E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e znj. Xhenifer Brash, e ngarkuar me punë e ambasadës së SHBA-së në Beograd

Gazeta e përditshme serbe “Politika” zhvilloi ditët e fundit një intervistë me të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA-së në Beograd, Xhenifer Brash, e cila iu përgjigj një sërë pyetjesh, më kryesoret midis të cilave kishin të bënin me marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjen e Kosovës. Më poshtë po sjellim pjesët më kryesore të kësaj interviste.
Si i konsideroni marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së?
Nëse gjatë disa viteve të fundit kemi pasur marrëdhënie të tensionuara, ky nuk është shembulli i duhur, sepse bashkëpunimi ynë ekziston që prej 128 vjetësh. Këto marrëdhënie të tensionuara janë më shumë anomali sesa rregull në marrëdhëniet tona.
çfarë konsideroni si shkaqe kryesore të përmirësimit të marrëdhënieve mes shteteve tona?
Së pari, duhet t’u shpreh mirënjohjen qeverisë dhe Presidentit Boris Tadiç, sepse, sikurse e dimë ne të gjithë, viti 2008 ishte një vit i rëndë për të gjithë, por sidomos për marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së. Do të desha t’ju kujtoja se ambasadës sonë, në atë kohë, iu vu zjarri, se në atë zjarr gjeti fund tragjik një i ri, se ne u detyruam të largonim familjet e diplomatëve amerikanë gjatë afro një muaji. Pamjet e ambasadës amerikane, të përfshirë nga zjarri, u panë në të gjithë botën, ndërsa patëm përsëri skena të zymta. Nuk duhet të harrojmë se këto ngjarje kanë ndodhur vetëm para më pak se dy vjetësh. Kjo është arsyeja se përse i shpreh mirënjohjen Presidentit Tadiç se në atë periudhë, pavarësisht nga të gjitha emocionet e këqija që gjetën shprehje të theksuara në atë kohë, ai arriti si individ, por edhe me koalicionin e vet, të fitojë tri palë zgjedhje: presidencialet, parlamentaret dhe lokalet. Kjo është një shprehje mirënjohjeje këtij njeriu, por edhe vizionit të tij sesi duhet të jetë Serbia.
Kur është fjala për shprehje mirënjohjeje dikujt për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së, ajo, në radhë të parë, i takon Presidentit Tadiç. Duhet t’i shpreh mirënjohjen edhe ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Kameron Manter, i cili, si një profesionist i nivelit të lartë të Departamentit të Shtetit, pavarësisht nga vështirësitë në atë kohë të rëndë, arriti të bashkëpunojnë me forcat përkatëse në Serbi, ta ngrejë nivelin e marrëdhënieve dhe t’i kthejë ato në rrugën e duhur. Po ashtu i shpreh mirënjohjen personelit të ambasadës, si amerikanëve, ashtu edhe serbëve, të cilët gjatë asaj kohe delikate vazhduan të punonin për zhvillimin e marrëdhënieve serbo-amerikane.
Si e konsideron SHBA Serbinë: si vend asnjanës apo anëtare të NATO-s?
Natyrisht, kjo është një çështje, për të cilën i takon vetë Serbisë të vendosë. Si një vend anëtar i NATO-s dhe që mbështet fuqishëm partneritetin transatlantik, duke pasur parasysh edhe treguesit rajonalë, konsiderojmë se anëtarësimi i saj në NATO   do të ishte diçka e mirë dhe ajo do të kishte mjaft leverdi nga ai. Por, ky është vetëm  mendimi ynë dhe ju duhet të vendosni vetë sesi synoni ta përcaktoni strategjinë tuaj të sigurisë në të ardhmen.
A mendoni se fakti që Serbia ka dilema të mëdha rreth anëtarësimit në NATO, do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet tona?
Jo. Dua të theksoj se ne mbështesim edhe aktivitetet e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, edhe ato në kuadrin e Programit të Partneritetit për Paqe. Po e përsëris se, sa i përket anëtarësimit në NATO, ky është një vendim që i takon ta marrë vetë Serbia.
Megjithatë, nëse Serbia do të dëshironte të ruante asnjanësinë?
Qeveria serbe duhet ta përcaktojë qartë se çfarë nënkupton me asnjanësi. Unë vetë, personalisht ende nuk e kam të qartë këtë. Nga ana tjetër, anëtarësimi në NATO sjell qartësi, ofron një koncept të qartë dhe ky është zhvillimi i marrëdhënieve shumëpalëshe.
Në cilën mënyrë SHBA mbështet Serbinë në rrugën drejt BE-së dhe ku do konsistojë ndikimi amerikan te partnerët në BE?
Ne nuk jemi vend anëtar i BE-së dhe nuk përpiqemi të ndikojmë te vendimet e partnerëve tanë europianë. Megjithatë, BE-ja është partnerja jonë më e afërt në botë dhe, për ne, ka shumë rëndësi se çfarë mendon ajo (BE-ja) dhe, po ashtu, edhe për të ka shumë rëndësi se çfarë qëndrimi mbajmë ne ndaj një çështjeje të caktuar. Edhe BE-ja dhe SHBA konsiderojnë se Serbia duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm që t’i bashkohet BE-së. Sigurisht, për këtë duhet të bëhet shumë punë, duhet të merren plot vendime të vështira, që të afirmohet mentaliteti se Serbia duhet të zërë vendin që i takon në BE. Deri tani janë bërë disa hapa pozitivë: liberalizimi i vizave dhe Marrëveshja Tregtare Kalimtare që ishin midis premtimeve që bëri Tadiçi në fushatën e tij paraelektorale të vitit 2008. Por, kjo nuk u arrit me lehtësi, pati nevojë për shumë punë dhe mirëkuptim nga ana e partnerëve tanë europianë dhe serbë. Dhe ne treguam gatishmërinë tonë që të mbështesnim, të nxitnim dhe të inkurajonim që të arrihej deri te ky qëllim.
A ka lidhje vizita e nënpresidentit të SHBA-së, Xho Bajden, në Serbi me hapat e shpejtë të mëpasshëm drejt BE-së?
Duke pasur parasysh se Serbinë gjatë 30 vjetëve të fundit nuk e kishte vizituar asnjë zyrtar kaq i lartë i administratës amerikane, ky fakt që tregoi për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e SHBA-së kundrejt Serbisë, nuk mund të kalonte pa u vënë re. Mendoj se vizita e tij solli një kthesë shumë të rëndësishme në marrëdhëniet tona dhe ofroi një shpresë të re për një bashkëpunim dypalësh më të zhvilluar. Ne vazhduam të punonim mbi bazën e nismave që paraqiti këtu nënpresidenti Bajden dhe, kam mendimin, se bashkëpunimi i ndërsjellë do të marrë shtytje të reja, kur në janar të vitit të ardhshëm të fillojë detyrën e vet ambasadorja e re e SHBA-së në Serbi, Meri Vorlik. Ambasadorja Vorlik është një diplomate profesioniste e vlerësuar dhe unë vetë jam shumë e nderuar që t’i uroj asaj mirëseardhjen.
A mund të presim që SHBA nuk do të kërkojë nga Serbia që të njohë Kosovën dhe që të mos përkeqësohen çështjet, për të cilat ne nuk pajtohemi, sikurse e vuri në dukje nënpresidenti Bajden gjatë vizitës së tij të fundit këtu?
Ne nuk presim që Serbia ta njohë Kosovën. Por, natyrisht, ne presim që Serbia të gjejë mënyrën që të bashkëpunojë me autoritetet në Prishtinë, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje praktike problemet që prekin si njërin vend, ashtu edhe tjetrin.
A besoni te bisedime të mundshme për një status të ri të Kosovës mes Beogradit dhe Prishtinës mbas marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë?
Jo.
Përgatiti M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›