Topalli: Në fund të vitit 2010 shqiptarët do të lëvizin pa viza në Shengen
Intervista e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në emisionin “Top Story” MSA-ja është nënshkruar nga shumica e vendeve, megjithatë dua t’ju pyes, si qytetare e këtij vendi, realisht mendoni se tre vjet më pas Shqipëria është një vend më i mirë, më i begatë, më demokratik dhe më stabël se tre vjet më parë, zonja Topalli? Nuk është se e mendoj unë realisht, ky është një realitet dhe nuk është se e them unë. Këtë e thotë Anxhela Merkel, e cila si politikane ka shumë interes për të parë edhe fenomenin e politikës së zhvillimit dhe të reformave. Ajo pa doreza thotë se respektoj reformat që keni bërë dhe po korrni frytet e reformave tuaja të guximshme. Anxhela Merkel gjëra të tilla të rëndësishme dhe të thella nuk është se i thotë shumë shpesh, aq më tepër, kur globi është në një periudhë krize. Natyra e saj është shumë e matur, pa folur për staturën e saj në profilin politik dhe influencën e saj në politikën evropiane... Firma e Bushit është firma mbi ligjin, që firmosi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Shqipëria në Samitin e ardhshëm të jetë anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Këto janë ngjarje historike, të papërsëritshme dhe të paimagjinueshme. Unë e di që ju keni qenë në periudhën e lëvizjeve dhe të transformimeve të mëdha dhe ëndrra e gjithsecilit ka qenë Evropa, NATO-ja dhe Perëndimi, por në fakt tre vjet më parë, po të pyes Sokol, ju mendonit se do të merrnim ftesën për në NATO? A besonin shqiptarët se ne mund të bëheshim anëtarë të plotë të NATO-s? Unë personalisht, pavarësisht nga besimi dhe nga ambicia e madhe për t’i çuar përpara reformat, po gjithmonë e kam parë me një preokupim shumë të madh se sa do të mundemi ne që të ratifikohej protokolli i NATO-s dhe MSA-ja nga parlamentet e vendeve të tjera. Se axhenda e Gjermanisë nuk është axhenda e Shqipërisë, ose axhenda e Francës nuk është axhenda e Shqipërisë, megjithatë, ata e kanë vendosur këtë në prioritet e tyre. Fakti që vetëm gjatë dy muajve të fundit është ratifikuar nga tetë vende, kur Parlamenti në vendet perëndimore fillon pas gjysmës së shtatorit, në pjesën më të madhe në fillim të tetorit, është shprehje e një dëshmie të një besimi, por edhe të një admirimi për një vend të vogël, me histori jashtëzakonisht të vështirë dhe që ka kapërcyer të gjitha vendet e tjera të rajonit përmes reformave; baza është reforma. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa reforma. Pra, ju thoni se anëtarësimi në NATO është reforma më shumë sesa lëvizjet e ndryshme gjeopolitike në rajon në një drejtim të caktuar? Absolutisht, reforma, reforma dhe vetëm reforma. Do t’ju bëj një pyetje: e kujtoni që në janar flitej shumë se, në qoftë se ju nuk do të bëni të mundur kalimin e ligjit “Për reformën gjyqësore”, marrja e ftesës për në NATO është e rrezikuar. Janë bërë përpjekje të mëdha për të arritur konsensusin me forcat kryesore më të rëndësishme të opozitës për të bërë një ligj të tillë. Kjo ka qenë një gjë e mrekullueshme. Mbase mund të kujtoj një moment tjetër: ishim në muajt e fundit të mandatit të Presidentit Moisiu, kur do të bëhej zgjedhja e Presidentit të ri. Unë kisha filluar punën me parlamentet evropiane për të ratifikuar MSA-në dhe lobingu ma ka thënë qartë se nuk ecim më përpara me ratifikimin e MSA-së, në rast se Shqipëria nuk tregon pjekurinë për ta bërë vendin me President. Në fakt, ato dy muaj në disa vende të caktuara ka mbetur ratifikimi, i cili ka vazhduar pastaj me ato ritme që ju i dini, besoj rekord. Fakti që është plotësuar ky standard tjetër, domethënë Parlamenti ka treguar dhe është bërë dëshmitar i një maturie politike, i një vetëdijeje, i një ndërgjegjeje shoqërore për domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformave. Të gjitha këto momente janë të lidhura vetëm me reformat. Liberalizimi i vizave. Këtu dua të ndalem pak, pasi, të paktën, besoj se kjo është një pikë, nga informacionet që unë kam, që nuk do të ndryshojë nga drafti i progres-raportit të nëntorit, pra, çështja se Shqipëria ende nuk është gati për të liberalizuar vizat. Ka edhe sugjerime, pra, rekomandime që duhet të fillojnë të prodhohen sa më shpejt pasaportat biometrike për njerëzit. Një proces që së paku Kryeministri e inicioi me ardhjen e Fratinit në Tiranë. Po sa besoni realisht në heqjen e vizave me BE në vitin 2009, zonja Topalli? A duhet të jetë kjo një gurë prove për njerëzit që t’ju votojnë juve apo jo në vitin 2009? Pjesa e raportit ende jozyrtar që ju e lexuat, por unë po jua marr si përfundimtaren, megjithëse, në dijeninë time nuk është përfundimtare, shkon paralelisht me atë çfarë tha Fratini një ditë apo 24 orë përpara në Shqipëri, që në vitin 2009 Shqipëria do të jetë ndër vendet me viza të liberalizuara. Kjo do të thotë hyrje pa viza në BE? Kjo do të thotë që shqiptarët nuk do të kenë më murin e Shengenit. Kjo do të thotë që shqiptarët nuk do të rrinë më nëpër radha, pas dyerve të ambasadave, duke u poshtëruar, duke i hequr dinjitetin dhe duke i trazuar shpirtërisht ndoshta edhe në forma të tjera. Ka pasur njerëz që kanë vdekur…? Ajo që unë po ju them sot, po deshe mund ta mbash shënim, në fund të vitit të parë të mandatit të ardhshëm, shqiptarët do të udhëtojnë pa viza, sepse ne kemi bërë gjithë infrastrukturën. Kur them infrastrukturën nuk kam parasysh vetëm pasaportat biometrike, shpërndarja e të cilave do të fillojë dhe pajisja me ID-in. Edhe një herë, kam parasysh atë që është shkruar fort se kjo Qeveri është kampione me reformat e saj në luftën kundër korrupsionit, megjithëse korrupsioni vazhdon të mbetet problem themelor në disa fusha të caktuara. Atëherë, unë po shënoj që në fund të vitit 2010 shqiptarët do të lëvizin pa viza…? Shqiptarët do të lëvizin pa viza, ashtu si sllovenët, bullgarët, hungarezët dhe si vendet e tjera, që tashmë janë anëtare të BE-së. ...