Deklarata e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha: Shqiptarët do lëvizin pa viza në Schengen pavarësisht përpjekjeve të disa aktorëve për ta bllokuar atë

Do përmbushim brenda afatit kriteret shtesë të paraqitura nga Komisioni Europian
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha falenderoi sot ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Evropian, për mbështetjen e plotë që i dhanë dje propozimit të KE. “Me këtë rast falënderoj Ministrat e Brendshëm të BE, në veçanti Presidentin e radhës të këtij këshilli, Ministrin e Brendshëm të Spanjës, Rubalcaba, i cili mbajti premtimin që shprehu gjatë takimit me të në Dhjetor të vitit të kaluar për proçedimin pa vonesë të propozimit të Komisionit Europian”- tha Basha. Ai falenderoi me këtë rast qytetarët shqiptarë të cilët në një kohë rekord u pajisën me mbi 2,2 milion karta identiteti elektronike, 700 mijë pasaporta biometrike, Policinë e Shtetit për punën kolosale në luftën kundër krimit dhe sigurinë e kufijve, prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë dhe të gjithë organet ligjzbatuese, falë punës dhe përkushtimit të të cilëve u bë i mundur propozimi historik i Komisionit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. “Duke ndarë me çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë kënaqësinë dhe besimin tim si Ministër i Brendshëm për udhëtimin pa viza brenda këtij viti, dëshiroj t’i garantoj ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE për angazhimin e plotë të Shqipërisë për të përmbushur brenda afatit edhe kriteret shtesë të paraqitura nga Komisioni Europian”- deklaroi ministri i Brendshëm. Pyetjes së gazetarëve, nëse Belgjika e cila merr presidencën e radhës të BE, e sheh me skepticizëm liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Ministri Basha iu përgjigj se “me presidencën e ardhshme belge, sikundër me presidencën spanjolle, kam patur kontakte në nivelin e ministrave të Brendshëm dhe ministrave të Migracionit dhe ju deklaroj me përgjegjësi të plotë se Belgjika, sikundër vendet e tjera anëtare të BE, mbështet pa asnjë rezervë procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështet pa asnjë rezervë propozimin e Komisionit Europian. Prandaj shpreh bindjen e plotë se gjatë presidencës belge do të jemi edhe në fazën përfundimtare të marrjes së vendimit dhe futjes në veprim, duke lejuar lëvizjen e shqiptarëve pa viza brenda këtij viti”. Përsa i takon situatës politike në Shqipëri dhe ndikimin që ajo mund të ketë në vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi se “nga deklarata e komisionerit Fule, sikundër nga deklarata e komisioneres Malmstrom dhe nga të gjithë deklaratat e deritanishme të institucioneve europiane shihet fare qartë se nuk ka asnjë pengesë politike apo mungesë vullneti politik për të përfunduar me sukses procesin e heqjes së vizave, për të cilin tashmë ekziston edhe elementi më i rëndësishëm, propozimi pozitiv i Komisionit Europian”. “Ju them edhe njëherë se nga leximi i çdo deklarate të çdo institucioni europian dhe të çdo përfaqësuesi të vendeve anëtare del qartë se nuk ka asnjë pengesë politike dhe asnjë mungesë vullneti politik për të proceduar përpara me heqjen e vizave, veçanërisht tashmë që mbi tavolinat e tyre ndodhet propozimi pozitiv i Komisionit Europian, si gardian i portës dhe institucioni më i besueshëm në këtë drejtim. Dëshirën për të lidhur procesin e heqjes së vizave me situatën politike apo me kushte politike, unë e shoh si një përpjekje të dëshpëruar të fundit për të bllokuar procesin nga të njëjtët aktorë që u përpoqën ta bënin këtë edhe para të enjtes së kaluar, por që dështuan sepse e enjtja e kaluar faktoi se procesi i heqjes së vizave është një proces i pandalshëm dhe se shqiptarët do të lëvizin pa viza brenda këtij viti në hapësirën Schengen pavarësisht përpjekjeve të padenja të disa aktorëve për ta bllokuar atë. E kam fjalën për aktorë të brendshëm dhe jo të jashtëm”. Një pyetje tjetër e drejtuar për ministrin Basha gjatë konferencës për shtyp kishte të bënte me vijueshmërinë e luftës kundër kriminalitetit dhe sfidat që do të dalin pas liberalizimit të vizave. Basha u përgjigj se “lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit janë dhe mbeten prioritete kryesore të Policisë së Shtetit krahas sigurimit të rendit dhe sigurisë publike”. “Në këtë kuadër pas liberalizimit të vizave, para Policisë së Shtetit dalin detyra të reja edhe më të rëndësishme, sfida të reja që duhen kapërcyer. Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë nënkupton para së gjithash lehtësinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë në komunikimin e tyre me bashkëqytetarët europianë, por për Policinë e Shtetit shtrohen një sërë detyrash të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të luftës dhe goditjes së krimit, në veçanti krimit transnacional. Në këtë kuadër do të ketë një zbatim rigoroz të strategjive ekzistuese në veçanti të luftës kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe terrorizmit”- tha ministri i Brendshëm. Lidhur me përmbushjen e kritereve shtesë të përcaktuara nga Komisioni deri në kohën kur të vijnë ekspertët, ministri i Brendshëm, Basha deklaroi se “ne angazhohemi plotësisht për përmbushjen e të tre kritereve brenda afatit. Përsa i përket strategjisë, siç ju ka informuar tashmë edhe Kryeministri, ka përfunduar hartimi i draftit dhe së shpejti do t’i parashtrohet për miratim organeve përkatëse, Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave dhe Këshillit të Ministrave”. “Vlen të theksohet se kjo strategji është përgatitur me bashkërendim dhe koordinim të plotë me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë siç janë ata të IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin) dhe ekspertë të Bashkimit Europian. Për dy kritere të tjera, dua të theksoj edhe njëherë, janë tregues vazhdimësie, pra as nisin dhe as përfundojnë me liberalizimin e vizave por tregojnë se edhe gjatë muajve të verës shteti shqiptar nuk e braktis punën dhe shkon të bëjë banjë dielli, por vazhdon me përkushtim punën, e cila do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave. Nisur nga kjo shpreh bindjen e plotë se për këto tre kritere shtesë të cilat përkojnë edhe me sezonin e verës, në fund të sezonit të verës ministrat e Brendshëm do të mblidhen në tetor, do të kenë një propozim final nga Komisioni Europian, plotësisht në linjë me propozimin e parë për heqjen e vizave për shqiptarët”- u shpreh ndër të tjera ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian konfirmuan dje se për Shqipërinë s’ka asnjë rezervë, pasi janë plotësuar kushtet kryesore për liberlazimin e vizave. Një javë më parë, Komisioni Evropian miratoi vlerësimin pozitiv për vizat, duke i atashuar njëherazi 3 kritere të reja, të cilat duhen plotësuar për 2 muaj.
...