E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lidhjet e pandashme me Shqiperine"

Data 1 dhjetor i vitit 1918 simbolizon bashkimin e madh te rumuneve ne te gjitha trojet e tyre, bashkim i cili kushtezoi unitetin e ketij kombi, nje nder me te lashtet ne gadishullin e Ballkanit. I ngarkuari me pune i Rumanise ne Tirane, Gheorghe Micu, diplomat karriere dhe njohes i mire i Shqiperise, ne nje konference per shtyp te organizuar te enjten, ne kuader te 90 vjetorit te Festes Kombetare te Rumanise, nenvizoi faktin se, "krijimi i shtetit kombetar beri qe populli rumun te nxirrte ne pah energjite, aftesite krijuese ne sherbim te progresit ekonomik, zhvillimit te shkences, arsimit dhe kultures".

Duke bere nje prezantim te shkurter te historise se bashkimit te madh te rumuneve z. Micu informoi per gazetaret shqiptare se "me 1 dhjetor te vitit 1918, Kuvendi Kombetar, i mbledhur ne Alba Julia dhe i perbere nga 1228 delegate, te perkrahur nga mbi 100 mije vete te ardhur nga te gjitha viset rumune te Transilvanise dhe Banatit, hartoi nje rezolute qe vendosi bashkimin e te gjithe rumuneve".

Ne periudhen mes dy Lufterave Boterore Rumania ndodhej ne trajektoren e nje jete moderne, duke kontribuar dhe ne planin nderkombetar ne drejtim te paqes dhe te sigurise, ndersa pas Luftes se Dyte Boterore aty u vend regjimi komunist per t'u shembur ne dhjetor te vitit 1989.

Rumania, nje nder vendet e para, qe rrezoi sistemin totalitar komunist ne Evropen Lindore, eshte sot anetare e Bashkimit Evropian. Nga renia e regjimit komunist dhe deri tani kane udhehequr pese qeveri dhe tre presidente, ndersa me 30 nentor te ketij viti Rumania pret zhvillimin e zgjedhjeve te reja parlamentare.

Lidhjet me Shqiperine

Ne konferencen e perbashket per shtyp me rastin e 90 vjetorit te bashkimit te madh rumun, diplomati rumun paraqiti dje, disa nga zhvillimet ne marredheniet miqesore qe ekzistojne midis Shqiperise dhe Rumanise, te cilat datojne prej kater shekujsh, per te qene te 'ngrira' ne disa vite gjate regjimit komunist.

Ai permendi 3 momente te rendesishme per rumunet dhe shqiptaret, 5 nentorin e vitit 1912, kur ne Bukuresht patriotet shqiptare, te udhehequr nga Ismail Qemali, vendosen shpalljen e Pavaresise, qe u finalizua ne Vlore ne 28 nentor te atij vit; shtatorin e vitit 2006, kur ne Bukuresht, ne prani te Kryeministrit Sali Berisha Shqiperia u pranua anetare e Organizates Boterore te Frankofonise; 3 prillin e ketij viti, kur po ne Bukuresht, Shqiperia mori ftesen e anetaresimit ne NATO.

Duke u ndalur ne planin politiko-diplomatike, z. Micu tha se raportet rumuno-shqiptare jane shume te mira. Ai permendi me kete rast vizitat e ndersjella ne nivel kryeministrash, kryetare parlamentesh dhe ministrash te jashtem, ndersa informoi se ne vitin 2009, Presidenti i Rumanise Trajan Beseku do te vizitoje Shqiperine.

"Rumania ishte vendi i gjashte qe ratifikoi Protokollin per anetaresimin e Shqiperise ne NATO, ndersa ka treguar gatishmerine e saj per te ndihmuar Shqiperine ne anetaresimin e saj ne Bashkimin Evropian", theksoi ai.

Ekonomia

Persa i takon bashkepunimit ekonomik mes dy vendeve evidentohet rritje ne tregtine dypaleshe. "Shpresojme se kriza aktuale ekonomike boterore nuk do ta preke bashkepunimin rumuno-shqiptar, ndonese Rumania po ndjen pasojat e saj ne mbylljen e disa fabrikave per periudha te ndryshme, uljen e disa kapaciteteve prodhuese te saj", - tha z. Micu, i cili nenvizoi se gama e prodhimeve te eksportit rumun ne Shqiperi eshte zgjeruar gjate vitit 2008 me vajra lubrifikante per nxjerrjen e naftes, ambalazhe kartoni, pijet alkoolike, makineri dhe aparate, etj.

Sipas tij, nese vlera e shkembimeve tregtare ne vitin 2007 ishte 54.62 milione dollare deri ne 31 tetor te ketij viti ka arritur ne 47.66 milione dollare dhe shpresojme se deri ne fund te vitit do te shenoje shifren 60 milion dollare. Rritje konstante vitet e fundit ka shenuar dhe bashkepunimi ushtarak mes dy vendeve, mes te cilave z. Micu u shpreh se "vlen te permendim ndihmen qe Rumania i ka ofruar Shqiperise per anetaresimin ne NATO ne menyre te vecante gjate Samitit te Bukureshtit qe u zhvillua nga data 2-4 prill te ketij viti". Z. Micu vuri ne dukje se aktualisht po krijohen kushte per nje bashkepunim ne nje forme te re, edhe per faktin se ne vitin 2009 Shqiperia do te behet vend anetar me te drejta te plota ne NATO.

Vizat, 30 per qind me shume se nje vit me pare

Nga momenti i hyrjes ne fuqi te marreveshjes se lehtesimit te vizave mes Shqiperise dhe Bashkimit Evropian, qytetaret shqiptare e kane me te lehte dhe me nje cmim me te ulet marrjen e vizes hyrese ne Rumani. Statistikat e seksionit konsullor te ambasades rumune tregojne se numri i vizave te leshuara gjate ketij viti rezulton te jete 30 per qind me shume, krahasuar me te njejten periudhe te nje viti me pare. Po ashtu dhe perqindja e refuzimit te kerkesave per vize per shtetasit shqiptare ka pesuar ulje duke arritur aktualisht shifren 3-4 per qind.

Ne baze te marreveshjes, rreth 40 per qind e vizave te leshuara nga ambasada rumune per shtetasit shqiptare kane qene falas. "Ne te ardhmen ne perkrahim liberalizimin e plote te regjimit te vizave mes Shqiperise dhe vendeve te BE-se, me kusht plotesimin e standardeve nga pala shqiptare si dhe te angazhimeve te marra ndaj Komunitetit Evropian", tha z. Micu i cili u shpreh i bindur se perpjekjet e gjithe faktoreve pergjegjes ne Shqiperi do te mundesojne sa me shpejt qarkullimin e lire te shqiptareve ne Evrope.

Vendi qe jep me shume bursa per studentet shqiptare

Rumania ka dhene nje ndihmese te madhe ne pergatitjen e specialisteve shqiptare, ku sic informoi z. Micu nga viti 1991 dhe deri tani ne universitet rumune kane studiuar rreth 1000 studente nga Shqiperia, te cilet sot punojne ne institucione te rendesishme te vendit.

Vetem gjate vitit akademik 2008-2009, Rumania ka akorduar 106 bursa per te rinjte shqiptare, ne dege te ndryshme, ndersa te tjere po kryejne ne Rumani dhe studimet per master dhe doktorature. Aktualisht, informoi ambasadori Micu, numri i te rinjve shqiptare qe po kryejne studimet ne universitet rumune, eshte 500. Sipas tij, Rumania eshte vendi qe afron me shume bursa per studentet shqiptare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›