Mantovano përgëzime Nishanit për rezultatet kundër trafiqeve
Shqipëria dhe Italia nënshkruan Protokollin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar Shqipëria dhe Italia nënshkruan dje Protokollin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar. Para nënshkrimit të këtij protokolli, përfaqësuesi i palës italiane Alfredo Mantovano, Nënsekretar në Ministrinë e Brendshme të Italisë, u prit në një takim të veçantë nga Ministri i Brendshëm shqiptar Bujar Nishani. Në këtë takim Ministri Nishani i paraqiti Nënsekretarit Mantovano disa nga arritjet kryesore të qeverisë shqiptare dhe posaçërisht të strukturave të zbatimit të ligjit, në luftën kundër kriminalitetit, në veçanti atij të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit. Ministri i Brendshëm vlerësoi se një rol të rëndësishëm për këto arritje ka edhe niveli i lartë i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat e zbatimit të ligjit dhe policinë italiane. Ministri Nishani informoi gjithashtu për ecurinë e projektit madhor të qeverisë shqiptare për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike si dhe në përpjekjet që po bën qeveria dhe strukturat policore për forcimin e mëtejshëm të sigurisë së kufijve dhe realizimin e të gjithë aspekteve të plan veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve. Nënsekretari i Ministrisë së Brendshme të Italisë Alfredo Mantovano vlerësoi hapat e rëndësishëm të Shqipërisë si në drejtim të zhvillimit social-ekonomik edhe në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit. “Italia kohë më parë përballej me fluksin e madh të klandestinëve në kanalin e Otrantos ndërsa sot është dëshmitare e përpjekjeve të qeverisë shqiptare që e kanë bllokuar këtë trafik”, deklaroi Mantovano. Pas këtij takimi vijoi ceremonia e nënshkrimit të Protokollit të Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me qëndrim të Paautorizuar mes Shqipërisë dhe Italisë nga Zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri dhe Nënsekretari i Ministrisë së Brendshme të Italisë Alfredo Mantovano. Zëvendësministri Strazimiri evidentoi faktin e bashkëpunimit të suksesshëm të strukturave italiane dhe shqiptare të zbatimit të ligjit si dhe theksoi qëndrimin e pandryshueshëm për tolerancë zero ndaj veprimtarive kriminale për të mos lënë asnjë skutë të sigurt në të dy anët e Adriatikut për elementët kriminalë qofshin shqiptarë apo italianë. Nënsekretari Mantovano vlerësoi edhe njëherë sukseset e strukturave të zbatimit të ligjit në Shqipëri në luftën kundër të gjitha veprimtarive kriminale e duke u ndalur tek aspekti i trafikimit të drogës, të cilit po i bashkohet edhe krimi i falsifikimit, deklaroi se edhe në këtë drejtim Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe ka rezultate të dukshme e konkrete. Mantovano e cilësoi ndërkohë nënshkrimin e Protokollit të Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar një dëshmi të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve. Protokolli i Zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit të Personave me Qëndrim të Paautorizuar mes Shqipërisë dhe Italisë mbështetet në marrëveshjen përkatëse mes dy vendeve dhe në Marrëveshjen për Ripranimin e Personave me Qëndrim të Paautorizuar mes Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, nënshkruar në Luksemburg më 14 Prill 2005. ...