Banka Evropiane e Investimeve do kontribuojë financiarisht për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan

Marrëveshja, BEI akordon 50 milionë euro për rrugët rurale. Kryeministri Berisha priti misionin e Bankës Evropiane të Investimeve të kryesuar nga Zoti Dario Scannapieco
Kryeministri Sali Berisha ka pritur në takim misionin e Bankës Evropiane të Investimeve të kryesuar nga z. Dario Scannapieco, zëvendës President i Bankës. Kryeministri Berisha e ka vlerësuar të rëndësishëm kontributin e Bankës Evropiane të Investimeve për financimin dhe asistencën teknike për vendin tonë në një sërë projektesh të shtrira kryesisht në sektorin e infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizimeve, arsim, si edhe në sektorin energjetik. Kryeministri Berisha përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet ministrisë së Financës dhe Bankës Evropiane të Investimeve për financimin e “Projektit të Rrugëve Rurale” me një vlerë prej 50 milion Euro. Zoti Dario Scannapieco duke u ndalur në progresin e arritur në Shqipëri, theksoi ne mënyrë të veçantë punën e qeverisë në drejtim të përcaktimit të qartë të prioriteteve të zhvillimit të vendit, si dhe të identifikimit të projekteve për bashkëpunim. Zoti Dario shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e Bankës Evropiane për bashkëpunim të mëtejshëm për financim të projekteve të ardhshme, si projekti i rrugës Tiranë – Elbasan, projekti i by pasit të Fierit, projektit të mbështetjes dhe financimit të SME, të vazhdimit të financimit të projekteve në infrastrukturën ujore dhe energjetike,etj. Gjithashtu krahas financimit të projekteve dhe mbështetjes me asistencë teknike, z. Dario Scannpieco vuri në dukje se projekti i rrugës Tiranë – Elbasan është projekti i parë, i cili do të realizohet në kuadrin e programit të “Instrumentit te Financimit te Ballkanit Perëndimor”. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e tij për rëndësinë e rrugës Tiranë – Elbasan, jo vetëm si një segment i rëndësishëm i zhvillimit të korridori të tetë, por dhe si një segment i rëndësishëm i zhvillimit të boshtit të jugut, nënvizoi faktin se financimi dhe bashkëpunimi në projektet e infrastrukturës rrugore, të mbështetjes së investitorëve në fushën e energjisë, të mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, janë të një rëndë vitale për zhvillimin e rrjetit të infrastrukturës dhe të zhvillimit ekonomik te vendit.
...