E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Paloka: Në PD ka debate dhe demokraci të brendshme

Z.Paloka ndryshimet kushtetuese, dhe sidomos ato për zgjedhjen e Presidentit, kanë shkaktuar debate të forta në Grupin parlamentar të PD-së. Mendoni se në këtë rast ka ndikuar moskonsultimi aq sa duhet për këtë çështje, apo kemi të bëjmë me një grupim që është pozicionuar qartazi kundër lidershipit aktual të PD-së?
Dua të sqaroj që në fillim se as që bëhet fjalë për ndonjë grupim kundër lidershipit, dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë gazetarët dhe mediat. Fakti është se në ndryshimet kushtetuese për Presidentin, për mënyrën e zgjedhjes së tij, në zgjedhjet e fundit ku u zgjodh President zotëri Bamir Topi, kemi pasur një problem të madh, problem që mund të shkaktonte edhe krizë parlamentare. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është pikërisht shmangia e kësaj krize, pastaj vijnë opsionet që paraqiten për mënyrën se si do të shmanget. Praktikisht në grupin e PD-së ka dy variante. Njëri variant është ai i zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit, që në fakt është një opsion i vjetër i Partisë Demokratike. Ne e kemi kërkuar edhe më parë, dhe e kemi shfaqur një opsion të tillë. Ndërsa varianti tjetër është ai i zgjedhjes në Parlament, me shumicë të thjeshtë. Nxitimi i disa mediave për ta paraqitur këtë grup si grup kundërshtar ndaj Berishës, apo ndaj lidershipit të PD-së, është thjesht një tentativë për skup. Ka media të caktuara, që mezi presin të ketë grupime apo konflikte brenda PD-së. Janë ato media që, kur shahen me libër shtëpie në PS, thonë se ka demokraci të brendshme në PS. Ndërsa kur diskutohet normalisht në PD, nxjerrin grupe kundërshtare, përçarje brenda PD-së. Unë ju siguroj se nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë përçarje në PD, do të ketë diversitet mendimesh, sepse kjo është demokracia dhe kjo është fare normale, por në fund të fundit ne të gjithë kemi një qëllim, dhe të gjithë i qëndrojmë atij qëllimi të përbashkët.
Në paketën e paraqitur nga PD qëndrojnë edhe dy pika të tjera mjaft të rëndësishme, mocioni i besimit ndaj kryeministrit, si dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm. Po me këto dy pika, a jeni dakord?
Me pikat e tjera ne jemi plotësisht dakord. Pra është dakord i gjithë grupi i mazhorancës, dhe madje do ta mbështesim deri në fund këtë variant.
Ndryshimet në Kushtetutë, të lidhura këtë herë edhe me Reformën Zgjedhore, po trondisin marrëdhëniet e PD-së me aleatët...
Në fakt, sistemi që është paraqitur, pra proporcionali rajonal, mund të ketë krijuar probleme tek aleatët e PD-së, siç ka krijuar edhe tek aleatët e PS-së, por qëllimi i këtyre ndryshimeve është krijimi i një stabiliteti politik në vend, ç’ka do të thotë që të gjitha partitë të marin votat e tyre, pra të eliminohet fenomeni i “Dushkut”, që jo pak e ka dëmtuar politikën shqiptare deri më sot. Dhe, së dyti është krijimi i një mazhorance, e cila të ketë mundësi reale në qeveri. Në qoftë se shqiptarët votojnë për një krah politik, duhet që ai krah politik të ketë mundësinë të qeverisë pa kokëçarje. Këto janë dy qëllimet kryesore përsa i përket aleatëve, mendoj se mbi bazën e kushteve që ekzistojnë, rregullohen edhe koalicionet, por kjo është për një fazë të mëvonshme besoj.
Sistemi proporcional rajonal që nënkupton edhe aleanca paszgjedhore, a lë të hapur mundësinë e konkurrimit vetëm të PD-së, apo do të aplikohet formula e së djathtës italiane, për bashkim në një forcë të vetme?
Problemi i koalicioneve është një problem që duhet të konsultohet më pas, dhe formulat janë të ndryshme. Unë vetë kam dhënë një ide që PD të konkurrojë e vetme, dhe të gjithë aleatët e PD-së, ato që quhen parti të vogla, të krijojnë një grupim më vete, në mënyrë që të mos humbasin përqindjet e vogla të këtyre partive, si dhe koalicionet e bëra mes PD-së dhe aleatëve. Sigurisht që formula ka shumë, dhe mendoj se, pasi të jenë bërë bisedimet me aleatët, do të zgjidhet ajo më e përshtatshmja.
Mendoni se ka ardhur koha që kabineti “Berisha” të bëjë një riformatim?
Në bazë të momenteve që ne kalojmë, në bazë të reformave që duhet të realizojmë, ndryshimet duhet të jenë të vazhdueshme: qoftë edhe në qeveri. Ne sapo kemi marrë ftesën për në NATO, kemi një marrëveshje me BE-në, janë një sërë reformash që ende nuk kanë mbaruar. Kështu që ndryshimet duhen bërë edhe në vetë strukturën e qeverisë, jo thjesht në ndryshimin e emrave të ministrave.
Bisedoi: Silvana Tresa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›