E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si duhet lexuar proza e Kadaresë

Shaban Sinani, studiues dhe historian i letërsisë, etnolog, eseist dhe publicist, pas botimit të disa librave me studime historiko-letrare, e pas vëllimit "Një dosje për Kadarenë", ka nxjerrë në dritë një tjetër vepër studimore, e cila gjithashtu i kushtohet shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Libri me studime i Sinanit, titulluar "Për prozën e Kadaresë", botuar nga "Naimi", përmban artikuj dhe studime të shkruara për prozën e Kadaresë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundmë, në vitet 1991-2009. Sipas akademikut Jorgo Bulo, i cili ka shkruar edhe parathënien e librit, me këtë vepër Sinani ka hyrë në arenën e ndeshjes së mendimit kritik e shkencor. Sipas akademikut, një nga shkrimtarët bashkëkohorë që tërhoqi para së gjithash vëmendjen e studiuesit dhe zgjoi vëmendjen e tij shkencore ishte padyshim Ismail Kadare, shkrimtari botëror i letërsisë shqiptare. Kur nis Kadare të lërojë arën e prozës shqipe, asaj i ngatërroheshin nëpër këmbë ferrat dhe trajtat e poetikës së sentimentalizmit, që ia kufizonte hapësirën, siç provon Shaban Sinani në studimet e tij, si dhe trysnia e poetikës së një romantizmi social të shpallur si realizëm, që ishte në thelb një realizëm i futur brenda shtratit të Prokrustit. Romani i Kadaresë, duke zhvendosur qendrën e gravitetit nga ngjarjet te mendimi dhe te filozofia e historisë, përtëriu krejt strukturën e zhanrit. Poetika e hapur e prozës së Kadaresë krijoi hapësirën për shprehjen e polifonizimit të ideve, artikulimin e disa zërave brenda një tipi ligjërimi të përzier dhe brenda një ligjërimi ku dhe kohët përzihen e ku bashkëjeton realja me irealen. Proza e Kadaresë është proza e metaforës së madhe të absurdit ekzistencial, proza e parabolës, analogjisë dhe alegorizmit. Kadare i dha kështu një fytyrë moderne prozës shqipe, në të gjithë përbërësit e vet. Ai flaku prej saj rutinën dhe mjetet e harxhuara, theu skemat e strukturave tradicionale narrative, i solli asaj fuqinë sugjestionuese të nëntekstit, që aludonte te e vërteta tronditëse, të cilat shqetësonin kritikën zyrtare; e pasuroi atë me përmasën universale, e nxori nga shtrati i Prokrustit dhe e futi në shtratin e modernitetit. Duke ardhur në këtë shtrat, proza e Kadaresë vuri në qendër dramat e individit dhe të kombit, kërkimet morale në situatat ekzistenciale të jetës së tyre, përsiatjet filozofike për raportet e individit me shoqërinë dhe me shtetin a, më saktë, me pushtetin. Duke u përqendruar kryesisht në veprat e Kadaresë të botuara deri në fundin e viteve 1990, studiuesit i kanë tërhequr vëmendje ato vepra që sillnin një rreze drite në mbretërinë e amullisë, ku vegjetonte dhe tjetërsohej individi, pra dhe një lëndë që përmban një përbërëse të fuqishme të ligjërimit etnografik, romanet me pikënisje të mirëfillta mitologjike tradicionale, ku analogjitë dhe asociacionet historike e aktuale i japin idesë një tingëllim aktual. Gjithashtu, janë veçuar ato vepra të autorit që kanë pasur fat të ngatërruar në rrafshin e komunikimit, për shkaqe letrare e ideologjike, ose që janë pritur në mënyrë të ndryshme nga kritika, pa veçuar atë lloj kritike dashamirëse që "ekzagjeronte" angazhimin e shkrimtarit, si një "antidotë" kundër helmit të kritikës dashakeqëse që u binte borive të alarmit për "arratisjen" e shkrimtarit nga realiteti në botën e mitit, ose në thellësitë e historisë. Në disa raste, objekti i studimit është zgjedhur për shkak të mosvëmendjes së kritikës në kohën e botimit të veprës dhe më pas, mbetja e tyre jashtë gjykimit shkencor. Në studimet dhe artikujt e Kadaresë ka çështje që autorit i kanë dalë si shqetësime shkencore pas botimit të librit "Një dosje për Kadarenë" dhe nga përgjegjësia për të saktësuar receptimin e kësaj vepre, sidomos prej lexuesit të huaj. Vepra e Kadaresë në këto studime vështrohet brenda një rrethi të gjerë ndërvarësie: autori, jeta dhe biografia e tij, koha, lexuesi, lexuesi i parë, lexuesi perëndimor, opinionet letrare, shtypi, zyrat, politika, ideologjia, pushtetet dhe shteti. Në mënyrë të veçantë vështrohen raportet letërsi - ideologji dhe letërsi - pushtet në shoqëritë e mbyllura dhe ndikimi i ndërsjellët i tyre. Disa prej veprave të Kadaresë interpretohen në mënyrë të lirshme, si lexime vetjake, që nuk kufizojnë hapësirën e lirisë për debat rreth tyre dhe rreth këtij leximi. Ndërsa për një grup tjetër veprash, pretendimet janë më rigoroze shkencore, sidomos për ato vepra që kanë një paratekst folklorik-mitologjik a etnojuridik, ku studiuesi e ndien veten më mirë "në terrenin e vet". Në këto raste ka përpjekje për një krahasim midis dy ligjërimeve, tradicionale popullore e letrare, si dhe për atë shndërrim që ndodh në procesin e dekodifikimit të mitit prej shkrimtarit. Bulo vazhdon duke thënë se në këtë proces studiuesin "e ka ndihmuar" mjaft edhe puna me formimin e studiuesve të rinj, projektimi dhe udhëheqja e disa mikrotezave dhe tezave studimore pasuniversitare të disa niveleve, master e doktoratë, brenda dhe jashtë vendit, me objekt veprën e Kadaresë, në vështrimin psikanalitik, psikokritik, antropologjik, etnologjik dhe krahasues. Duke e parë suksesin e veprës së Ismail Kadaresë të kushtëzuar prej karakterit etnografik të saj, që e bën atë një letërsi të mirëpritur në botën e madhe të letrave, prej studiuesit janë kërkuar dukuri, tipare, psikoza dhe mendësi me karakter etnotipik, të tilla që formohen në rrjedhë të shekujve dhe bëhen pjesë e identitetit të një populli. Libri ka për qëllim të lehtësojë një lexim shkencor të prozës së Kadaresë, sidomos prej studiuesve në formim e sipër. Por, në një vlerësim më të gjerë, ky libër i ri me studime i Shaban Sinanit mund të shërbejë edhe si një udhërrëfyes i saktë jo vetëm për nxënësit, studentët, filologët dhe studiuesit e veprës së Kadaresë, por për shkak të gjuhës së shkathët dhe stilit elegant, edhe për lexuesin e gjerë dhe dashamirësit e letrave shqipe. Mund të thuhet se kush kërkon të kuptojë dhe studiojë edhe më thellë prozën e Ismail Kadaresë e ka të domosdoshëm këshillimin me studimet e Shaban Sinanit dhe me këtë libër të ri të tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›