Pirgu sipas ungjillit të Abbado-s
Në fund të prillit u zhvillua në Torino koncerti Mozart Requiem i Orkestrës Mahler Chamber Orchestra, e drejtuar nga maestro Claudio Abbado. Mbi 2000 spektatorë të zgjedhur të shoqërisë së lartë Torineze ndoqën dy koncertet që u zhvilluan në Auditorium Lingotto, ish-godinë e grupit FIAT, e transformuar në një nga sallat më prestigjioze të muzikës klasike në mbarë Evropën. “Torinezët dëgjojnë ungjillin sipas Abbado-s”. Kështu shkruanin gazetat italiane në ditët menjëherë pas koncertit te organizuar nga Associazione Lingotto Musica, duke i thurur elozhe sa dirigjentit historik të Mahler Chamber Orchestra, Claudio Abbado, aq edhe vetë orkestrës, korit të Radios së Suedisë dhe katër këngëtarëve “fuoriclasse” lirikë, ndër të cilët spikaste emri i Shqiptarit Saimir Pirgu. Pirgu 28 vjeçar, pas impenjimeve me Abbadon dhe orkestrën Mahler në Torino e në Bolzano do të udhëtojë drejt Parisit ku e presin 5 data të njëpasnjëshme, gjatë të cilave do të interpretojë përkrah Placido Domingos në operën “Cyrano de Bergerac”.
Fundi i Prillit e gjeti në Torino, ku interpretoi, i drejtuar sërisht nga Claudio Abbado, në koncertin Mozart Rekuiem. I intervistuar në Torino nga ATSH, ai rrëfen për publikun shqiptar etapat më të rëndësishme të karrierës së tij profesionale deri më sot.
Koncerti i Torinos shënoi për ju një rikthim. Atë të bashkëpunimit me Claudio Abbado-n. Si jeni njohur me maestron e madh?
Me Claudio Abbado-n jam njohur në vitin 2003, në një audicion për operën “Cosi fan tutte”. Pak kohë më parë pata fituar në dy konkurse të rëndësishme kantoje çmimin “Enrico Caruso”, në Milano dhe atë “Tito Schippa”, në Lecce. Gjatë një audicioni, një person i afërt me Abbado-n më kishte pikasur dhe më kishte prezantuar tek maestro.
Çfarë përfaqëson për ju pjesëmarrja në Festivalin e Salzburgut dhe në përgjithësi përvoja austriake?
Festivali i Salzburgut është një moment i rëndësishëm i karrierës sime, pas bashkëpunimit të parë me Abbado-n. Abbado ishte për mua një lloj pasaporte. Unë isha dikush që maestro i madh e kishte zgjedhur. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Pas bashkëpunimit të parë me të, në shumë audicione në Itali më kanë refuzuar; herë për shkak të moshës së re dhe herë të tjera për shkak se isha Shqiptar. Ndoshta nuk ishte e lehtë për drejtuesit artistikë të “atdheut të lirikës”, siç cilësohet Italia, të pranonin që një Shqiptar tu zinte vendin këngëtarëve italianë. Xhelozia ndoshta u theksua edhe më atëherë kur Pavarotti, në një intervistë dhënë gazetës “La Repubblica”, pohoi se ndër tenorët italianë nuk dallonte ndonjë pasardhës, por ndoshta do të ishte një Shqiptar ai që do ta zëvendësonte.
Gjithsesi, ndërsa në Itali më refuzonin fitova një audicion në Staatsoper të Vjenës, ku më lidhën menjëherë një kontratë dyvjeçare. Dhe jo për role të vogla, por për role të rëndësishme. Pas kësaj përvoje të suksesshme edhe Italia u detyrua “të ulë kokën” përballë talentit tim.
Në një intervistë keni deklaruar se kanë qenë pikërisht tre tenorët, gjatë një koncerti në Caracalla, të cilin e keni ndjekur në televizor, që ju kanë frymëzuar të bëheni këngëtar lirik. A keni pasur rast të njiheni me ta?
Po, i kam njohur të tre. Me Pavarotti-n madje na lidhte një miqësi veçanërisht e fortë. Ndërsa me Domingon jemi kolegë, do të këndojmë së bashku edhe në këtë periudhë.
A mund të na tregoni diçka më shumë për Pavarotti-n? Si jeni njohur me të?
Pavarotti-n mund të them se e kam njohur nga një rastësi fatlume. Në Bolzano nuk kisha shumë që kisha mbërritur, ndoshta nuk kishin kaluar ende gjashtë muajt e parë. Në atë periudhë përpiqesha të mbijetoja duke marrë pjesë në koncerte të vogla të organizuara nga shoqatat artistike, ndërkohë që studioja në konservatorin e qytetit. Pavarotti shkonte për pushime një herë në vit në një lokalitet aty pranë, në Merano, ku ndodhet një qendër e rëndësishme termale. Atje ai i nënshtrohej kurave dhe dietave të veçanta dhe përgjithësisht kishte mjaft kohë të lirë. Për këtë arsye thërriste pranë vetes miqtë e tij. Njëra prej tyre ishte një vajzë, një artiste nga Bolzano, të cilën ai e njihte prej vitesh. Pavarotti e pyeti me se po merrej në atë periudhë dhe ajo i tha se po vinin në skenë Traviatën, në formë koncerti. Maestro u interesua të dinte se kush ishte tenori dhe ajo ju përgjigj se ishte një djalë i ri 19 vjeçar, që isha unë. Pyetjes së Pavarottit për vetitë e mia ajo ju përgjigj: “është i zoti, por ‘bërtet’ pak si tepër në veshët e mi”. Kohë më vonë, pasi ishim bërë miq, maestro më ka treguar se i është përgjigjur duke i thënë: “mos u bëj kaq e keqe. Fakti që një tenor 19 vjeçar arrin të të ‘bezdisi’ ty, nuk aspak është shenjë e keqe. Sille njëherë ta dëgjoj.”
Dhe kështu ndodhi. Ajo i telefonoi profesorit tim, Vito Brunettit, në Bolzano dhe i kërkoi të shkonim të takonim Pavarotti-n. Në atë kohë, për të financuar studimet punoja edhe si pjatalarës. Jetoja dhe punoja në një strukturë për studentë të administruar nga priftërinjtë Salesianë. Përpara se të shkoja të takoja Pavarotti-n kisha punuar në kuzhinë dhe, i ‘inkurajuar’ edhe nga mësuesi im, bëra dush për të hequr nga trupi erën e makaronave.
Rrugën për tek Pavarotti e kemi bërë me një Ford të vjetër. Kur mbërritëm nuk pata kohë as t’i thosha mirëdita, hymë, si të thuash, direkt në thela. Ai më pyeti se çfarë dija të këndoja dhe ramë dakord për “Una furtiva lacrima”. Pas dy versave të para më ndaloi dhe më pyeti: “Kush të ka mësuar të këndosh kështu!”. Atë ditë këndova edhe disa herë të tjera për Pavarotti-n, i cili më lavdëroi.
Por ajo ditë mbaroi dhe nuk mendoja absolutisht se do të përsëritej më.
Kur, pas dy ditësh, dikush më mori në telefon dhe më tha, “Jam maestro Pavarotti dua të takohemi sërish” nuk e besova. Mendova se ishte mësuesi im, Vito Brunetti, që po tallej me mua. Faktikisht ishte Pavarotti dora vetë! Ai duhej të qëndronte 20 ditë në Merano dhe për fatin tim të mirë e kishte kohën të lirë. Punuam bashkë edhe rreth 10 ditë të tjera, të cilat qenë për mua një përvojë e bukur dhe e vyer. Me Pavarotti-n u lidhëm sërish kur fitova çmimet e para. Ai më përgëzoi dhe kur mësoi se do të debutoja me Abbadon më tha: “Ke hyrë nga dera kryesore. Përgatitu mirë pasi që këtej e tutje nuk të lejohet të gabosh”.
Që nga ajo kohë kemi punuar shpesh së bashku. Ai më ftonte në shtëpinë e tij të frekuentuar nga artistë të mëdhenj si Juan Diego, Marcello Giordani apo Alania. Bisedonim, por kryesisht këndonim, në pozita të barabarta, si kolegë, ndonëse ai ishte një nga të mëdhenjtë e skenës ndërkombëtare. Pavarotti nuk të jepte mësim, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por të jepte mundësinë të përfitoje nga përvoja dhe nga teknika e tij. Secili, sipas aftësive dhe karakteristikave të veta, fitonte diçka nga Pavarotti. Miqësia jonë mbeti përherë shumë e fortë dhe unë isha ndër personat e paktë që ai, në porositë e tij të fundit, kishte lejuar të merrnin pjesë në funeralin e tij.
A keni marrëdhënie me botën artistike shqiptare?
Fatkeqësisht jo shumë. Pasi niveli profesional i veprimtarisë që zhvilloj ka nevojë edhe për një nivel të lartë përgatitje të gjithanshme organizative dhe administruese. Fatkeqësisht, Shqipëria sot nuk ofron shumë mundësi në këtë drejtim. Vendit tonë nuk i mungojnë profesionistët e zot, si p.sh. maestro Zhani Ciko, por ka edhe shumë pseudo-profesionistë të fushës, të cilët nuk njohin as emrat e operave. Por edhe njerëzit e përkushtuar, si në rastin e z. Ciko i kanë duart e lidhura pasi ju mungojnë mjetet e duhura financiare. Çfarë mund të bësh me një buxhet prej 200 mijë eurosh në vit? Sidomos po të konsiderohet se në këtë shifër duhet të përfshihet gjithçka? Me gjithë dëshirën e mirë, shpenzimet e kësaj veprimtarie duhen paguar. Nuk mund të mendosh të ftosh një personalitet të nivelit të Harnacourt, p.sh., në mënyrë amatoreske. Është folur p.sh. për të ftuar në Shqipëri Placido Domingon, ashtu siç është biseduar më parë edhe për të sjellë Pavarotti-n. Kurrë nuk është bërë gjë. Përshtypja ime është se vendoset të futet dora në xhep vetëm atëherë kur ka ndonjë përfitim politik. Ndërsa unë mendoj se politika dhe arti duhet të konsiderohen si dy gjëra të ndara. Drejtori artistik është drejtor artistik, nuk ndryshon gjë nëse është i djathtë apo i majtë. Po kështu, nëse arti ka nevojë për një financim të caktuar, kjo nuk ka lidhje me kahet politikë. Shqipëria ka tashmë një traditë me operën dhe mendoj se duhet punuar për të mos e humbur. E kuptoj vendi ynë ka sot përparësi të tjera, pasi duhen rindërtuar shkollat dhe infrastrukturat e tjera, por mendoj se mund dhe duhet të ketë më tepër respekt edhe për artin dhe artistët.