Intervistë me Anton Gurakuqin, kreun e Partisë Demokristiane
“PDK në zgjedhje përkrah PD për maksimalizimin e fitores”
Kryetari i Partisë Demokristiane Anton Gurakuqi, deklaron në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, se partia që ai drejton do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare përkrah partisë më të madhe në pushtet, PD, dhe koalicionit që ajo do të drejtojë. Sipas tij, PDK, do të punojë për maksimalizimin e fitores së koalicionit të djathtë dhe dyfishimit të rezultatit, në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005, në mënyrë që të rikonfirmohet e djathta në pushtet edhe për mandatin e ardhshëm. Gurakuqi u shpreh gjithashtu, se PDK po organizon strukturat në të gjitha degët, kushtëzuar kjo nga ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Ndodhemi në prag të vitit elektoral dhe është kjo periudhë, gjatë së cilës partitë politike fillojnë angazhimin e tyre për në zgjedhje. Një pjesë e partive të djathta kanë filluar reformimin e strukturave të tyre. A mund të na thoni, nëse do të ketë një reformim në rang kombëtar të strukturave të PDK-së?
Partia Demokristiane është në proces organizimi në të gjitha degët e saj dhe kjo kushtëzohet edhe nga ndryshimi i sistemit zgjedhor. Tashmë ne po ngremë strukturat e partisë në përputhje të plotë me këtë sistem zgjedhor. Janë zhvilluar konferencat në disa degë dhe brenda muajit nëntor besoj se do të përfundojnë konferencat në të gjithë vendin. E veçanta e këtij organizimi, është se shumë intelektuale po ofrohen në radhët e PDK-së, çka na bind edhe më shumë ne vlerat që mbartim.
Partia Demokratike është shprehur e hapur për të bashkëpunuar në zgjedhje me çdo parti politike të qendrës së djathtë. Cili do të jetë qëndrimi i PDK-së dhe a do të bëhet pjesë e koalicionit të kryesuar nga PD?
Ne jemi pjesë e natyrshme e koalicionit të qendrës së djathtë. Cilido që mendon se PDK nuk i përket të djathtës gabon. Ne jemi një parti që tradicionalisht jemi rreshtuar jo vetëm në krah të PD, por edhe të të gjitha partive të qendrës së djathtë. Në zgjedhjet e 2009-ës, jo vetëm që do të jemi në krah të PD-së, por do të punojmë për maksimalizimin e fitores së koalicionit të djathtë dhe dyfishimit të rezultatit të PDK në krahasim me zgjedhjet e 2005-ës.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të mbahen pas afro 8 muajsh. Në këndvështrimin tuaj, gjykoni se do të jetë një proces i lirë?
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një detyrim që ka Shqipëria ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndaj NATO-s dhe BE-së. Gjithashtu ky është një detyrim që politika në tërësi ka ndaj shoqërisë shqiptare. Mendoj se klasa politike tashmë ka pjekurinë e duhur për të kuptuar se zgjedhjet janë një nga kushtet kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë në rrugën e integrimit evropian. Pastaj të mos harrojmë se samiti i ardhshëm i NATO-s, ku Shqipëria pret të bëhet anëtare me të drejta të plota, është pak muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Kjo do të thotë se ne nuk mund të jemi vendi i parë i Aleancës që të mbahemi mend për zgjedhje jo të lira dhe të ndershme.
E tremb PDK-në sistemi i ri zgjedhor?
Ne jemi të përgatitur për çdo lloj sistemi zgjedhor, pasi besojmë në forcën dhe vlerat tona. PDK, sikundër çdo parti tjetër, ka vendin dhe peshën e saj, qoftë në politikë, qoftë në raportet me PD-në apo raportet mes partive të tjera. Fakti që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë koalicione të përbëra, do të bëjë që secila parti të marrë aq sa i takon. Kjo do të thotë se edhe raportet do të rregullohen në bazë të peshës elektorale që do të kenë partitë.
Muaj më parë, ndërmorët nismën për bashkimin e demokristianëve. ǒbëhet me këtë nismë?
Bashkimi i demokristianëve është një detyrim që kemi ndaj të gjithë njerëzve që në këto 18 vjet kanë mbështetur dhe promovuar vlerat demokristiane. Është një detyrim ndaj këtyre njerëzve, që papërgjegjshmëria politike e drejtuesve që ka pasur PDK në vite, ka bërë që të largohen apo distancohen. Tashmë është detyrimi ynë që të rikthejmë këta njerëz në radhët e PDK-së. Të jeni të bindur që nisma do të realizohet, jo se e them unë, por sepse ajo që ne përfaqësojmë, ato çka ne na bashkojnë, janë shumë herë më të mëdha sesa ato që mund të na mbajnë të ndarë.
Por si mund të realizohet ky proces kur ka ende një pështjellim në radhët e PDK-së?
Në PDK nuk ka asnjë pështjellim. Përkundrazi ne jemi angazhuar maksimalisht për të bërë realitet nismën e bashkimit, megjithëse mund të ketë edhe individë të caktuar, që nuk e besojnë një gjë të tillë. Vërtet është një proces i vështirë, pasi vetë lëvizjet demografike, apo emigracioni ka bërë që shumë njerëz me vlera që dikur kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për PDK-në, kanë lëvizur ose nga një qytet në tjetrin ose jashtë. Por ne po i kontaktojmë ato, po i bëjmë thirrje të rikthehen, pasi sot PDK ka sërish nevojë për vlerat e tyre.
...