Inva Mula, Adina që magjepsi amerikanët
Sopranoja shqiptare, Inva Mula, ka interpretuar në Operën e San Franciskos "Eliksirin e dashurisë", një nga veprat më të mëdha të kompozitorit të famshëm italian Donizeti. Inva Mula, shumë e vlerësuar nga kritika amerikane, ka interpretuar Adina bukuroshen, historia e së cilës fillon me një libër dashurie, me historinë e Tristanit dhe Izotës. Më flokët e saj të verdhë, elegante dhe me zë të dashur, sopranoja shqiptare Inva Mula (Adina) duket dashuria ideale për Nemorinon. Ndërsa ajo lexon librin, fshatari i varfër Nemorino e vështron dhe bindet gjithnjë e më shumë se e dashuron, edhe pse e di se nuk mund ta bëjë për vete. Fshatarët i kërkojnë që Adina të lexojë me zë të lartë dhe ajo u tregon atyre se si Tristani, i cili është i dashuruar me mbretëreshën Izota, gjen një filtër magjik që e ndihmon për ta bërë për vete. Ndërsa Nemorino ëndërron të gjejë këtë eliksir të dashurisë, në vend vjen rreshteri Belcore. Ai miklon Adinan dhe i propozon për martesë. Por Adina ka një teori të vetën për dashurinë: ajo thotë se dashuria besnike dhe e qëndrueshme nuk është për të. Nemorino i kërkon doktor Dulcamara-s nëse e ka eliksirin që të bëjë për vete Adinan. Doktori sharlatan i ofron një shishe vere "Bordeaux", duke e siguruar se efekti do të nisë menjëherë. Nemorino pi eliksirin dhe dehet. Kjo e bën të ndihet ndryshe, madje fillon të sillet edhe indiferent ndaj Adinas, e cila ishte mësuar të ndihej e dëshiruar prej tij. Për t‘u hakmarrë ndaj kësaj indiference të Nemorinos, ajo pranon të martohet me rreshterin. Nemorino mundohet më kot të bindë Adinan të presë edhe një ditë, por ajo largohet me Belcore-n. Papritmas përhapet lajmi se Nemorino ka trashëguar një pasuri të madhe. Adina kupton se sa shumë e dashuron ai dhe, ndërsa Nemorino përpiqet të largohet nga vendi, ajo deklaron se e dashuron. Doktor Dulcamara largohet triumfues për suksesin e eliksirit të tij. Opera "Eliksiri i dashurisë", në të cilën interpreton sopranoja shqiptare Inva Mula, do të vazhdojë të shfaqet deri më 26 nëntor në Operën e San Franciskos.