Zgjerimi i mëtejshëm ndan NATO-n
Gjermania ka konfirmuar qëllimin e saj për të mos lejuar Gjeorgjinë dhe Ukrainën t‘i bashkohen Planit të Aksionit për Anëtarësim në NATO, që konsiderohet edhe si hapi i parë drejt anëtarësisë në aleancë, në Samitin që fillon sot në Bukuresht. Berlini ka insistuar se nuk është koha e duhur që dy republikat sovjetike të lejohen t‘i afrohen anëtarësimit të plotë në organizatë, shkruan "Financial Times". Një zëdhënës i Kancelares Angela Merkel, ka përmendur arsye të brendshme, si paqëndrueshmëria politike në Gjeorgji dhe ndarjet e thella mes ukrainasve në lidhje me anëtarësimin në NATO, si shkak kryesor për vendimin e Gjermanisë. Por, Berlini ka vënë theksin edhe te "shqetësimet legjitime për sigurinë" të Rusisë në lidhje me zgjerimin e aleancës drejt lindjes, e sipas tij, ato nuk duhet të injorohen. Në këtë mënyrë, konfirmohen edhe sugjerimet e disa analistëve, që pretendojnë se Gjermania është veçanërisht e shqetësuar se mos zemëron Moskën. Rusia kundërshton prerazi ambicien e dy ish-republikave të Bashkimit Sovjetik dhe Presidenti në pritje, Dimitri Medvedev, javën e shkuar paralajmëroi se zgjerimi i organizatës ushtarake deri në kufijtë e Rusisë, do të prekte edhe sigurinë e Evropës. Të tjera vende që kundërshtojnë ambicien e Tbilisit dhe Kievit mendohet se janë edhe Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika, Portugalia dhe Luksemburgu. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara, por edhe disa anëtarë të BE-së nga Evropa Lindore si Polonia, mbështesin anëtarësimin e mundshëm në NATO të këtyre vendeve. Pas ndarjeve të brendshme, 26 anëtarët e NATO-s tani po përpiqen të gjejnë një kompromis që do t‘i kënaqte të gjithë dhe nuk do të linte të kuptohej se Moska kishte zë edhe në punët e brendshme të Organizatës. Samiti i NATO-s, që shënon në të njëjtën kohë edhe përvjetorin e 59-të të krijimit të organizatës, fillon sot dhe përfundon të premten (më 4 prill) në Bukuresht. Takimi, gjithsesi, është lënë disi në hije edhe nga një mosmarrëveshje mes Greqisë e Maqedonisë, në lidhje me emrin e ish-Republikës Jugosllave, një çështje kjo që po kërcënon të pengojë anëtarësimin e Shkupit në NATO. Tri vende të Ballkanit, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, presin të ftohen për t‘u anëtarësuar në aleancë, në Samitin e Bukureshtit. Gjithsesi, Greqia ka përsëritur të hënën se do të vendosë veton ndaj një ftese për anëtarësim të Maqedonisë, në rast se nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme për emrin e fqinjit të saj. "Mungesa e një zgjidhjeje të pranueshme për emrin, do të thotë mungesa e ftesës për anëtarësim në NATO", tha ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis. Ajo shtoi gjithashtu se Greqia nuk do të dorëzohej para presionit të jashtëm mbi këtë çështje. Në të vërtetë, BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar në vazhdimësi që të dyja vendet të gjejnë një kompromis, ndërsa të tjerë druajnë se një veto ndaj pranimit të Maqedonisë do të kërcënonte stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Greqia refuzon ta njohë emrin kushtetues të fqinjit të saj, Republika e Maqedonisë, edhe pse me atë emër është njohur nga rreth 100 vende të tjera të botës, përfshi Rusinë, SHBA-në, Kinën, Kanadanë, Turqinë dhe vende të tjera anëtare të BE-së, si Britania e Bullgaria. Edhe një rajon në veri të Greqisë quhet Maqedoni dhe Athina druan se kjo mund ta lejojë Shkupin të shfrytëzojë emrin për të ngritur pretendime territoriale. Dy vendet kanë plot 17 vjet që negociojnë, pa asnjë rezultat, ndërkohë që termi provizor "ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë" është përdorur që nga 1993 dhe si Athina ashtu edhe Shkupi nuk pranojnë që ky emër të përdoret më gjatë. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara mbi emrin e Maqedonisë vazhdojnë, por Athina thotë se propozimi i fundit i sjellë nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, Republika e Maqedonisë (Shkup), është larg konsensusit grek. Nga ana e tij, Parlamenti i Maqedonisë duhej ta votonte këtë propozim të ri dy ditë më parë, por u tha se për sa kohë nuk kishte asnjë sinjal pozitiv nga ana e Greqisë, votimi mund edhe të lihej për një kohë të mëvonshme. Sipas disa analistëve, një veto ndaj Maqedonisë do të kishte pasoja edhe mbi aplikimin e Shqipërisë fqinje, kjo edhe për shkak të dyshimeve që ekzistojnë për kapacitetin e Tiranës për anëtarësim në NATO me të drejta të plota. Ndërkohë, sipas tyre, edhe mbështetja e anëtarësimit të Shqipërisë në aleancë justifikohet më së shumti me dëshirën për të ruajtur stabilitetin në rajon. E ndërkohë, në Bukuresht, gjithçka është gati për t‘i dhënë udhë atij që konsiderohet si Samiti më i madh dhe më i rëndësishëm në historinë e NATO-s. Janë 60 liderë shtetesh dhe qeverish, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, që do të marrin pjesë në samitin e përvitshëm, që këtë radhë zhvillohet në pallatin e ndërtuar nga diktatori rumun, Nikolae Çaushesku.