Kjo javë do të jetë ë ngjeshur në kuvend

Punimet e Kuvendit gjatë kësaj jave pritet të vijojnë me shqyrtimin në komisione dhe në seancë plenare të një numër projektligjesh të sjella nga qeveria dhe të parashikuara edhe në axhendën trejavore të parlamentit. Projekti "Për gjykatat administrative", i cili pritet t'i përcillet të enjten seancës plenare, është një nga draftet e rëndësishëm, që ende nuk është miratuar nga Kuvendi, ndonëse prej disa muajsh vazhdon të qëndrojë i depozituar në komisionin e Ligjeve. Pak ditë më parë, ky draft, i përmirësuar në nene të veçanta nga Ministria e Drejtësisë, u paraqit sërish në komision me qëllim miratimin e tij në Kuvend brenda kësaj Legjislature. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj e prezantoi p/ligjin, i cili reflektonte propozimet e ndërkombëtarëve dhe të PS-së. Shqyrtimi i draftit u shty për në fillim të kësaj jave me kërkesë të opozitës, e cila kërkoi më tepër kohë për t'u njohur me ndryshimet e bëra në projekt. Projektligji "Për gjendjen civile", është një tjetër draft që pritet të kalojë në seancën e së enjtes. Risia kryesore e tij është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, një bazë unike të dhënash elektronike. Ai përbën një bazë të rëndësishme në forcimin e shtetit ligjor, në procesin e stabilizim-asocimit dhe në krijimin e mundësive konkrete për rritjen e besueshmërisë, në dokumentat identifikuese të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, p/ligji parashikon edhe krijimin e Regjistrit Kombëtar të Adresave, i cili do të shërbejë për të pasur një kontroll të qartë territorial të vendit dhe të banesave të qytetarëve. P/ligje të tjera që pritet të kalojnë në seancë plenare janë ai "Për planifikimin e territorit", i cili ka për qëllim nxitjen, mbështetjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe burimeve njerëzore, p/ligji "Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar" etj.
...