E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Politika të mësojë të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Atëherë, kur vendimi ndodh që vjen kaq vonë, përse duhet një vendim i Gjykatës Kushtetuese?
Zgjidhja e dhënë nëpërmjet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse e vonuar, gjë që nuk duhet inkurajuar, ka efekt të dyfishtë. Në radhë të parë, ajo, për aq sa është e mundur, ndalon ardhjen e pasojave që lidhen me një situatë konkrete, dhe, në radhë të dytë, çka është mjaft e rëndësishme, parandalon ardhjen e pasojave të ngjashme në të ardhmen.

Kemi vënë re se politika përditë e më pak po komenton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Vjen kjo nga një frikë, apo nga një mosvlerësim i vendimmarrjes së saj?
Mendoj se asnjë nga arsyet nuk qëndron. Më kujtohet këtë çast thënia e një gjyqtari kushtetues gjerman, Prof. Hasemmer, që ka vizituar Shqipërinë para disa vitesh. Gjatë një konference për shtyp, një gazetar e pyeti se ç’bënte politika dhe media gjermane, pasi Gjykata Kushtetuese shpallte një vendim. Hasemmer iu përgjigj: “Kur flet Gjykata Kushtetuese, gjithçka në Gjermani hesht”. Atëherë m'u duk e vështirë për t’u zbatuar në realitetin shqiptar. Por, pas këtyre viteve, ajo që shoh dhe konstatoj bindshëm është se politika shqiptare, po bëhet përherë e më e ndërgjegjshme mbi rolin e Gjykatës Kushtetuese. Përditë e më tepër politika dhe publiku po respektojnë atë që sanksionon Kushtetuta se: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare” (Neni 132/1 i Kushtetutës).

A mund të na tregoni diçka mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese? Si kanë qenë vendimet dhe a ka pasur ndër to në favor të ndonjë force politike?
Një pjesë e mirë e kërkesave që vijnë në Gjykatën Kushtetuese përmbajnë dy ose më shumë kërkesa. Për të qenë korrekt, duhet të themi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, brenda së njëjtës kërkesë, pranojnë një pjesë të saj dhe rrëzojnë pjesën tjetër, ose kur kemi disa kërkesa ndodh të pranohet një pjesë e tyre dhe të rrëzohen të tjerat.
Meqë jemi në këtë moment, Gjykata Kushtetuese sapo ka dhënë vendimin e saj lidhur me kërkesën e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe të shumë subjekteve të tjera, të cilat ankimuan nene të ligjit “Për procedurat tatimore”, ose siç quhet ndryshe ligji i gjobave. Gjykata nuk pranoi kërkesën e pezullimit të ligjit dhe kjo u keqkuptua në raport me gjithë kërkesën. Disa të përditshme shkruan se Kushtetuesja rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e ligjit, kur në fakt u rrëzua vetëm kërkesa për pezullimin, kurse në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese vlerësoi të drejtë kërkesën dhe vendosi shfuqizimin e normës së ankimuar. Ka plot raste të tjera si këto. Pra, ka keqkuptime mediatike, por që nuk mendoj se përkthehen kështu dhe nga publiku dhe politika, që sqarohen shpejt për vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Përse ndodh kjo?
Arsyet janë të ndryshme. Ka nxitime nga gazetarët, të cilëve ju duhet në të njëjtën kohë të jenë nga një lajm tek tjetri, politika të ndryshme editoriale, pa përjashtuar këtu dhe ndonjë abuzim, që për fat, ndodh rrallë. Po të shtojmë këtu dhe politikën, që në vetvete ecën shpejt, shpesh dhe e nervozuar, subjektivizmat kuptohen. Por mes gjithë këtyre, dua të ritheksoj, se në monitorim shumëvjeçar të situatës për të cilën flasim, ka një ndërgjegjësim të të gjitha grupeve të interesit për veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese.
Politika referohet në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe përpiqet ta zbatojë atë në ecjen e saj, media përditë e më shumë është korrekte kur shkruan për vendimet e saj dhe publiku ka rritur shkallën e njohjes dhe besimit tek ajo. Kjo duket dhe tek rritja e numrit të kërkesave që vijnë në Gjykatën Kushtetuese nga individët, në bazë të Nenit 131/f të Kushtetutës, për të cilën folëm në fillim.

Cili ka qenë roli i Gjykatës Kushtetuese në këtë ndërgjegjësim të të gjithë shoqërisë shqiptare?
Mendoj se është një proces i rritjes së përbashkët, ku secili, më shumë e më pak, kërkon dhe kontribuon në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e ligjeve. Në këtë qëllim të përgjithshëm, Gjykata Kushtetuese ka dhënë padyshim një kontribut të rëndësishëm, duke u përpjekur të jetë jashtë ndikimeve politike. Kjo jo vetëm për faktin se gjyqtari kushtetues vjen anëtar si konsensus i Parlamentit (gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Neni 125 i Kushtetutës”), por dhe për bindjen e tyre të brendshme se qenia anëtar i Gjykatës Kushtetuese është një mision që shkon përtej interesave të partive. Kjo punë dhe përgjegjësi e gjithë trupës gjyqësore dhe aparatit ndihmës është dhe e vlerësuar tashmë. Raporti i Progresit të BE për Shqipërinë në 2007, vlerësoi pozitivisht punën e institucionit tonë, duke deklaruar se: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë kontribuar në zhvillimin e jurisprudencës për decentralizimin, në rolin e komisioneve hetimore parlamentare, rolin e pushtetit ekzekutiv në raport me organet e pavarura shtetërore, si dhe në standardet për nxjerrjen e akteve normative të qeverisë’.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›