E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare – presidenti do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë

Rrymat e linjës së ashpër politike që bazohet tek obstruksioni politik, kanë filluar të japin efektet e para në gjirin e lidershipit aktual të selisë rozë duke bërë që befas Partia Socialiste të shfaqë “frikën” se paketa e saj e propozimeve për reformën zgjedhore nuk do të mund të marrë votat e mjaftueshme për të kaluar provën në Kuvend. Pavarësisht premtimeve të hershme të Kryeministrit Berisha se do të mbështesë çdo nismë të opozitës për sistemin zgjedhor, PS i frikësohet votave të mazhorancës duke parë përçarjen e saj kohët e fundit. Këtë qëndrim ka artikuluar dje Kastriot Islami, bashkëkryetar i Komisionit për reformën Zgjedhore dhe iniciator i paketës së propozimeve të PS-së. Ai i kërkoi dje Berishës që “të angazhohet për miratimin e paketës së miratuar në Komisionin e Ligjeve. Duhet të shprehet qartë kundër këtij dyzimi për të hequr çdo lloj dyshimi, që ai vetë ndodhet prapa kësaj shfaqjeje joserioze, ku PD luan me dy porta dhe që në thelb do të prishte vendimmarrjen e konsensusin e arritur dhe do të hidhte në erë reformën zgjedhore. Të artikulojë qartësisht qëndrimin e angazhimin e PD e të mazhorancës që drejton për të miratuar të gjithë amendimet e miratuara me konsensus në Komisionin e Ligjeve, veçanërisht ato që lidhen me nismën e PS-së për sistemin zgjedhor”. Islami bëri të qartë se problemi qëndron tek futja në paketën e PS-së dhe propozimet e një pjesë të PD-së për ndryshime të tjera në Kushtetutë, që nuk kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, por me zgjedhjen e Presidentit, mocionet e Kryeministrit dhe mandatin e Kryeprokurorit. Ai bëri të qartë se negociatorët e PS-së kërkuan ndarjen e dy nismave dhe respektimin e procedurave konform Kushtetutës dhe një proces të arsyeshëm konsultimesh e debati për nismën e PD-së. “Por me insistimin e PD për të ndërlidhur të dyja nismat, PS-së pranoi të bëhej pjesë e shqyrtimit duke u përqendruar në rëndësinë e thelbit të kësaj reforme politike, pra miratimin e sistemit zgjedhor dhe konsolidimin e sistemit politik”, - tha ai. Duke paragjykuar, sikur PD ka dy qëndrime të kundërta për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, ai hedh dyshimin se kjo është një mënyre për të dështuar gjithë paketën e propozimeve, duke rrëzuar kështu dhe ato të PS-së për reformën zgjedhore. Duke folur për dyzimin që ekziston brenda PD-së, Islami tha se “ky dyzim ka krijuar perceptimin dhe dyshimin se prapa këtyre mosmarrëveshje midis grupimeve të ndryshme në PD qëndrojnë hilet e politikës së vjetër që kërkojnë të hedhin në erë këtë paketë amendimesh, dhe më konkretisht e kryesisht reformën zgjedhore”. Kërkesat për Berishën:Të shprehet qartë kundër këtij dyzimi, për të hequr çdo lloj dyshimi që ai vetë ndodhet prapa kësaj shfaqjeje joserioze, ku PD luan me dy porta dhe që në thelb do të prishte vendimmarrjen e konsensusin e arritur dhe do të hidhte në erë reformën zgjedhore. Të artikulojë qartësisht qëndrimin e angazhimin e PD-së e të mazhorancës që drejton për të miratuar të gjithë amendimet e miratuara me konsensus në Komisionin e Ligjeve, veçanërisht ato që lidhen me nismën e PSSH-së për sistemin zgjedhor. Nuk dihet me siguri se cili është kontributi real i kryesocialistit Rama në këtë manovër që përveçse tenton që ta nxjerrë PS-në një një pozicion më komod në raport me aleatët e vet politikë që kohët e fundit janë tejet të turbullta, megjithatë nuk është e rastit që ashpërsimi i komunikimit ndodh sa herë që dikush haptazi bezdiset nga kjo klimë bashkëpunimi.
Bogdani: Kryesia e PD ka miratuar unanimisht zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë/Partia Demokratike ka garantuar dje Partinë Socialiste se s’ka asnjë kurth votash për paketën e saj të propozimeve për reformën zgjedhore. PD e konsideroi një trillim deklaratën e bashkëkryetarit socialist të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, i cili akuzonte Berishën se po minonte ndryshimet e propozuara nga PS. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, tha në një konferencë për shtyp, se “bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, ndërmori sot një sulm të paprinciptë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht Kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar atë për një puç konstitucional apo për një kurth që do t’i bëjë reformës së ndërmarrë zgjedhore”. Duke e cilësuar deklaratën e Islamit një trillim tërësisht të pabazë, Bogdani sqaroi se “kryesia e PD-së, në mbledhjen e saj më 17 prill, vendosi në unanimitet të plotë, pa asnjë votë kundër, të mbështesë paketën e propozuar nga Komisioni i Ligjeve, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjen e Presidentit me tre të pestat e votave në tre raundet e para dhe në dy raundet e fundit me 70 plus 1”. Këtë qëndrim të kryesisë, vijoi ai, kryetari i PD-së, i cili e ka mbështetur gjerësisht, ia ka bërë të qartë gjithë opinionit publik dhe grupit të tij parlamentar menjëherë pas mbledhjes së kryesisë. “Këtë qëndrim z. Berisha e konfirmoi dhe në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin çek”, - përfundoi zëdhënësi i PD-së. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi në tërësi me shumicë votash, të premten në mbrëmje, paketën e ndryshimeve në Kushtetutë, të propozuara nga PD dhe PS, të cilën ia përcolli për miratim seancës plenare të Kuvendit. Përfaqësuesit e PBDNJ-së dhe LSI-së votuan kundër këtyre ndryshimeve. Amendamenti më i rëndësishëm i miratuar në komision lidhej me procedurat e zgjedhjes së Presidentit, për të cilin u paraqitën dy variante. Varianti i parë ishte formula e përfshirë në draftin PD-PS, sipas të cilit votimi në Kuvend i Kreut të shtetit të bëhet me pesë raunde. Në tre raundet e para votimi të jetë me 3/5, ose me 84 vota dhe në rast se nuk arrihet kjo shumicë, në dy raundet e fundit (4 dhe 5) Kuvendi ta zgjedhë Presidentin me shumicë të thjeshtë (70+1 vota). Për këtë variant votuan pro shumica e deputetëve në komision. Ndërsa varianti tjetër, i propozuar nga një grup deputetësh të djathtë, që propozonte zgjedhjen e Presidentit nga populli, u rrëzua në komision. Megjithatë të dy variantet do t'i përcillen për shqyrtim seancës plenare të Kuvendit. Ndërkohë, ndryshimet e tjera kushtetuese të miratura konsistonin në përcaktimin e periudhës zgjedhore (neni 65). "Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit", thuhet në amendimin e këtij neni. Ndërsa, amendimi Kushtetutës për mocionin e besimit dhe mosbesimit ndaj kryeministrit, parashikon ndërhyrje në nenin 104 dhe 105.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›