E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret burrin e vajzes se xhaxhait, i rrahu vëllain



BERAT – Pasi i ka rrahur vëllanë, një 32 vjeçar ka vendosur që të hakmerret ndaj burrit të kushërirës, duke e vrarë me armë zjarri në mes të qytetit të Beratit, teksa viktima po pinte në një lokal kafenë e mëngjesit. Burimet zyrtare të policisë së Beratit bëjnë të ditur se shtetasi Sokol Kokoshi është ekzekutuar me një plumb pistolete në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku i dyshuari kryesor është Ndriçim Veleshnja. Viktima ka qenë duke pirë kafenë në një lokal që ndodhet në bulevardin kryesor të qytetit, kur është qëlluar nga një person, i cili sapo ka zbritur nga makina tip “Alfa Romeo”, me targa TR 8837 I, e ka qëlluar me një plumb që ka rezultuar vdekjeprurës. Pas kryerjes së krimit autori është larguar në këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke e lënë makinën e parkuar në mes të bulevardit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat pasi kanë bërë rrethimin e vendit të ngjarjes.
Atentatori
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, por edhe nga burime policore, autori i këtij krimi ka qenë shtetasi Ndriçim Veleshnja, i cili është njëkohësisht djali i xhaxhait të bashkëshortes së viktimës. Mendohet që konflikti brenda kësaj familje ka lindur disa ditë më parë, pasi viktima gjatë një debati ka rrahur vëllanë e vrasësit, të quajtur Altin Veleshnja, për motive që ende nuk bëhen të ditura nga grupi hetimor. Kjo ka qënë edhe arsyeja që e ka çuar 32 vjeçarin Ndriçim Veleshnjën të ndërmarrë këtë akt ekstrem, duke mos marrë parasysh martesën e Sokolit prej vitesh me vajzën e xhaxhait të tij, me të cilën kishte lindur dy vajza.
Vdekja
Sokol Kokoshi ka marrë në anën e majtë të kraharorit një plumb, i cili sipas mjekëve, i kishte prekur një pjesë të zemrës. Ndonëse është dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Beratit dhe megjithë ndihmën e dhënë nga kirurgët, ai ka gjetur vdekjen. Burimet spitalore pohojnë se i plagosuri ka mbërritur në gjendje tejet të rëndë dhe pa shpresa për jetën, pasi plumbi kishte dëmtuar rëndë zemrën. Policia është vënë menjëherë në kërkim të autorit të ngjarjes, duke ngritur postblloqe në të gjitha rrugët e qytetit,si dhe duke intensifikuar kërkimet edhe në fshatrat përreth. Ai është shpallur në kërkim pasi akuzohet për veprën penale të vrasjes.

Konflikti mes prindërve, var veten me çarçaf në kasolle

URA-VAJGURORE - Një 21-vjeçare, banore e lagjes "Guri i Bardhë", në qytezën e Urës-Vajgurore të rrethit Berat, i ka dhënë fund jetës,duke u vetëvarur në kasollen që ndodhej në pjesën e pasme të shtëpisë. Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi dje, rreth orës 13:30, kur Migena Avrami, pasi kishte drekuar me bashkëshortin dhe vajzën e saj 1-vjeçare, kishte marrë një çarçaf, të cilin pasi e ka lidhur në trarin e kasolles, dhe më pas është vetëvarur me të. Migena ishte martuar rreth 2 vjet më parë në lagjen "Guri i Bardhë"" dhe nga kjo martesë ka lindur edhe fëmija e parë, i cili është në moshën 1-vjeçare. Fqinjët e familjes Avrami pohojnë se mes çiftit nuk ka patur kontradikta, dhe se shkak për këtë vetëvarje mendohet të jetë një konflikt i vjetër mes prindërve të viktimës, të cilin duket se vajza nuk e ka përballuar dot psikologjikisht.

Zënka me të fejuarin polic shkak për zhdukjen e vajzës

BERAT – Ndarja me të fejuarin, oficer policie është bërë shkas që 16-vjeçarja të ndërmarrë për disa orë një aventurë arratisje. Vetëm dje është zbardhur e vërteta e zhdukjes së Orsjola Paraspuari, e cila u largua një javë më parë nga shtëpia e ish të fejuarit të saj, me detyrë oficer i policisë kriminale në komisariatin e policisë së Beratit, me të cilin bashkëjetonte prej 4 muajsh. “Jam larguar tek tezja pa i thënë askujt për shkak të zënkave që kam patur me të fejuarin”, - thotë Orsjola. Largimi i saj shkaktoi alarm në të gjithë qytetin dhe mediat e vendit. Pas gjithë kësaj historie, 16-vjeçarja i është drejtuar organeve të policisë, ku ka rrëfyer të vërtetën e largimit të saj. Ajo ka fajësuar ish të fejuarin e saj për situatën e krijuar dhe denoncimin e rremë, që ka bërë në polici.

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›