E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët sorollaten në QSUT për KEMP-in

Invalidët sorollaten me vite të tëra dyerve të spitaleve për të përfituar KEMP-in. Njerëz të sëmurë prej vitesh sorollaten nga mjekët, ndonëse ju duhet të ikin e të vijnë disa herë në muaj nga rrethet. Kjo është ajo çka ndodh në korridoret e qendrës spitalore universitare, "Nënë Tereza". Një pacient që kishte 40 vjet i paralizuar, e sjellin me barelë nga Rrogozhina për në Tiranë dhe përsëri e kthejnë mbrapsht, pa i kthyer përgjigje nëse i takon ose jo të përfitojë statusin e invalidit të përhershëm. Ky pacient i shoqëruar nga i vëllai vjen në spitalin e neokirurgjisë për një konsultë mjekësore që do të vendoste statusin e tij. Kur erdhi dhe u ankua në "Fiks Fare", ishte hera e katërt që e sillnin në Tiranë me një furgon, të cilin e merrnin me qira nga gjashtë mijë lekë në çdo rrugë që bënte nga Rrogozhina për në Tiranë. Të gjitha herët që ka ardhur në Tiranë, mjeku Ilir Budo, edhe pse ai kishte një rekomandim për te neurologu, e përcillte për te reumatologu. Sa herë që e sillnin ashtu të paralizuar me barelë, priste me orë të tëra në korridoret e spitalit dhe e sorollatnin sa nga njëri mjek, te tjetri dhe askush nuk i jepte zgjidhje problemit që kishte.

Kamera e "Fiks Fare" e ndoqi ditën e fundit kur ai u paraqit në spitalin nr. 5 në QSUT, "Nënë Tereza". Pasi ka pritur gjithë ditën për një përgjigje nga mjekët, në orën 14:50 e adresojnë përsëri për te reumatologu. Mjeku reumatolog e adreson përsëri për t‘u vizituar te neurologu. Pacienti, së bashku me kamerën e "Fiks Fare", kërkojnë nëpër korridoret e pavijonit nr. 5 shefen e pavijonit dhe mjekun Ilir Budo, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në spital, edhe pse ora është 14:50. Pacienti që ndodhet në gjendje të rëndë nuk mund të kthehet përsëri në Rrogozhinë dhe i detyruar nga sorollatja e mjekëve, fle në korridorin e spitalit. Të nesërmen, pacienti i paralizuar pret akoma në korridoret e spitalit 5. Pas kësaj sorollatjeje të gjatë, më në fund pacientit i kanë dhënë një shpresë. E kanë përcjellë duke i premtuar se sot do t‘i japin nga pavijoni i neurologjisë një fletë rekomandimi për në Kemp.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›