E Diel, 1 Nëntor 2026

PERTEJ APLIKIMIT PER ANETARESI NE BE

Dorëzimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, realizuar me shpejtësi dhe entuziazëm elektoral nga Kryeministri Berisha vetëm dy ditë më parë, përveç sa është thënë dhe sigurisht edhe do të thuhet në vazhdim, ngre një pikëpyetje të madhe në lidhje me karakterin dhe cilësinë e luftës politike në Shqipëri. Të gjithë e kemi kërkuar dhe vazhdojmë ta kërkojmë një politikë konsensusi në lidhje me procese jetike të zhvillimit të vendit, sikundër është edhe ky hap i fundit. Në këtë kuptim, edhe rezoluta e Parlamentit në lidhje me këtë kandidim ngjan se shkon pikërisht në këtë drejtim.

Pavarësisht se një sërë përfaqësuesish të rëndësishëm apo më pak të rëndësishëm të disa prej vendeve të BE-së, apo edhe të administratës së Brukselit, pavarësisht reagimit jo pak shpotitës së disa agjencive prestigjioze të lajmeve, tashmë ky akt është kryer dhe nuk ka se si të mos gjykohet me objektivitet, ashtu sikundër është, një hap i madh i Shqipërisë.

Dhe një detyrim i madh gjithashtu, një detyrim që kërkon në mënyrë urgjente një optikë të një shkalle të re në përmbushjen e këtyre detyrimeve që përfshijnë një spektër ku e ku më të gjerë se sa ai ngushtësisht politik. Megjithatë, kësaj radhe do të ndalemi pikërisht te politika dhe te cilësia e politikëbërjes këtej ndër anët tonë, në këtë Yrt të shkretë të Ilirisë Perëndimore…

Së pari, dorëzimi i kërkesës, më shumë se sa përmbushje e një detyrimi dhe kërkesë për marrje përgjegjësish të reja (reformat e thella, sikundër thonë "paper"-s që na dërgon kohë më kohë Brukseli), u konceptua si një garë retorikash emocionale nga të dyja kampet e politikës. Edhe elektorale, sigurisht.

Të dy krahët vrapuan të demonstrojnë para publikut se cili ishte më shumë pro-evropian dhe se cili paskësh thënë i pari që Shqipëria duhet ta paraqesë këtë kërkesë. Askush nuk foli për përmbushje standardesh, për një axhendë të re dhe agresive reformash e "detyrash" që duhet të përmbushen nga ne për ta merituar këtë status minimalisht. Askush, madje, nuk u ul të bëjë një rezyme të reformave të përmbushura deri tani.

Thjesht të thurësh hartime elektorale është, në mos e dëmshme, e padobishme.

Qëndrimi i opozitës nga ana e vet, gjatë gjithë harkut kohor që përfshin debatin në lidhje me këtë çështje, ishte provë tjetër e paqartësisë dhe paaftësisë për të bërë politikë të vërtetë, qoftë edhe jo aq "të re". Zonja Leskaj, e përfshirë në këtë garë të pakuptimtë, shpejtoi t‘u kujtojë shqiptarëve se Partia Socialiste mendonte që Berisha ishte vonuar në këtë kërkesë, pasi PS-ja e paskësh kërkuar që në shtator të vitit të kaluar këtë gjë. Anashkalimi i deklaratës të para disa ditëve të bërë nga zonja Dade, se PS-ja mendonte që nuk ishte koha për aplikim, ashtu sikundër anashkalimi i deklaratave shumë më të hershme të zotit Rama, që i propozonte Berishës të aplikonte, janë, pavarësisht inkonsekuencës shokuese, e keqja më e vogël.

A mund të kishte një qasje tjetër politike të opozitës ndaj këtij hapi me të vërtetë historik për Shqipërinë?

Në dukje të parë përgjigjja do të ishte e menjëhershme: jo, opozita duhet ta kishte dhënë konsensusin për këtë hap. Problemi shtrohet te konsekuenca dhe mënyra e bërjes politikë. Nëse Rama, në marshutat e tij të pandërprera nga skërka në skërkë dhe në shfaqjet e shpeshta publike vazhdon të këmbëngulë se gjatë këtyre nëntëmbëdhjetë vjetëve, falë politikës së vjetër, Shqipëria vetëm e ka thelluar varfërinë, nëse flet për përmbysje të sistemit, nëse thotë se Shqipëria ka nevojë për ndryshime radikale, nuk mund të kërkojë njëherësh që po kjo Shqipëri dhe ky Kryeministër, "simbol i politikës së vjetër", të aplikojnë për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE. Ose e thotë këtë nga mosdija, ose i nisur nga një hile tipike ballkanike, pra që vetë BE-ja të thotë në një kohë x se Shqipëria nuk është ende gati për të marrë këtë status. Në këtë këndvështrim, minimalisht "konsensusi" i dhënë dhe nxitja në fjalë nuk duket të kenë pasur në themel interesat e prosperitetit të vendit, por interesat meskine të lojës politike në këtë fshat të madh.

Logjika e thjeshtë e kërkon që nga dy qëndrimet e Ramës, njëri të jetë i vërtetë: ose Shqipëria është vërtet e varfër, në duart e një politike qeverisëse joproduktive dhe ku lulëzon korrupsioni, ose e kundërta: Shqipëria ka bërë aq shumë përparime dhe ka përmbushur aq shumë reforma, saqë qenka e denjë për këtë kandidim. Të dyja bashkë nuk ka se si të jenë të vërteta, pasi kërkesa e opozitës për të paraqitur këtë aplikim, në mënyrë të drejtpërdrejtë është një certifikim i arritjeve të vendit në rrugën e përafrimit të standardeve të tjera.

A kishte mundësi opozita që të kishte një afrim tjetër ndaj këtij procesi, pa rënë në këtë "qorrsokak" çoroditës? Padyshim.

Madje, në disa mënyra. Mund të kishte thënë, për shembull, se e gjithë sa ishte bërë, ishte edhe pjesë e kontributeve të saj në qeverisjen e vet tetëvjeçare, edhe pasojë logjike e kësaj pune, edhe pasojë e përgjegjshmërisë së kësaj force politike që, për herë të parë, realizoi ndryshimin paqësor të pushtetit, edhe pasojë e një ekonomie të shëndetshme që u strukturua pikërisht në atë kohë, pas rrëmetit të piramidave e të vitit të mbrapshtë 1997, e kështu me radhë. Mundej, gjithashtu, të thoshte se qeverisja aktuale është aq shumë problematike, saqë vetëm me një axhendë të re reformash dhe me kontrollin e institucioneve evropiane, mund të vihej nën kontroll etj., etj.

Arsyetime (aspak spekulative) që, pa e larguar nga dhënia e konsensusit, do të ishin kualitete të një opozite të vërtetë politike.

Mirëpo kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi as në rastin e anëtarësimit të vendit në NATO. Rama nuk po e kupton ende se, edhe pse i rrethuar nga po ata "drejtues" të PS-së, duke nëpërkëmbur për interes të konsolidimit të vetes në krye të PS-së kontributet e PS-së, ka pohuar indirekt se gjithë ç‘arrihet sot në lëmë të integrimit është meritë vetëm e katër viteve të qeverisjes së Berishës.

Dhe ky paradoks i krijuar nga mungesa e qartësisë dhe nga niveli i ulët i politikëbërjes, duket se është i vërtetë jo vetëm për proceset integruese, por edhe për rritjen e rrogave, edhe për sistemin bankar, edhe për gjithçka tjetër…

E, në vend të përmbushjes së këtyre funksioneve, organike për një opozitë, sërish ajo ra në grackën e garës të retorikës boshe.

E thashë i pari… Pjesë e kësaj retorike duket të jenë edhe të gjitha garat pa brendi të vërtetë, sikundër janë çështja e liberalizmit të vizave, rëndësia e pavërtetë e kartave të identitetit për cilësinë e zgjedhjeve, apo broçkullat se vetëm nën këtë apo atë qeverisje fshatarët do të jenë të lumtur, do të kenë secili një biznes, se çështja çame do të zgjidhet, se korrupsioni do të zhduket dhe monopolet do të eliminohen etj., etj.

Së pari, e mbi të gjitha për të realizuar këtë ndryshim cilësor, lipset një politikë realiste, ku secili bllok politik të përmbushë detyrimet logjike që ka në një shoqëri demokratike, e cila seriozisht dëshiron t‘i bashkohet familjes evropiane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›