Inva Mula, koncert recital në Tiranë
24/02/2009 Këtë herë është ngjitur në skenën e publikut të saj. Madje ka suprizuar me interpretimin, si përherë dinjitoz dhe jo vetëm. Sopranoja Inva Mula është shfaqur dje me një recital në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. E shoqëruar nga Cammerata e Tiranës, nën drejtimin artistik të violonçelistit Arben Skënderi dhe harqeve të Orkestrës së TKOB, Mula solli një kolazh ariesh të zgjedhura nga krijimtaria më e mirë operistike botërore, por edhe pjesë të përzgjedhura shqiptare. Me një program të zgjedhur me shumë kujdes, publikut iu përcollën jo vetëm vepra të mirënjohura shqiptare, por edhe pjesë që ngjiteshin për herë të parë në skenën tonë përmes zërit të Mulës. Një koncert vokal, peshën e të cilit e mbante të gjithën vokali i sopranos në një interpretim “live”, për publikun u interpretuan pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve të njohur, si Mozart, Puçini, Rosini, Gunot, etj. Aria e Paminës, shkëputur nga opera gjermane e Moxartit, “Flauti magjik”, një arie nga opera “Romeo dhe Zhulieta” Gunosë, aria e Liusë, nga e famshmja “Turandot”, një arie e panjohur nga publiku shqiptar, “Fille de Cadix” (Vajza e Kadiksit) nga kompozitori Leo Delibes, shkëputur nga “Chanson Espagnole”, etj., ishin pjesë e programit të djeshëm. Ndërsa për sa i përket “pjesës shqiptare”, ishin përzgjedhur aria e Boranës nga opera “Borana”, e kompozuar nga Avni Mula, babai i sopranos, por edhe ajria e njohur shkodrane “Jasaman asaj furie”, e cila është edhe pjesë e albumit me këngë qytetare shqiptare të Inva Mulës. Megjithatë, këtë herë kjo këngë erdhi në tjetër variant, e orkestruar nga kompozitori Çesk Zadeja, meqenëse sopranoja nuk ishte e shoqëruar nga kuarteti i harqeve “Gaudi”, por nga një orkestër e plotë. Gjatë 60 minutave veç interpretimeve të Mulës pati edhe dy ekzekutime të orkestrës: uvertura hyrëse e “Dasmës së Figaros” dhe uvertura e Karmenit tek opera “Karmen” e Bizesë.