të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi politike në nivel lokal e ndërkombëtar, të punojnë për të gjetur rrugëzgjidhje të drejta, përmes dialogut, në mënyrë që popullsitë e zonës të mund të jetojnë në kushte më të mira, në harmoni e në paqe”. Në çastet e katekizmit, Benedikti XVI foli përsëri për mendimtarët e krishterë të Mesjetës, duke e hapur faqen tek një nga figurat më të shquara, që pati një ndikim të jashtëzakonshëm mbi historinë e Kishës: Shën Toma i Akuinit. Për të theksuar rëndësinë e Shenjtit, Papa kujtoi një të dhënë, që flet vetë: Toma citohet 61 herë në Katekizmin e Kishës Katolike, duke u radhitur, kështu, i dyti, pas Shën Agostinit. Gjatë katekizmit, pasi kujtoi çastet kryesore të jetës së Shenjtit, ndërmjet të cilave, zgjedhja e rrugës rregulltare domenikane, Papa shpjegoi se Toma, që i ri, u shqua për shpjegimin e filozofisë aristotelike. Kompleksi universal i njohurive të tij, një herë i panjohur e më pas i zbuluar, u pranua me entuziazëm e pa kritikë nga disa, por edhe u kundërshtua fuqimisht nga të tjerë, që druheshin se ishte në kundërshtim me fenë katolike: “Toma i Akuinit, sipas shkollës së Albertit të Madh, kreu një veprimtari me rëndësi themelore për historinë e filozofisë e të teologjisë, madje mund të themi edhe për historinë e kulturës: studioi me fund Aristotelin dhe komentuesit e tij (…) duke dalluar ç’ishte me vlerë, nga ajo që ishte e dyshimtë, ose për t’u refuzuar plotësisht, duke treguar përkimet me të dhënat e Zbulesës së krishterë e duke përdorur gjërësisht e thellësisht mendimin aristotelik në shkrimet e tij teologjike. Si përfundim, Toma i Akuinit tregoi se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ekziston një harmoni e natyrshme”.
Në atmosferën e këtij debati kulturor, më i ndezuri i kohës, Toma u bë i njohur, falë dhantive të tij të shkëlqyera intelektuale, që e bënë njëkohësisht – shpjegoi Papa – një nga profesorët më të ndjekur në Paris; një nga dijetarët më të admiruar, deri nga kundërshtarët akademikë e, sidomos, një nga teologët më prodhimtarë. Prodhimi i tij letrar është vërtet i mrekullueshëm – komentoi Papa – siç e dëshmon vepra e fuqishme “Summa Theologiae” (Përmbledhje e teologjisë) që e bëri të pavdekshëm. E këtu Papa vërejti se, në kompozimin e shkrimeve të tij, Akuinasi ndihmohej nga disa sekretarë, ndërmjet të cilëve, Rexhinaldi i Pipernos, miku i tij i madh: “E kjo është edhe karakteristika e shenjtorëve: lidhin miqësi, sepse është një nga shprehjet më fisnike të zemrës njerëzore e ka në vetvete diçka hyjnore, siç e shpjegon vetë Toma në disa quaestiones të “Përmbledhjes së teologjisë”, në të cilat vlerëson lart: “Dashurinë e krishterë e miqësinë e njeriut, me Zotin në radhë të parë, e më pas edhe me qeniet që i përkasin Atij”.
Në përfundim – nënvizoi Papa - mund të themi se ishte mjeshtër i mendimit e model i mënyrës më të drejtë për të bërë teologji: ky është për Kishën Shën Toma, siç shkroi Gjon Pali II në “Fides ed ratio”. Por njëkohësisht ai qe i aftë edhe të fliste në mënyrë të thjeshtë e të kuptueshme, kur i drejtohej popullit, që ngarendte me kënaqësi për ta dëgjuar. Rrethanë kjo, që e shtyu Papën të bënte një nënvizim tejet të ndjerë:
“është vërtet një hir i madh, kur teologët dinë t’u flasin besimtarëve me thjeshtësi e frymëzim. Detyra e predikimit, nga ana tjetër, i ndihmon studiuesit e teologjisë për një realizëm të drejtë baritor dhe e pasuron kërkimin e tyre me stimuj të mprehtë ”.
Në përfundim të katekizmit, Benedikti XVI kujtoi disa takime kishtare me rëndësi të veçantë, duke nisur nga Solemniteti i Corpus Domini, që do të kremtohet nesër, në orën 19.00, me Meshën Shenjte, që Papa do ta kryesojë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, për të vijuar me procesionin deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›