E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistohen burrat e “Shotës”

Ndonëse shpeza e quajtur shota i përket gjinisë femërore, janë vetëm burrat ata të cilët synojnë të jenë në krye të Ansamblit të valleve dhe këngëve “Shota”.
Gjatë ditës së djeshme është mbajtur intervistimi i katër konkurrentëve që kanë hyrë në rrethin e ngushtë për drejtor të këtij institucioni.

Në konkurrencë është Dilaver Kryeziu, i cili tashmë një vit ka udhëhequr Ansamblin “Shota”. Kryeziu ka luajtur rolin e ushtruesit të detyrës, post ky i cili iu caktua atij pasi fillimisht ishte formuar një bord prej tre anëtarësh.

Para se Kryeziu të jetë në këtë post, drejtues i Ansamblit “Shota” ishte Agron Shala. Vetë Kryeziu pati thënë se Shala e ka lënë këtë institucion në një gjendje jo shumë të mirë.

Ndërsa Shala kësaj here po synon që edhe një herë të marrë postin e drejtorit, post të cilin e kishte edhe më herët.

I intervistuar i radhës nga paneli ishte edhe konkurrenti Sylejman Shala. Ndërsa nga gara është tërhequr konkurrenti i katërt piktori Uran Limani.

“Nuk dua të intervistohem, faleminderit që më keni ftuar”, janë këto fjalët që i ka thënë Limani.

Kameron Goranci, përfaqësues i MK brenda panelit intervistues, nuk ka dashur të tregojë se cili prej konkurrentëve ka pasur një vizion më të mirë për këtë institucion. Mendimet sipas tij janë të ndara dhe individuale brenda panelit.

“Mendimet e secilit prej panelit janë të veçanta. Kemi lënë një takim tjetër ku do ta japim fjalën e fundit”, tha Kameron Goranci, përfaqësues i Ministrisë së Kulturës.

Sipas tij do të jetë dita e nesërme ose pasnesër kur edhe do t’i dërgohen emrat Ministrit Beqiri për aprovim.

“Besoj se nesër apo pasnesër do t’i dërgojmë propozimet dhe më së largu të hënën do të dihet emri”, tregoi Goranci për Express.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›