E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, pranë pushtetit historik



Nga Agron Prebibaj

Partia Demokratike ishte forca e parë politike në luftën kundër komunizmit, ku asaj iu bashkuan të përndjekurit politikë, demokristianët, ballistët dhe legalistët, duke qenë kështu në një front e duke dhënë një kontribut konkret për shembjen e njërës nga diktaturat më të egra në Evropë. PD-ja ka qenë dhe mbetet forca kryesore e të gjitha lëvizjeve politike, demokratike e diplomatike për kombin shqiptar duke pasur pranë vetes elektoratin e qëndrueshëm, duke pasur pranë vetes potencialet më të shëndosha njerëzore dhe intelektuale. Lideri i PD-së, zoti Sali Berisha, me karizmën e tij, ofroi shpresën, sigurinë e besimin për shqiptarët. Pse jo, e ardhmja shqiptare sigurohet nëpërmjet kësaj nisjeje. Sot nuk bëhet fjalë a mund të qeverisë PD-ja, me liderin e saj, pasi rivali (socialistët) qëndron larg me alternativën e vetme, sulme kundër progresit; shpifje e intriga, sukseset e luftës kundër krimit, trafiqeve e korrupsionit; xhelozi për anëtarësimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Nëse analizon sukseset apo mossukseset e zotit Berisha, shikohet qartë si një sukses madje i paimagjinuar para katër vitesh, kjo, e parë në rrafshin politik kombëtar e ndërkombëtar. Rritja e nivelit ekonomik, ulja e taksave, rritja e grumbullimit të tyre, lufta ndaj korrupsionit, dënimi i zyrtarëve të korruptuar, çlirimi i Shqipërisë nga kriminelët, kurse rritja e prestigjit në arenën ndërkombëtare duke e finalizuar atë me anëtarësimin në NATO, asocim-stabilizimi me BE-në e miratimin e saj nga vendet e BE-së do të thotë se mossuksesi është pranë zeros. Infrastruktura është arritja e cila tashmë edhe qorrin politik e verbon, ku tani qytetet lidhen më shpejt dhe lidhja mes shqiptarëve e fqinjëve së paku përgjysmohet në orë. Interneti në zonën më të largët të Shqipërisë u bën shqiptarëve në veçanti e brezave pas nesh, të takohen brenda një minute me çdo informacion dhe njohuri, jo vetëm për vendin e vet, por me të gjithë globin, një shans ky vërtet i domosdoshëm e jo luks si u vlerësua nga socialistët katër vjet më parë. Nuk janë vetëm këto arritjet e qeverisë së zotit Berisha, por shumë më të dukshme, pasi shqiptarët tani e ndiejnë veten më të sigurt, po i prekin dhe shijojnë vetë sukseset e një qeverie që tashmë është e besueshmja e Perëndimit.

Rimarrja e pushtetit nga PD-ja

Rimarrjen e pushtetit nga PD-ja e bëjnë të mundur arritjet e kësaj qeverisjeje, e bën të mundur personaliteti i zotit Berisha, e bën të mundur rezultati ekonomik, rritja e pagave, emancipimi i qytetarëve shqiptarë për t’u integruar, e bën të mundur mospasja e alternativës qeverisëse nga e majta. Pushteti historik do të vijë jo vetëm për PD-në, por i shqiptarëve, pasi qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm për korrupsionin dhe lakuriqësinë e shefit të tyre, zotit Edi, i cili tashmë me gojën e tij “të ëmbël” sjell sharjen dhe intrigën. Një lider zhgënjyes jo vetëm për socialistët, por dhe për Brukselin, të cilët vetëm në televizor mund ta kenë shijuar. A mund të ketë lider opozite në kontinentin tonë, i cili nuk është thirrur asnjëherë nga Brukseli? I vetmi zoti Edi Rama. Pushtetin historik e afrojnë projektet e nisura, garancia e të ardhmes, besueshmëria e ndërkombëtareve vetëm për zotin Berisha.

Qëndrestarët si themel i fitores

Pjekuria politike e PD-së, afrimi i potencialeve intelektuale e njerëzore nëpërmjet KOP-it në 2005-n mundëson mandatin e dytë qeverisës. Përforcimi i radhëve të saj me shkrirjen e marrëdhënieve me qëndrestarët aq e nevojshme, sa e domosdoshme, siguron një prurje të konsiderueshme për PD-në, pasi secili me vete sjell vota sa secila parti aleate e PD-së. Qëndrestarët e PD-së spikatën gjatë e pas ’97-s, ku shteti i ndiqte dhe i arrestonte të gjithë aktivistët; qëndresa e demokratëve pasohet me vrasjen e tribunit të demokracisë, Azem Hajdari . PD-ja sot ka nevojë për këtë brez, por edhe pse u duhet thënë se PD-ja duhet të hapë dyert për këtë pjesë vitale me të cilët plotësohet boshllëku, duke garantuar një qeverisje të qëndrueshme për shqiptarët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›