E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurenca në Durrës ul ndjeshëm çmimet e udhëtimeve me tragete

Çmimet e biletave të udhëtimit me tragete nga porti i Durrësit që nga fillimi i këtij viti, kanë pësuar një ulje të ndjeshme si pasojë e konkurencës mes kompanive private të lundrimit. Specialistët e agjencive të udhëtimit pohojnë se rënia e çmimeve ka nisur në fillim të këtij viti dhe udhëtarët që preferojnë të udhëtojnë me tragete, mund t'u drejtohen porteve italiane me çmime 30-50% më të ulta, karahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2008. Sipas drejtorisë rajonale të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, në periudhën janar-13 prill në portin e Durrësit janë përpunuar rreth 890 tragete, ose 120 më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2008. Afro 170 mijë udhëtarë dhe 43 mijë automjete kanë përfituar nga çmimet në rënie, ndërsa një pjesë e tyre tashmë i “blejnë” biletat on-line duke shmangur agjencitë dhe duke marrë informacionet e nevojshme nga interneti. Eksperti Edmond Basho tha se: "bashkë me rënien e çmimeve të biletave për udhëtarët, ka pësuar ulje të ndjeshme dhe biletat e transportit të automjeteve". Shtimi i numrit të kompanive ka ardhur si pasojë e politikave që Autoriteti portual në Durrës nisi të aplikojë para një viti. Pagesat vjetore të tarifave ndaj Autoritetit portual ka bërë që  kompanitë lundruese t'a shohin Durrësin si port të përhershëm, duke rritur ndjeshëm numrin e trageteve në çdo stinë të vitit. Si rrjedhojë, tragetet dhe katamaranët janë të shumtë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në periudhat e pushimeve të verës dhe dimrit. Për ekspertët, edhe kriza ekonomike globale është një element tjetër që i jep vlerë Durrësit si një port i favorshëm, ku kompanitë e huaja të lundrimit në kushtet e konkurencës, nuk duan të vonohen më. Rritja e numrit të trageteve ka ndikuar në rritjen e konkurencës, që është reflektuar në uljen e çmimeve dhe në përmirësimin e shërbimeve.  Këtë e ndjejnë më shumë udhëtarët, veçanërisht ata që për motive pune udhëtojnë shpesh me tragete. Shoferi P. M në një firmë italo-shqiptare thotë se në fillim të vitit gjeti një ofertë shumë të mirë, e cila e ul me rreth 40% çmimin e lëvizjes, përfshirë edhe lehtësitë që kanë kamionistët si udhëtarë të përhershëm. Eksperti Basho thekson se pas gati 15 viteve, në tregun e trageteve kanë filluar reklamat e ofertave mjaft të leverdisëshme ku çmimet e lundrimit të udhëtarëve bashkë me autoveturën ulen deri në 50%. Të tjerë ofrojnë biletat e kabinave të klasit të parë me të njejtin çmim me të cilin një kompani tjetër ofronte vetëm udhëtimin në poltronë. Basho mendon se kjo pasqyron rënien e monopoleve, çka lehtëson udhëtarët shqiptarë dhe të huaj që shfrytëzojnë lundrimin me tragete, veçanërisht përparësinë e transportit me to edhe të automjeteve të çdo lloji.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›