Kod i ri moral për pronat dhe legalizimet
Pavarësisht ndryshimeve të bëra, bazuar tek sugjerimet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe grupeve të interesit, mazhoranca dhe opozita nuk mundën dje të gjejnë konsensus për amendamentet e ligjit të legalizimeve. Kompetencat e pushtetit vendor ka qenë edhe nyja e dështimit të negociatave dje paradite në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Sipas përfaqësuesve të opozitës, qeveria dhe mazhoranca i jep Agjensisë së Legalizimeve edhe kompetencat e bashkive e komunave në procesin e legalizmit, gjë që është antikushtetuese. “Ne si opozitë vazhdojmë të kundërshtojmë parimisht kalimin e kompetencave të pushtetit vendor te ALUIZNI, dhe kjo përbën një nga defektet kryesore të pr/ligjit”, tha deputeti socialist Ylli Bufi. Projektligji përveçse përcakton në mënyrë të qartë procedurat dhe afatet e kompensimit financiar të ish-pronarëve, i jep një shtysë procesit të legalizimit duke detyruar njësitë vendore që pavarësisht përkatësisë politike të përfundojë në kohë përfundimin e të gjithë modaliteteve. Në të kundërt, ALUIZNI dhe degët e saj në rrethe marrin të gjitha kompertencat në dorë. Kësisoj vetëm me votat e shumicës projektiligji për legalizimin e zonave informal është kaluar në komision. Ndërkaq vetë kryeministri Sali Berisha, e vlerësoi ligjin për legalizimin dhe ligjin për titujt e pronësisë në bujqësi, si dy ligje jashtëzakonisht të rëndësishëm, me të cilët siç cilësoi kreu i qeverisë “ne shtyjmë qartësisht përpara reformën e pronësisë”. “Në ligjin për legalizimin janë bërë kompromise të arsyeshme, të cilat marrin në konsideratë më mirë interesat e pronarëve, të cilat bëjnë disa specifikime të domosdoshme lidhur me ndërtimet brenda vijës së verdhë dhe jashtë saj. Në rastin konkret brenda vijës së verdhë, të drejtën ekskluzive dhe të vetmen për zhvillimin e zonës do ta ketë pronari legjitim dhe vetëm ai” - deklaroi Sali Berisha. Gjithashtu kryeministri theksoi se ai që ka pushtuar truallin në pallat, ai do të detyrohet të paguajë çdo centimetër dhe dëmin dhe fitimin e të gjithë atij që i ka “pushtuar truallin brenda vijës së verdhë”. “Në këtë mënyrë, ne vendosim një kod moral dhe ligjor më të drejtë” - deklaroi ai. Në këtë kuadër shefi i qeverisë theksoi domosdoshmërinë e rivlerësimit të tokës. Berisha kërkoi nga Ministri i Financave dhe ai i Ekonomisë, që të angazhojnë ekspertët më të mirë, sepse vetëm në çështjen e vlerësimit nuk ka mungesë praktikash. “Ekzistojnë module të gatshme, të cilat bëjnë vlerësimet e tokës. Kjo është emergjencë, çdo javë që kalon nga kjo e dëmton procesin e zhvillimit të pronave” - tha Berisha, duke kërkuar të nisë menjëherë puna nga Ministria e Financave, METE, dhe e Bujqësisë. Gjithashtu, kreu i qeverisë u ndal dhe tek çështja e tokave të papunuara, duke e cilësuar këtë si problem të madh. “Ne nuk do ta tolerojmë një gjë të tillë, ne jemi një vend me pak tokë, ne klasifikohemi në vendet me pak tokë dhe një vend me pak tokë, nuk ka tokë për ta lënë djerrë” - tha Kryeministri, duke kërkuar nisjen e dialogut me opozitën dhe në komisionin përkatës. Kryeministri vuri në dukje se duhet të gjendet mënyra më e mirë dhe duhet t’i jepet zgjidhje këtij problemi, pa e shtyrë atë. “Unë dëshiroj që edhe opozita ta marrë me seriozitet se është problem shumë i rëndësishëm” - konkludoi kryeministri.
Leonard Quku
Leonard Quku