E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi, Presidenti Sejdiu, Presidenti Vujanoviç dhe Presidenti Ivanov nënvizojnë rëndësinë e lëvizjes së lirë të njerëzve në rajonin tonë.

26 qershor 2010
Prizren, Kosovë

Në përfundim të takimit katërpalësh të zhvilluar sot në Prevallë, në Prizren, me ftesë të Presidentit të Kosovës Sejdiu, katër krerët e shteteve fqinjë dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp duke iu përgjigjur interesimit të madh të mediave të pranishme.

Presidenti Sejdiu: Përshëndetjet më të mira për ju që jeni prezent dhe që keni përcjellë me vëmendje dhe kureshtje të mirë këtë Samit të përbashkët do e quaja të Presidentëve të fqinjësisë së parë! Unë mund të them që është pjesë e proceve të përbashkëta dhe e bashkëpunimit të mirë edhe me mediat.

Dua të shpreh kënaqësinë time që kisha nderin që të jem mikëpritës në takimin e radhës, nga takimi i mirë në Vlorë dhe pastaj në Ohër me Presidentin Topi, me Presidentin Ivanov dhe me Presidentin Vujanoviç.

Tema bosht e takimit është tema që lidhet me proceset e lëvizjeve tona, me lirinë e lëvizjes së njerëzve si bazë e rëndësishme e komunikimeve dhe e proceseve integruese.

Mund të them se kemi vlerësuar së bashku që është një progres i mirë nga ajo që e kemi filluar me modesti, por me një thellësi të raporteve shumë të sinqerta mes vetes. Dhe, nëse është menduar se takimin e parë në Vlorë e kemi pasur një takim njohës, nuk ka qenë njohës se e kemi njohur shoqi-shoqin, tani mund të themi se e kemi pjesë të borxheve që të shihemi dhe më shpesh mes vedit. Borxhi ynë është që nëpërmjet institucioneve të vendeve respektive të bëjmë të mundur që qytetarët të kenë mundësi të mira të komunikimeve të tyre, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të kapitalit dhe të këmbimeve të tjera, që janë të rëndësishme për të nesërmen dhe për perspektivën e secilit vend. Po ashtu, është përpjekje e jona që gjithmonë, në secilin vend, sundimi i ligjit të jetë vlerë, e cila parandalon veprimet kriminale dhe forma të tjera, që mund të jenë pengesa për lirinë njerëzore.

Andaj, sot themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi vënë ide më herët për një “mini-Shengen ballkanik”, apo të Evropës Juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese në një plan më të gjerë.

Ka shumë vlera që i demonstrojmë bashkë dhe për ne është me rëndësi se kemi miq dhe partnerë bashkë.

Faleminderit për prezencën tuaj, të nderuar Presidentë!

Presidenti Topi: Përshëndetje të gjithëve!

Së pari dëshiroj të falënderoj nga zemra Presidentin Sejdiu për këtë organizim të shkëlqyer të këtij takimi në Prizren!

Dua të falënderoj Presidentin Ivanov dhe Presidentin Vujanoviç, të cilët i janë bashkëngjitur kësaj iniciative dhe po e konsolidojnë atë në mënyrë të vazhdueshme!

Sigurisht do të doja të falënderoja përzemërsisht median, që po e ndjek me shumë interes këtë takim, një takim, që në këndvështrimin tim, ka një simbolikë të veçantë.

Vërtet takimi ynë ka filluar në Vlorë, ekzaktësisht një vit më parë, ka vazhduar me një takim në Ohër dhe sot po zhvillohet në qytetin historik të Prizrenit, zhvillohet në Kosovë, e cila ka një zhvillim të ndjeshëm duke e krahasuar edhe me dy vite më parë. Të gjithë e dinë që dy vite në historinë e një vendi, në historinë e popujve tanë, e thashë edhe në takim, janë si dy pika uji në oqean. Por ato janë dy vite që tregojnë që Kosova dhe populli i saj i është bashkëngjitur si të gjitha vendet, të cilat marrin pjesë në këtë takim, një ëndrre, e cila është konsideruar si ëndrra e përbashkët euroatlantike. Ne kemi konstatuar së bashku që është forcuar ndjeshëm dialogu politik mes vendeve tona. Përtej dialogut politik dhe mirëkuptimit njerëzor, ne së bashku dëshirojmë të ndërtojmë edhe projekte të përbashkëta infrastrukturore.

Unë e kisha detyrim të shpalosja të gjitha inkursionet e Shqipërisë drejt përmirësimit infrastrukturor me Kosovën nëpërmjet kësaj rruge që e kemi përshkruar për rreth një orë e tridhjetë minuta, me rrugën që kemi bërë drejt Shkodrës dhe Malit të Zi, me përforcimin e segmenteve të “Korridorit 8”, ç’ka tregon që Shqipëria po punon shumë në drejtim të forcimit të këtyre marrëdhënieve dhe lidhjeve infrastrukturore me shtetet fqinjë.

Së fundi, për të qenë i kursyer në fjalët e mia kemi folur shumë për lëvizjen e lirë të njerëzve. Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë fituar statusin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe ne kemi qenë dhe jemi të gëzuar që dy fqinjët tanë e kanë fituar këtë status. Shqipëria është në prag të marrjes së këtij statusi dhe kam parë që i njëjti gëzim qëndron edhe tek kolegët e mi. Edhe në tryeza të tjera, por edhe sot unë shpreha qëndrimin tim që statusit të lëvizjes së lirë të njerëzve në rajonin tonë kurrësesi nuk duhet t’i qëndrojë larg edhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, gjë që gjeti mirëkuptimin edhe të kolegëve të mi dhe natyrisht, kjo thirrje është edhe për partnerët tanë të rëndësishëm evropianë, që besoj do e shohin lëvizjen e lirë si e drejtë substanciale të çdo qytetari që jeton dhe punon në rajonin tonë ballkanik.

Bashkëpunimi ynë do i kontribuojë ndjeshëm rritjes së stabilitetit rajonal, luftës kundër krimit të organizuar, kontrabandës, forcimit të kufijve nga pikëpamja e administrimit të këtyre elementëve dhe hapjes së kufijve për sa i përket lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Edhe një herë faleminderit, të nderuar kolegë! Ndihem shumë i gëzuar për këtë stad të ri të marrëdhënieve tona!

Presidenti Ivanov: Përfaqësues të nderuar të mediave!

Dua t’ju njoftoj se me të vërtetë kishim një takim të përzemërt dhe konstruktiv. Hapëm shumë çështje dhe diskutuam për shumë probleme, të cilat janë të përbashkëta për rajonin. Dhe kur e bëmë elaborimin e asaj se çfarë është arritur prej takimit të fundit në Vlorë dhe tani këtu në Prizren, ka përparime evidente në të gjitha lëmet. Maqedonia dhe Kosova e zgjidhën çështjen kontestuese që ishte rreth kufirit, demarkacionit të kufirit dhe pastaj vendosën marrëdhëniet diplomatike, i hapëm dhe ambasadat mes nesh, deri tani kemi nënshkruar gjashtë, ose shtatë marrëveshje bilaterale dhe pesë të tjera priten të nënshkruhen. Kjo tregon që korniza ligjore mes vendeve tona vetëm rregullohet. Të gjitha çështjet dhe problemet që i kemi i zgjidhim në mënyrë institucionale. Ashtu si herën e kaluar kur ishim në det, tani jemi në mal dhe kjo është një simbolikë, apo metaforë e asaj se si shkojnë këto takime, lart e më lart.

Në takimet bilaterale i hapëm të gjitha ato çështje që i kemi secili shtet mes vedit. Po ashtu të njëjtat i theksuam edhe në takimin e përbashkët. Nëse e krahasojmë atë se si ishte ky rajon para dhjetë vitesh dhe si është tani është e qartë, është evidente se ka një përparim të madh. Përveç se qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave, ne tani bisedojmë edhe për infrastrukturën, edhe energjitikën, pra, ne i kemi tejkaluar ato korniza që ishin për çështje të qarkullimit të lirë të njerëzve. Kjo tregon se në rajon ndryshon ambjenti, kjo tregon një pasqyrë pozitive për ne. Është mirë që konkluduam që të gjitha çështjet t’i zgjidhim përmes dialogut dhe se ne nuk guxojmë të kemi mëshirë ndaj krimit dhe gjithçkaje që pengon ecjen tonë përpara.

Dhe në atë frymë unë i ftova Presidentët që vitin e ardhshëm të jenë mysafirët tanë në Ohër, në Maqedoni, pasi në takimin e fundit në Ohër Presidenti Vujanoviç nuk ishte i pranishëm, pra shpresoj të jemi të gjithë së bashku!

Gjithashtu, dua të falënderoj mediat për kujdesin e vëmendjen e treguar ndaj këtij takimi dhe përcjelljen e mesazhit dhe të kësaj natyre të mrekullueshme, që nuk do të kishim mundësinë ta shikonim nëse nuk do të na kish ftuar këtu Presidenti Sejdiu!

Presidenti Vujanoviç: Të nderuar kolegë, përfaqësues të medias!

Dëshiroj të ndaj mendimin edhe të kolegëve të mi për këtë takim dhe për bisedimet konstruktive që patëm gjatë tij.

Efektet pozitive të filluara në Vlorë, i vazhduam këtu në Prizren dhe kjo flet për atë që shkojmë me hapa pozitivë drejt efekteve më të mëdha. Duke folur për temën që ishte kryesore që kishim sot, pra për lirinë e lëvizjes së njerëzve, ne theksuam se të katër vendet tashmë kemi themeluar një “zonë mini-Shengen” dhe kjo është themelore për integrimet, për rrugën e integrimit evropian. I dërguam një mesazh vendeve të zonës së Shengenit që të katër vendet e kësaj “zonë mini-Shegen” duhet ta gëzojnë dhe ta kenë lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave. Tani për tani këtë privilegj e kanë Mali i Zi dhe Maqedonia. Shqipëria është në prag ta fitojë këtë, ndërsa kemi theksuar që nuk është me vend që Kosova mos ta ketë një gjë të tillë dhe presim që po ashtu edhe Kosova të përfshihet në këtë çështje.

Ne, unë dhe Presidenti Topi, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësuar të kenë një model të vetin, unikal, të vendkalimit të përbashkët kufitar e doganave mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në Ulqin, që nuk e ka asnjë vend tjetër dhe, këtu bëhet vetëm një kontroll në të dy vendet, pra për hyrje-dalje nga njëri vend në tjetrin. Vendkalimet duhet të jenë një vend ku njerëzit duhet të ndalen shumë shkurt, të kontrollohen dhe të kalojnë në pjesën tjetër. Ndërkaq, të kontrollohen vetëm kanali i trafikimit dhe kontrabandës dhe kanalet që bien ndesh me ligjin.

Pra, lëvizja e lirë sipas nesh është bazë e të gjitha zhvillimeve, e zhvillimit të biznesit, e lëvizjes së lirë të njerëzve, të mallrave dhe po ashtu është bazë e integrimeve në përgjithësi. Po ashtu, kemi konstatuar që lëvizja e lirë është një porosi e mirë për integrimin, pra, ekonomia e lirë në këtë aspekt, duke konstatuar bashkërisht që nuk ka një të ardhme as të Evropës pa një bashkëpunim të tillë të këtij rajoni.

Presidenti Sejdiu ishte për ne një organizues i shkëlqyer i këtij takimi, kurse ju të punësuarit në media ishit pjesëtar të shkëlqyer në përcjelljen e kësaj ngjarjeje.

Prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj për këtë përcjellje të shkëlqyeshme, duke treguar kështu që Prizreni di si dhe në ç’mënyrë të organizojë takime të këtilla!

Pyetje: Nermin Spahiu: Ky është takimi i tretë, zoti Topi. Cila është arritja konkrete e këtij takimi, meqë ju jeni edhe iniciator i parë i këtyre takimeve? Çfarë mesazhi do të përcillni jo vetëm tek vendet dhe popujt që ju përfaqësoni, por edhe tek liderët e tjerë të Ballkanit?

Presidenti Topi: Para se të vij tek takimi i sotëm, po i referohem takimit të Vlorës. Brenda një viti kanë ndodhur shumë gjëra. Një çlirim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe vendeve që janë sot këtu. Janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës. Janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh që Presidenti Sejdiu i bëri prezente në takim.

Takimi i sotëm ka një vlerë të jashtëzakonshme. Së pari bëhet në Kosovë. Së dyti, së bashku ne u drejtohemi të gjithë partnerëve tanë evropianë dhe më gjerë që vendet tona kanë një bashkëpunim të shkëlqyer. Të gjithë njëzëri kemi thënë që asnjë qytetar i vendeve tona nuk mund të privohet nga mundësia e lëvizjes së lirë dhe nga dialogu politik dhe nga fjalët në tryezë, kemi marrë angazhime konkrete drejt përmirësimit të ndjeshëm infrastrukturor. Që të gjithë së bashku të orientohemi drejt korridoreve infrastrukturorë, rrugorë, energjitikë dhe në të gjitha zonat turistike që fati na i ka dhënë që të jenë në një pjesë të mirë mes kufijve tanë.

Është e pamundur që në një konferencë për shtyp të jepen të gjithë elementët e një takimi të gjatë. Por edhe në takime të tjera bilaterale, po ju siguroj që ka pasur një mirëkuptim të plotë për të gjitha çështjet më të rëndësishme të këtij komunikimi.

Presidenti malazez Vujanoviç: Mendoj se të gjithë ndajmë mendimin që tha edhe zoti Topi sa i përket kësaj konference.

Presidenti maqedonas Ivanov: Presidenti Topi në tërësi e tha atë që mund të themi të gjithë.

Presidenti kosovar Sejdiu: Absolutisht që jemi të gjithë të një qëndrimi të përbashkët dhe ai u elaborua shumë mirë.

Pyetje: Zoti Ivanov tha që ky takim merr karakteristika evropiane. A mendoni se është i domosdoshëm dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për proceset e tjera integruese?

Presidenti Vujanoviç: Në fjalën e tij të hyrjes zoti Ivanov e theksoi rëndësinë e dialogut. Dialogu duhet të mbështet në të drejtën e çdo shteti sovran për ta zhvilluar dialogun në respekt të sovranitetit të vet dhe duke vlerësuar interesin e vet dhe të popullit të vet të zhvillojë dialog në mënyrë të përgjegjshme.

Ne veçmas jemi të ndjeshëm përsa i përket sovranitetit, sepse ne vetë kemi vendosur për të qenë sovranë, për të qenë të pavarur. Pa dashur të jap këshilla dhe sugjerime, dua të theksoj vlerën dhe rëndësinë e dialogut për përmirësëimin e klimës së përgjithshme në rajon. Një dialog tashmë është në zhvillim e sipër - ai mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe ne dëshirojmë që ky dialog të përfundojë sa më parë në mënyrë që Maqedonia të integrohet në strukturat e NATO-s.

Dialogu i dytë, pra ai mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në dy realitete që ekzistojnë dhe janë të ndryshme. Një realitet është që deri më tani gjashtëdhjetë e nëntë shtete e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike me të e kanë shkëmbyer edhe ambasadorët dhe realiteti tjetër është se njëqind e njëzet e tre vende të tjera anëtare të OKB-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Duke i respektuar këto dy realitete, pra po ashtu duke respektuar edhe dialogun si të tillë, duhet mbështetur dialogu që do t’u sillte të mirën edhe Serbisë, edhe Kosovës.

Presidenti Ivanov: Siç e tha edhe zoti Vujanoviç, të gjitha problemet që janë në rajon, konstantuam dhe ramë dakord së bashku që patjetër duhet të zgjidhen përmes dialgout. Dialogu mundëson komunikimin, i cili rikthen besimin mes palëve. Andaj do të ishim shumë të lumtuar që në takimet e tjera mes nesh të shikonim edhe Presidentin Tadiç, edhe Presidentin Papulias.

Pyetje: A është ky një koalicion kundër Serbisë dhe çfarë duhet të ndodhë që këtij samiti t’i bashkohet dhe Serbia?

Presidenti Sejdiu: Jo! Ky është një model i mirë i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Kjo është një qasje praktike që mendojmë dhe shpresojmë se do të zgjerohet me komunikimin dhe me vendet e tjera të rajonit, pra edhe me Serbinë! E ardhmja e vendeve të rajonit dhe progresi i tyre është në bashkëpunim, por gjithmonë edhe në respektimin e sovranitetit të të gjitha vendeve, të veçantive dhe cilësive të tyre.

Presidenti Topi: Dëshiroj të bëj një koment të shkurtër. Edhe institucionet e Shqipërisë inkurajojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në kushtet e statusit të sovranitetit reciprok. Takimi ynë demonstron një element shumë perëndimor: kohezionin midis miqve dhe fqinjëve që janë të detyruar të bashkëpunojnë.

Pse ndërhyra për të bërë këtë koment të shkurtër. Është në vullnetin e secilit vend për të vendosur edhe masën e komunikimit me një vend tjetër, por do të ishte e papranueshme që të bësh prezent diplomacinë e hapur apo “underground” për të bërë “lobing” që Kosova të mos jetë pjesë e tryezave rajonale, sikurse ishte Takimi i Vendeve të Evropës Juglindore në Stamboll. Jeni ju, përfaqësues të medias, analistë, politikanë që bëni dallimin. Ne inkurajojmë bashkëpunimin dhe komunikimin me të gjithë pa asnjë lloj përjashtimi. Filozofia përjashtuese është në antitezë të plotë me tendencat perëndimore të bashkëpunimit. Ne shpresojmë shumë që në të ardhmen komunikimi ynë do të zgjerohet, tryeza jonë do të zgjerohet.

Pyetje: Në drejtim të dialogut kisha një pyetje për Presidentin Ivanov. Ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës deklaroi se zgjidhja e çështjes së emrit pritet të ndodhë në ditët në vijim. Si e komentoni këtë?

Presidenti Ivanov: Unë nuk mund të komentoj deklaratën tuaj. Me siguri ai ka të dhëna, përderisa e ka dhënë atë deklaratë, por komunikimi i shpeshtë që ekziston kohët e fundit mes Kryeministrit Nikola Gruevski dhe Kryeministrit të Greqisë Papandreu na indikon që do të ketë zgjidhje. Dhe kjo zgjidhje të jetë patjetër në suazat e Kombeve të Bashkuara duke qenë se procesin e udhëheq zoti Nimiç.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›