E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intrigat, të gjithë kundër Olës

Besa e ka marrë vesh se Romi e ka nominuar dhe gjen rastin që t‘i flasë vetëm për vetëm në oborr. Ajo i shpjegon se pasiviteti i saj është në fakt vendim që të tjerët të angazhohen për ta njohur, meqë ajo është më e vogla. Romina e pyet se nëse nuk do ta kishte nominuar, a do të kishte vajtur ajo t‘i fliste dhe Besa i përgjigjet se tani ajo do t‘i imponojë njohjen me të, meqënëse arsyeja e saj për ta nominuar ka qenë moskomunikimi. Romina i thotë se në shtëpinë e "Big Brother" nuk ka shokë, ka vetëm rivalë.
Besa i thotë se cilësitë e Rominës që nuk i pëlqejnë janë nxitimi për të marrë vendime dhe për të thënë disa gjëra që nuk kthehen mbrapsht dhe një egoizëm që e karakterizon. Besa i thotë se ajo dëshiron që prindërit e saj të jenë krenarë për të, ndaj çdo gjë e vlerëson ashtu si do ta gjykonte edhe familja e vet.
Romina i thotë se Besa duhet të shprehet siç di dhe siç i intereson. Ajo do ta mbështesë në gjërat që i duken të drejta dhe do t‘ia thotë në sy situatat që nuk i pëlqejnë. Romina shprehet gjithashtu se komunikimi mes dy vetave në shtëpi është i kufizuar sepse ka shumë ndërhyrje nga banorët e tjerë.
Të dyja vajzat bëjnë një diskutim në retrospektivë për të gjithë kohën që kanë kaluar bashkë dhe arrijnë disa pika të përbashkëta, por është ende shpejt për të folur për një aleancë të mundshme mes tyre.
Dy banoret e reja janë integruar plotësisht brenda shtëpisë. Ilda ka debate të gjata me Arbrin, Polin dhe Çimin për gjëra të ndryshme.
Kurse Ola flet më shumë me Inën dhe Julin. Kjo ndarje e banoreve të reja është shkaktuar nga xhelozia e Inës ndaj Ildës, lidhur me Polin dhe Ervisin.
Ky rivalitet, i lindur që në natën e parë që Ilda hyri në shtëpi, është tashmë një nga kushtet e reja të jetesës për banorët e përfshirë: Ina, Ilda, Poli dhe Visi. Dy djemtë janë shumë më tolerantë karshi Ildës, kurse Ina nuk e duron dot praninë e saj.
Banorët e tjerë përfitojnë për t‘u tallur me Inën dhe ajo, ulur diku më tutje me Nadën, i dëgjon, por i injoron. Pas një kohe të gjatë që Çimi ngacmon me zë të lartë Inën, është Ilda ajo që ndërhyn për ta pushuar, duke i thënë Çimit se nëse shakaja kalon kufijtë, e humbet vetinë e saj dhe duket sikur ajo i ka thënë Çimit të veprojë ashtu.
Ina gjen rastin për të folur me Najadën. Ato marrin në gojë Rominën dhe ndjenjat e saj për Olsin. Sipas Najadës, Romina e ka shprehur inatin e saj kur Nada me Olsin kanë fjetur bashkë. Ina përmend bisedat e Rominës me Çimin, por bien dakord që Romi "është qeveri më vete".
Besa ulet më pas me Olsin në tavolinë dhe ai e pyet se çfarë i kishte thënë Romina. Besa i tregon se Romina mendon që ajo është e kufizuar. Olsi në një mënyrë e pranon këtë mendim të Rominës dhe i thotë se Besën e njohin Juli, Arbri dhe kaq. Por ajo i thotë se debatet që kanë bërë ata nuk i kanë dhënë mundësinë që ajo të integrohet. Ajo i thotë Olsit se koncepti i saj për debatin është të flasë njëri dhe të dëgjojnë të tjerët e kështu me radhë për secilin. Mënyra sesi debatohet brenda shtëpisë, sipas Besës, nuk i lejon asaj që të depërtojë, sepse nuk është tipi që e çon zërin sipër të tjerëve që ta dëgjojnë.
Gjithsesi, Olsi i thotë se ajo nuk duhet të humbë natyrshmërinë vetëm prej nominimit. Ai i thotë se ajo nuk duhet të dalë jashtë tipit të saj, sepse i thonë të tjerët. Ai i thotë që të mos ta vrasë mendjen dhe të veprojë ashtu si do.

Ervisi bën thashetheme për Olën. Sipas tij ajo ka një strategji për të lozur me të gjithë banorët. Ai beson gjithashtu se të shtunën tjetër Ola do të nominohet.
Ai shkon në dhomë ku është Ina, Poli dhe Ilda. Ata flasin diçka për lojërat dhe Ilda del jashtë, duke thënë se kafja po i pret. Ina mendon se Ildës nuk i iket nga dhoma ku është Poli dhe ajo. Visi bën një batutë në kurriz të Ildës, duke i bërë qejfin Inës, pastaj çohet dhe shkon tek Ilda.
Kur mbeten vetëm, Ina dhe Poli flasin për raportin Visi-Ilda dhe Ina mendon se Visi nuk i sheh gjërat me sy të qartë, por është i ndikuar.
Vjen Juli dhe ata nisin sërish thashethemet për Ildën dhe Rominën.
Në kuzhinë, Besa, Olsi, Çimi dhe Titi përgatisin mëngjesin. Olsi bën thashetheme për Olën dhe Rominën që i kanë lënë të tjerët pa gjumë. Vjen Romina dhe ata i thonë që nuk duhet t‘i japë kaq shumë muhabet Olës, se ata nuk durojnë dot që t‘i shqetësojnë gjatë kohës që janë bërë gati të flenë. Olsi i bërtet Rominës, duke i thënë se ishte faji i saj që Ola e vazhdonte muhabetin gjatë natës. Çimi, gjithashtu, kërkon ta vërë në faj Rominën, pasi sipas tij, dëshira e Romit për të qenë në qendër të vëmendjes e bën atë të merret me të tjerët.
Olsi është vërtet i acaruar me Olën, që nuk e ka lënë të qetë gjatë natës. Ai i thotë Rominës që të mos ta lërë Olën t‘i bëjë si gocë e zgjuar, se nuk ka lezet, se ajo është "vajzë tironse".
Astriti gjithashtu komenton në lidhje me këtë, duke i thënë Romit se ato që i ka thënë Olës gjatë natës, nuk ia ka thënë asnjërit gjatë një muaji e gjysmë aty brenda.
Në këtë pikë Çimi acarohet me Rominën dhe ata të dy debatojnë.
Nga ana tjetër Olsit nuk i pushon goja për Olën, duke thënë se ajo është pak intrigante dhe aspak e zgjuar. Besa thotë se shakatë e saj janë pa kripë.
Të gjithë në tavolinë duken të acaruar me Olën dhe me Rominën që i dha rastin që Ola të "bëjë sikur".
Olsi shprehet se me dy vajzat e reja biseda është e ftohtë. Atij nuk i "ngjit" me asnjërën prej tyre. Ai thotë se nuk ndjen afrimitet me to.
Ervisi me Najadën në kopsht flasin gjithashtu për Olën, duke thënë se ka karakterin e një sherrxhijeje. Sipas tyre, ajo do të shkaktojë konflikte brenda shtëpisë, si mënyrë për të dalë mbi të tjerët.
Nga dhoma janë Ilda, Ola, Arbri dhe Ina, e cila ende nuk e ka hequr këmishën e natës. Ola debaton për sjelljen e banorëve në shtëpi, duke thënë se shpesh mendimet që krijohen për të tjerët janë sipërfaqësore. Ilda nuk ndërhyn në këtë bisedë, por vetëm vesh rrobat e banjës, duke e injoruar bisedën e Inës dhe Olës.
Najada tregon për momentet kur përcolli Leonardin te dera. Ajo thotë se u ndje keq, pasi ajo e kishte nominuar, por ai i uroi fat dhe i tha që ishte më e mira. Ajo ishte prekur nga kjo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›