Intervista/Petraq Milo: “Me PS na ndan filozofia për reformën fiskale”
Këshilltari i Kryeministrit: Edi Rama si kryebashkiaku i Tiranës të argumentojë pse ka katërfishuar taksat. Eshtë detyrë e Bashkisë së Tiranës që të jetë transparente me bizneset dhe qytetarët dhe jo t'i kërcënojë ata se do të ua vjel me çdo kusht detyrimet financiare
Zoti Milo cila është e vërteta mbi tatimin 10% për biznesin e vogël? Në kuadrin e reformës fiskale të filluar në vitin 2005 programi i qeverisë ishte e para ulja e barrës fiskale dhe së dyti barazia e trajtimit në të njëjtën shkallë pagese të detyrimeve fiskale për të gjitha subjektet duke filluar nga individët, bizneset e vogla, të mëdha. Ajo që kërkohej duke pasur parasysh problemet fiskale të shfaqura në periudhat e mëparshme të qeverisjes socialiste, ishte ulja e barrës së rëndë fiskale e cila kishte prodhuar ndërmjet të tjerave informalitet si dhe trajtimi jo i barabartë i subjekteve. Po ta analizojmë këtë program në kuadrin e biznesit të vogël në kufijtë nga 2 në 8 milion, atëherë momenti i parë është ulja e barrës fiskale nga 3% në 1,5% të qarkullimit apo të ardhurave të tyre dhe momenti i dytë është që jo vetëm për ta por për të gjitha bizneset është formalizmi i plotë i tyre. Domethënë që për bizneset e vogla nga 2 në 8 milion dhe këta detyrimisht duhet të futen në trajtimin fiskal real apo normal, dhe jo më të llogaritjes së detyrimit të tyre mbi bazën e një treguesi të përgjithshëm atij të qarkullimit por të marrjes parasysh të zërave të tjerë të aktivitetit të tyre respektivisht të shpenzimeve të tyre si dhe detyrimet e tyre gjatë ushtrimit të aktivitetit. Pra të nevojës për rritjen e transparencës së llogaritjes së detyrimit fiskal të tyre, që deri përpara nuk realizohej. Por rritja e transparencës apo llogaritjes reale të detyrimit nuk presupozon absolutisht jo rritjen e barrës fiskale, por nënkupton ndryshimin e metodës së llogaritjes së detyrimit të tyre fiskal, atë të llogaritjes duke pasur parasysh të ardhurat dhe shpenzimeve. Diferenca ndërmjet këtyre treguesve si dhe në rastin e subjekteve të tjera do të tatohet me 10% normë e tatimit si në rastin e të ardhurave personale, si tatimi për korporata, si tatimi mbi të ardhurat e tjera. Detyrimet e reja do të llogariten vetëm mbi detyrimin 10% të diferencës ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve dhe nuk do të ketë absolutisht aplikimin e dy detyrimeve. Kuptohet që fillimisht në rastin kur ato e kanë paguar një detyrim-tatim të llogaritur mbi 1,5% të xhiros së tyre vjetore, ku do të merret parasysh dhe detyrimi real, do të përcaktohet si diferencë ndërmjet detyrimit që rezulton nga llogaritja sipas kriterit 10% dhe detyrimit të paguar sipas kriterit të mëparshëm. Në qoftë se detyrimi sipas kriterit të 10% do të jetë me i ulët se detyrimi i paguar sipas llogaritjes me 1.5% të xhiros, atëherë bizneset do të rimbursohen për këtë shumë, ose në të kundërt. E rëndësishme është të kuptohet që nuk kemi një mbivendosje, nuk kemi një dyfishim, ashtu siç u prezantua nga Zoti Rama, nuk kemi një shtim, përkundër kemi një formalizim të plotë dhe mendoj që është një hap tepër i suksesshëm i reformës fiskale të ndërmarrë. Kuptohet që kjo masë duhet për tu përshëndetur për faktin se shumë të shpejt dhe një kohë rekord ne fillojmë të realizojmë formalizmin e plotë, edhe të kësaj pjese biznesi, dhe se zgjerojmë parimin e trajtimit të barabartë për të gjithë subjektet Pra sipas jush Rama si kryebashkiak dhe kryetar i PS-së po hedh baltë mbi reformat fiskale të qeverisë? Rama e di shumë mirë se reforma fiskale të qeverisë është një nga reformat më të suksesshme të kësaj mazhorance, dhe ai mundohet të bëje zhurmë që të hedh baltë mbi të. Politika fiskale e qeverisë aktuale së djathtë, tregoi që jo vetëm mund të adresoheshin probleme fiskale të mbartura me vite nga korrupsioni galopant që e kishte karakterizuar deri në vitin 2005, dhe se ulja e barrës fiskale do të ndikonin jo vetëm në formalizimin e ekonomisë, por dhe në rritjen e të ardhurave gjë që u konsiderua nga një skepticizëm të plotë nga e majta. Realizimi i të ardhurave në raport me prodhimin e përgjithshëm bruto, kapërceu nga 24% në rreth 29% për vitin 2009. Kemi një rritje sasiore tepër të rëndësishme të të ardhurave në një situatë të një barre fiskale të përgjysmuar, domethënë; një taksë mbi biznesin të përgjysmuar, taksë 10% dhe uniforme mbi të ardhurat personale duke pasur parasysh nivelin 25% të saj, taksë mbi korporatat 10% uniforme dhe më shumë se e përgjysmuar duke pasur parasysh nivelin 25% të saj. Taksa mbi punën ose kontributi i sigurimeve shoqërore i cili do të shkoj 15% me 1 maj të 2009 që përsëri më shume se përgjysmim pasur parasysh nivelin e saj mbi 32%. Politika fiskale ishte një nga sukseset e kësaj Qeverie, e cila është evidentuar jo vetëm nga rezultatet por edhe nga raportet e të gjithë ekspertëve ndërkombëtar, raportet e organizmave prestigjioze ndërkombëtare, duke rreshtuar vendin tonë si një vend që ka realizuar një progres që e rendit atë në vendet e para. Kuptohet është e pritshme që Zoti Rama në rrathë të parë do të sulmojë këtë politikë. Nuk mund të shpjegohet ndryshe dhe është e pa logjikshme që të akuzosh një Qeveri që rrit taksat ndërkohë që në të gjithë filozofinë e saj, në gjithë programin e saj fiskal, ajo e ka afishuar dhe e ka realizuar qartë përgjysmimin e detyrimit fiskal, si tatimin mbi punësimin - kontributit të sigurimeve shoqërore, tatimi për korporatën, të të ardhurave personale apo të biznesit të vogël. Qeveria nuk mundet as nuk ka menduar ndonjëherë të rris taksën mbi biznesin e vogël, përkundrazi, ajo çka bërë e theksova më parë është futja në një formalizim dhe barazi të plotë të të gjithë subjekteve tatimpaguese. Zoti Rama ka edhe diçka tjetër, ndoshta ai sulmon me teorinë që mbrojtja më e mirë është sulmi. Ai kërkon qartazi të zhvendos vëmendjen nga zbatimi i politikës së tij për rritjen e taksave në Bashki, një politikë jo transparente dhe e rritjes së detyrimit të barrës ndaj qytetarëve dhe biznesit. Pra zoti Milo, këtu kemi të bëjmë me dy filozofi të ndryshme sa i përket reformës fiskale? Politikat konkrete të cilat ai realizon në bashki si një institucion apo njësi administrative tejet të rëndësishme do të thosha që kemi të bëjmë qartazi me një politike jo vetëm krejt e kundërt me atë të së djathtës por dhe gjithashtu krejtësisht në drejtim të kundërt me rekomandimet e Grupit të 9 apo Grupit 20. Rekomandimet e tyre që në vitin e kaluar kanë qenë përqendruar përgjithësisht në dy drejtime kryesore, atë të uljes së barrës fiskale si dhe të një politike buxhetore të kontrolluar, e karakterizuar nga forcimi i parimeve të transparencës, të argumentimit të gjitha zërave të shpenzimeve, të investimeve, dhe në mënyrë të veçantë të shpenzimeve administrative. Politika e Zotit Rama në drejtimin e bashkisë ofron qartazi një politike të rritjes së barrës fiskale për të financuar rritjen e shpenzimeve jo transparente dhe jo produktive. E rëndësishme është dhe se çfarë Zoti Rama transmeton me politikën e tij si udhëheqësi i së majtës tek qytetaret? Kjo është e rëndësishme për të kuptuar se çfarë do të pritet nga e majta në zbatimin e programit ekonomik të saj, një politikë të rritjes së barrës fiskale dhe jo transparencë në përdorimin e këtyre të ardhurave? Zoti Rama nuk mund të ketë një politikë për bashkinë dhe një politike tjetër për qeverinë. Kemi dy filozofi të ndryshme, ose do të thosha kemi dy filozofi një filozofi e së djathtës dhe një filozofi e së majtës së Zotit Rama. Ka një filozofi të së djathtës që shprehet dhe mishërohet tërësisht në programin e partisë demokratike dhe aleatëve të saj që është tejet e qartë ulja e barrës fiskale, mbështetje e drejtë për drejtë për biznesin dhe faktor për zhvillimin ekonomik. Ulja e barrës fiskale e shoqëruar me uljen e formalitetit dhe rritjen e të ardhurave për të mbështetur rritjen e investimeve dhe zgjerimit të politikave sociale. Ndërsa ajo që Zoti Rama transmeton me rritjen apo më saktë me trefishimin apo katërfishimin e tarifave në Bashki brenda harkut kohor të tre vjetëve të tarifave të ndryshme është as më shumë as me pak por një mesazh i qartë i një filozofie tjetër diametralisht e kundërt me atë të së djathtës. Është krejtësisht e kundërt me rekomandimet që jepen në rastin e mbështetjes së biznesit për të mos rritur koston e tyre por të tentohet në lehtësimin e tyre, krejtësisht të kundërt ndaj rekomandimeve që jepen në një situate të informalitetit apo shkallës së ulët të mbledhjes së detyrime, në këtë rast nuk është politikë e drejtë trefishimi apo katërfishimi i tarifave por mbajtja e tyre në të njëjtin nivel apo ulja e tyre në mënyrë që të ulet informaliteti dhe të rriten të ardhurat lokale. Në qoftë se ka probleme në realizimin e të ardhurave lokale të Bashkisë problemi nuk qëndron në nivelin e ulët të tyre por në mos gjetjen e mënyrave apo metodave bashkëkohore apo efikase të mbledhjes. Nuk mund të rriten të ardhurat duke zbatuar politika jo efiçente si ajo e rritjes së tarifave pa një argumentim serioz. Së fundi, në parim ka një qëndrim të qartë për sa i përket detyrimit për edukimin e subjekteve tatim pagues si nga pushteti Qendror apo ai lokal. Është parimi i qartësimit dhe i informimit për njohjen e ligjit apo vendimeve, dhe jo konfuzioni apo amullia. Të dy nivelet qeverisëse kanë për detyrë në kuadrin e edukimit tatimpaguesve ta bëjnë transparente dhe të plotë të vërtetën e akteve ligjore. Rama nuk e ka të miratuar buxhetin e bashkisë ndërkohë që vazhdon një politikë të rritje së taksave? Sigurisht folëm për politikat fiskale në kuptimin e dy praktikave të ndryshme, e njëjta është dhe me politikën e miratimit apo administrimit të buxhetit. Në radhë të parë është një buxhet që me sa jam i informuar nuk është miratuar sipas parimeve demokratike dhe të transparencës. E dyta buxheti është mbështetur mbi një plan të ardhurash që bazohet në rritje në mënyrë drastike të tarifave si ajo e gjelbërimit, e pastrimit apo e lokaleve, etj. Tarifat e bashkisë rezultojnë të rriten në mënyrë drastike si në numër dhe në madhësinë e tyre të cilat janë një rritje e drejtë për drejtë e kostos për bizneset dhe qytetarët, e kundërt e zbatimit të programit të Qeverisë jo vetëm të uljes së masës së detyrimit fiskal por dhe zvogëlimit plotësisht të numrit të taksave nacionale apo uljes së tarifave në nivelin e 1 Euro. E rëndësishme është dhe aspekti tjetër ai i mos argumentimit të rritjes së këtyre tarifave, si ajo e gjelbërimit apo pastrimit. Duke qenë tarifa masa apo niveli i tyre ka për bazë koston dhe jo që trefishimi apo katërfishim i tyre të miratohet thjeshtë mbi qëllimin e rritjes së të ardhurave dhe jo atë të rritjes apo argumentimit mbi bazën e dinamikës së kostove. Kjo është mënyra më e keqe e administrimit. Bashkia duhet të argumentohet në mënyrë transparente para strukturave dhe qytetareve se tarifat e gjelbërimit po ti marrim si shembull se sa është rritur sipërfaqja e gjelbër për të justifikuar rritjen e kostos dhe mbi këtë bazë te rritjes se tarifës së detyrimit që do mbledhësh ndaj taksapaguesve. Në qoftë se nuk ka absolutisht një rritje të sipërfaqes se gjelbër apo përmirësimit cilësor të pastrimit atëherë mbi ç’bazë mund të rriten këto tarifa? Apo ti trajtosh rritjen e tyre si një element për të rritur të ardhurat. Dhe pikërisht këtu vjen konfuzioni i dytë në të cilat bashkia hidhet dhe thotë që tarifat nuk janë taksa. Pikërisht se tarifat nuk janë taksa, dhe pagesa e tyre del nga xhepat e tatim paguesve që është katërçipërisht e detyrueshme që të jepen shpjegime apo argument për rritjen e tyre? Mos vallë kostot e tyre janë dyfishuar nga një vit në tjetrin? Pra, tarifat është e vërtet që nuk janë taksa por duhet të trajtohen si detyrime për t’u paguar që kanë në bazë koston për shërbimin e ofruar qytetareve. Këto tarifa nuk kanë norma jo reale dhe mund të rriten në funksion të nevojës për ti rritur shpenzimet. Prandaj themi që ka një keqadministrim total fiskal. Mendoni se ka një spekulim ndërmjet tarifës dhe taksës? Sigurisht që po, për arsye që dihen që taksat janë detyrime të pakthyeshme, detyrime qytetare dhe të subjekteve për të mbledhur të ardhura në mënyrë që të financohen shërbime publike siç janë arsimi, shëndetësia, që nuk janë të pagueshme, janë shërbime publike, janë detyrime të Qeverisë kryesisht qendrore dhe lokale. Ndërsa tarifa në bazën e saj ka koston, koston e shërbimeve të ofruara kryesisht nga pushtete lokale për shërbime publike si gjelbërimi apo pastrimi pra nuk është një shërbim falas. Duke pasur për bazë koston këto tarifa nuk kanë si qëllim rritjen e të ardhurave të pushtetit lokal për financimin e shpenzimeve të kryera për këto shërbime. Atëherë në qoftë se janë elementë të mbulimit të kostos, duhet të argumentonte bashkia se pse është 3 fishuar apo 4-fishuar kosto e këtyre shërbimeve ? Për të mbuluar shpenzime joefiçiente të ndërmarrjeve publike? Për të mbuluar shpenzime të tjera që nuk kanë të bëjnë me ofrimin më cilësore të shërbimeve të gjelbërimit apo pastrimit apo për të financuar shpenzime të tjera? Kjo është një politikë shumë e vjetër, arkaike do të thosha që nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët me rritjen e efiçencës apo transparencës së politikave fiskale.
...