E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investime të huaja, Fullani: Diskutime me FMN për gjetjen e rrugëve

Investimet e huaja, një mundësi shpëtimi prej krizës ekonomike. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se një nga masat që duhet të merren për të rritur konsumin dhe si rezultat nivelin ekonomik në vend është nxitja e investimeve të huaja. Ekonomia shqiptare sipas Fullanit po funksionon nën potenciale.
 

“Kushtet monetare janë të përshtatshme për të siguruar objektivin e inflacionit në një periudhë afatmesme dhe forcon stimulin monetar të kërkesës për rritje ekonomike në vend. Gjatë 3 mujorit të dytë dhe të tretë ka pasur një rritje pozitive të ngadaltë të aktivitetit ekonomik të vendit. Të dhënat më të fundit tregojnë se konsumi ka pësuar rënie duke bërë të mundur rritjen e kursimit të familjeve shqiptare, por gjithashtu rënie kanë shënuar edhe investimet private në vend”, deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
 

Guvernatori Fullani ndër të tjera deklaroi se pasiguria ekonomike gjatë 3-mujorit të dytë të vitit ka sjellë dhe prirjen për të kursyer te konsumatorët shqiptarë edhe në produktet bazë ushqimore.
 

"Ulja e konsumit është bërë si pasojë e pasigurisë dhe kjo mund të ndikojë në uljen e rritjes ekonomike në vend" theksoi Fullani ndërsa ka shtuar se gjithashtu rënie kanë shënuar edhe investimet private në vend.
 

Guvernatori i BSH-së, Fullani ka theksuar se inflacioni kapi shifrën prej 2.8 përqind, duke pësuar kështu një rritje me 0.1 përqind. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme vendosi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 4% , ndërkohë që kreditimi u përcaktua me ngadalësim të ndjeshëm.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›